Ndërlidhjet

Zhvillim ekonomik e të bujqësisë, ulje të papunësisë, investime në turizmin natyror dhe atë kulturor - janë këto ndër premtimet kryesore të kandidatëve për kryetar të Komunës së Prizrenit. Kandidatët e subjekteve më të mëdha politike e shohin veten fitues që në raundin e parë të zgjedhjeve. Në anën tjetër, qytetarët janë skeptikë se premtimet e dhëna në fushatë do të realizohen.


Po qe se premtimet e kandidatëve për kryetar realizohen, pas mandatit katërvjeçar, Prizreni mund të shënojë një ulje të papunësisë më shumë se 10 për qind, biznesi i vogël dhe i mesëm i qytetit do të marrë hov, bujqësia do të ulë varfërinë në fshatra dhe Prizreni do të shndërrohet në pikë tërheqëse për turistët.

Për të drejtuar qytetin, që gjendet në pjesën më jugore të Kosovës, garojnë 14 kandidatë. Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramadan Muja, i cili në zgjedhjet e kaluara mundi rivalin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziun, thekson se projektet e kryera gjatë mandatit të kaluar, mjaftojnë që prizrenasit t’ia besojnë edhe një mandat.

“Ambiciet tona në mandatin 4-vjeçar - të realizojmë edhe shumë projekte tjera në favor të zhvillimit ekonomik, të arsimit, kulturës, bujqësisë dhe mbrojtjes shëndetësore. Vetëm në vitin e ardhshëm, nga buxheti ynë planifikojmë të investojmë 12 milionë euro dhe planifikojmë të realizojmë 147 projekte”, shprehet Muja.

Duke kritikuar pushtetin aktual, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prizrenit, Hanefi Muharremi, thotë se platforma e kësaj partie është ajo që i duhet komunës, në mënyrë që të shohë një zhvillim ekonomik si dhe shërbime më të mira komunale.

“Kemi premtuar 24 orë ujë. Me siguri, do t’ua japim, për arsye se i kemi projektet në detaje të kryera. Rëndësi të veçantë do t’i japim rinisë, kulturës, trashëgimisë, sepse ajo është ndër punët kyçe të Prizrenit”.

“Rëndësi të veçantë do t’i japim turizmit, tregtisë, industrisë së lehtë dhe ushqimore, sepse si qytet dhe si komunë i plotëson këto kushte”,
thotë Muharremi.

Ruzhdi Rexha përfaqëson Koalicionin për Prizrenin, i cili ka mbledhur në vete 7 subjekte politike, ndër to Lidhjen Demokratike të Dardanisë, Aleancën Kosova e Re si dhe disa parti të vogla shqiptare e boshnjake.

Ruzhdi Rexha ka ndarë platformën zgjedhore në dy prioritete, që synon t’i realizojë në rast se e merr pushtetin.

“Në pjesën e zhvillimit ekonomik do të jenë disa resurse të pashfrytëzuara në kuadër të kuvendit komunal. Ato janë: ndërtimi i disa rrugëve, turizmi kulturor, bujqësia dhe edukimi. Pjesa tjetër është menaxhimi, që menaxhohet ditë për ditë me ndërtimin e shkollave, ujësjellësit, kanalizimit, urbanizmit“, nënvizon Rexha.

Kandidati tjetër që synon të drejtojë komunën me rreth 220 mijë banorë, është Bislim Zyrapi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Oferta e tij për qytetarët është rritja ekonomike, duke e zhvilluar turizmin natyror dhe kulturor.

“Specifikat që i kam paraqitur në planin zhvillimor të Prizrenit, bazohen në rritjen ekonomike dhe zbritjen e papunësisë, duke zhvilluar turizmin natyror e kulturor. Dhe, është pjesa tjetër - industria e bujqësisë dhe zhvillimi rural. Si mbështetje e kësaj është edhe zhvillimi i rinisë”, thekson Zyrapi.

Prizreni është qyteti më multietnik i Kosovës dhe shquhet për tolerancë në mes të komuniteteve të ndryshme.

Orhan Lopar është kandidat i Partisë Demokratike Turke. Ai synon që në zgjedhjet e 15 nëntorit të marrë vota jo vetëm të turqve, por edhe të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera.

“Unë jam qytetar i Prizrenit. Prizreni është ndryshe nga qytetet tjera, sepse 90 për qind e flasin edhe shqipen, edhe turqishten, edhe gjuhën boshnjake”.

“Pse duhet të votohet për mua? Ne e njohim më mirë Prizrenin, sesa ata që kanë qenë kryetarë. Ne kemi ndikuar në trashëgiminë kulturore, ne do ta ruajmë pamjen e tashme të Prizrenit, ndërsa, nëse duhet ndërtuar ndërtesa të mëdha, ato do t’i zhvendosim në periferi”,
thotë Lopar.

Këto dhe shumë premtime tjera i kanë dëgjuar prizrenasit për më shumë se tri javë. Tash, kur kanë mbetur vetëm katër ditë para zgjedhjeve, qytetarët janë skeptikë, se në fakt premtimet do të realizohen.

Një nga skeptikët është Zana Drini.

“Që 10 vjet u ngopëm me premtime pa kurrfarë realizimi. Ujë në qendër të qytetit nuk ka; unë kam ujë vetëm dy orë në ditë. Si mund të konkurrojë një kandidat për kryetar e ujin nuk mund ta sigurojë”, pyet Drini.

Vullnet Fejzullahu kërkon nga politikanët që të zgjidhin problemin e papunësisë, varfërisë dhe infrastrukturës. Por, nuk ka shumë shpresa.

“Secili politikan thotë se unë do ta bëj këtë e atë, e nuk kanë bërë asgjë. Vetëm po rregullojnë ndonjë shkollë apo ambulancë. Dhe, janë donatorët që po e japin fondin; këta po e marrin përsipër kinse ne e kemi bërë”, shprehet Fejzullahu.

Ndryshe, politikanët e Prizrenit, premtimet e tyre për rritjen ekonomike i kanë mbështetur shumë edhe në projektin e autostradës Durrës-Kukës-Merdare, e cila do të kalojë nëpër Prizren. Sipas tyre, ajo do të rrisë ndjeshëm biznesin dhe turizmin lokal.
XS
SM
MD
LG