Ndërlidhjet

Sistemi ekonomik i Kosovës nuk është duke shkuar kah një ekonomi e tregut dhe e konkurrencës së lirë, siç parashihet me Kushtetutën e Kosovës. Kështu vlerësojnë ekspertë për çështje ekonomike.

Alban Hashani, nga Instituti Riinvest, thotë se ka ende shumë punë për t’u bërë për t’u arritur ajo që proklamohet e që është si kategori kushtetuese e Kosovës.

“Kosova është deklaruar se është për një ekonomi të hapur të tregut, që parashihet edhe me Kushtetutën e Kosovës. Shumica e parametrave janë në këtë drejtim”.

“Ideja është se barrierat joformale, të cilat janë zhvilluar në tregun e Kosovës apo në mjedisin afarist në Kosovë, lënë një hije të zezë, se janë në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut, për arsye se këta faktorë joformalë - korrupsioni, evazioni fiskal - e dëmtojnë konkurrencën. E konkurrenca është shpirti i ekonomisë së tregut”, thotë Hashani.

Eksperti për çështje ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se në Kosovë flitet për një ekonomi të lirë, por realiteti, sipas tij, është tjetër. Ai thotë se sistemi ekonomik i Kosovës më shumë i ngjan një ekonomie anarkike, sesa një ekonomie që ka simptome të mirëfillta të konkurrencës në treg.

“Kosova si shtet funksionon një kohë të shkurtër. Mandati i Kosovës nuk shtrihet në tërë Kosovën. Mirëpo, ngec edhe mbikëqyrja, implementimi i ligjit dhe funksionimi i sistemit, qoftë ekonomik apo institucionet gjyqësore”.

“Ka indikacione, vërehen disa lëvizje që mund të jenë shpresëdhënëse, por ato janë të ngadalshme dhe të vogla”,
vlerëson Rexhepi.

Kosova thuhet se duhet orientuar në ndërtimin e një sistemi të ekonomisë sipas kërkesave të një ekonomie të hapur ndaj tregut evropian dhe botëror. Sipas ekspertëve, ky duhet të jetë sistem ekonomik që stimulon bashkëpunimin ekonomik dhe që nxit investimet e përbashkëta me partnerët e jashtëm.

Ndërkohë, për drejtorin e Institutit për Hulumtime të Avancuara, Shpend Ahmeti, ekonomia e Kosovës është ekonomi importuese, joprodhuese dhe që varet nga ndihmat që vijnë nga diaspora dhe nga donatorët e ndryshëm.

“E kemi një ekonomi vendore të zhvillimit të sektorit privat, por ajo nuk mjafton për ekonominë e Kosovës dhe ne varemi nga ndihmat nga jashtë”.

“Nëse shumë shpejt nuk e ndërrojmë këtë sistem, nëse nuk mendojmë për prodhimin vendor, për zëvendësimin e importeve, për zhvillimin e sektorit privat, mendoj që shumë shpejt do të ballafaqohemi me probleme edhe më të mëdha ekonomike, sepse është çështje e kohës se kur do të ndalen këto ndihma nga jashtë”,
thotë Ahmeti.

Politika e konkurrencës, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë, është bazë e çdo ekonomie të tregut. Ata theksojnë së ky kriter është i rëndësisë strategjike për proceset zhvillimore në Kosovë. Konkurrenca nga tregu i jashtëm dhe tregu i brendshëm, thonë ata, do të bëjë presion në ristrukturimin e ekonomisë sipas kritereve të efikasitetit.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG