Ndërlidhjet

Agjenda kohore e Kosovës për liberalizimin e vizave me BE-në varet nga dinamika e përmbushjes së kritereve të vëna nga Komisioni Evropian, thonë përfaqësues të këtij misioni në Kosovë.



Autoritetet evropiane dhe ato vendore në Prishtinë nuk mund të japin një agjendë të saktë kohore për nisjen zyrtare të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Derisa Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia janë në pritje të vendimit përfundimtar të Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së për këtë çështje, Kosova vazhdon ta ketë si obligim kryesor përmbushjen e kritereve të vëna nga Komisioni Evropian.

Zëdhënësja e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Maja Pavloviq, thotë se askush nuk mund të thotë saktësisht se si do të duket rruga e Prishtinës zyrtare drejt liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.

Kjo gjë, sipas saj, pritet të qartësohet pas krijimit të udhërrëfyesit për heqjen e vizave për Kosovën nga Komisioni Evropian, i cili do të pasojë miratimin eventual të studimit për Kosovën, në kuadër të raportit të progresit të këtij komisioni për vendin nga Këshilli i Ministrave i BE-së.

“Koha për liberalizimin e vizave për Kosovën varet shumë nga shpejtësia, me të cilën Kosova do të jetë në gjendje t’i përmbushë kërkesat e vëna për procesin e liberalizimit të vizave”.

“Unë nuk mund të jap afat të saktë kohor. Ajo që mund të bëjë Komisioni Evropian është që, diku në vitin e ardhshëm, të propozojë një listë të detajuar, të ashtuquajtur udhërrëfyes të veprimeve, të cilat duhet të kryhen nga autoritetet. Besoj se në muajt e ardhshëm, pra në vitin e ardhshëm, do të kemi më shumë qartësi se si të vazhdohet më tutje”,
thekson Pavloviq.

Ndërkohë, eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, e cila ka përgatitur raportin për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, ka paralajmëruar mundësinë që aprovimi i heqjes së vizave Shengen për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi që nga dhjetori i këtij viti, të bëhet gjatë së mërkurës nga Parlamenti Evropian.

Në kriteret, të cilat vlerësohet t’i kenë përmbushur tashmë këto vende, kërkohet një angazhim i shtuar nga institucionet kosovare.

Pavloviq shpjegon një pjesë të kritereve, të cilat pasqyrohen në studimin për Kosovën në raportin e progresit 2009, ku, po ashtu, kërkohet themelimi i një dialogu për procesin e stabilizim-asociimit.

“Ai (dokument) propozon një qasje strukturale që eventualisht mund të çojë në liberalizimin e vizave. Ky proces do të kërkonte shumë kohë dhe shumë përkushtim politik”.

“Por, në praktikë nënkupton që Kosova, pasi të ketë garantuar operacionalizimin e plotë të sistemit të riatdhesimit e të riintegrimit dhe nëse zhvillon reformat e tjera të identifikuara në këtë fushë, atëherë mund të përfshihet në dialogun për viza”.

“Kjo, gjithashtu, do të thotë se Kosova duhet t’i zbatojë të gjitha reformat e nevojshme që i kanë kryer shtetet e tjera në rajon, siç janë Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Pra, Kosova duhet ta përshtatë legjislacionin, t’i përforcojë kapacitetet administrative, t’i alokojë burimet e nevojshme dhe të tjera”,
shprehet ajo.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ndërkaq, shprehin bindjen se zhvillimet në përmbushjen e kritereve për liberalizim vizash po ecin me dinamikën e nevojshme.

Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, Artan Duraku, thotë se raportet BE-Kosovë në këtë drejtim, janë kryesisht të natyrës politike dhe u referohen vështirësive që i ka Komisioni Evropian për të hyrë në marrëdhënie kontraktuese me vendin.

Kriteret e tjera, sipas tij, nuk janë aq problematike.

“Të gjitha kriteret e tjera ne i konsiderojmë si teknike”, thotë Duraku, duke shtuar se procedurat në lidhje me krijimin e pasaportave biometrike, si një ndër kushtet e vëna për liberalizim vizash me BE-në, janë në fazën finale të përgatitjes.

“Sipas të gjitha gjasave, këto dokumente do të fillojnë të lëshohen gjatë vitit të ardhshëm”,
thekson ai.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG