Ndërlidhjet

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës ndajnë mendime të ndryshme lidhur me thirrjen që u është bërë nga një grup intelektualësh serbë, për të marrë pjesë në zgjedhjet e nëntorit. Disa, madje, thonë se thirrjet mund të jenë kundërproduktive.


Thirrja, të cilën një grup i intelektualëve nga Serbia ua ka bërë serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, mund të krijojë efekt të kundërt. Kështu vlerësojnë liderët serbë të Kosovës, të cilët përfaqësojnë pozicionime të kundërta lidhur me pjesëmarrjen ose jo të serbëve në këto zgjedhje.

Momçillo Trajkoviq, lider serb nga Kosova qendrore, i cili është në favor të pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje dhe njëkohësisht edhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në këtë proces, thotë se e çmon përkrahjen e grupit të intelektualëve serbë, por shfaq drojën se ky grup mund të shkaktojë efekte të padëshirueshme.

“Mendoj se përkrahja e tyre është e mirëseardhur, por, fatkeqësisht, ky grup i intelektualëve nuk ka ndikim të madh në popull. Madje, ndonjëherë mund të ketë rol kundërproduktiv”.

“Unë gjithsesi e përkrah thirrjen e tyre dhe mendoj se mbështetja dhe orientimi i serbëve për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, është rruga e vërtetë në kërkim të zgjidhjes së situatës tonë këtu në Kosovë”,
tha Trajkoviq.

Ai shtoi se vlerësimet e grupit të intelektualëve serbë, se serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të Kosovës, në mënyrë që të bëhen faktorë politikë në këtë vend, janë të sakta dhe të qëlluara.

Ndryshe, Millan Ivanoviq, nga Këshilli Kombëtar Serb në veriun e Kosovës, tha se thirrjen që serbët të dalin në zgjedhje nuk e kanë bërë intelektualët serbë, por, siç i quajti ai, disa përfaqësues të organizatave joqeveritare, të cilët, sipas tij, janë të paguar nga vendet që kanë krijuar dhe promovuar shtetin e pavarur të Kosovës.

“Ata njerëz nuk i përfaqësojnë serbët, por padronët e tyre nga perëndimi që i paguajnë. Thirrja e tyre do të ndikojë që në zgjedhje të dalin më pakë serbë, sesa që do të dilnin pa thirrjen e tyre”, tha Ivanoviq, duke e konsideruar grupin e intelektualëve serbë si një grup të njerëzve që punojnë kundër Kushtetutës dhe integritetit territorial të vendit të tyre dhe që në Serbi janë pa përkrahje dhe nuk kanë ndonjë ndikim domethënës.

Në anën tjetër, në veriun e Kosovës, përmes disa panove të vendosura kryesisht në anën veriore të Mitrovicës, qytetarëve serbë u është bërë thirrje që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Në pano, serbëve u është adresuar pyetja “Kujt t’i besojmë më shumë”. Në anën e majtë të saj janë të shënuara Kisha Ortodokse serbe, kryetari i Republikës së Serbisë, Qeveria e Serbisë, Kuvendi i komunave serbe të Kosovës, ambasadori rus në Serbi dhe, siç thuhet në pano, “pothuaj të gjithë intelektualët dhe personalitetet e shquara publike serbe”.

Ndërkaq, në anën e djathtë të panos janë fotografitë e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, presidentit Fatmir Sejdiu, Agim Çekut, kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, si dhe, siç thuhet në pano, “edhe shumë armiq të shquar të huaj dhe vendorë të popullit serb”.

Panot e tilla, Momçillo Trajkoviq i quan si tentim për të manipuluar bashkësinë serbe.

“Ky është manipulim. Nuk ekziston dilema se a i besojnë serbët më shumë Thaçit, Sejdiut apo Tadiqit. Me siguri se serbët i besojnë më shumë Tadiqit, por këtu kemi të bëjmë më tepër me pafuqinë e shtetit tonë, si dhe, në anën tjetër, shtetin jomeritor të Kosovës”.

“Në mes këtyre dy anëve, të paktën në zgjedhjet lokale, ne duhet ta gjejmë mënyrën që të marrim fatin në duart tona dhe t’i ndihmojmë këtij populli që të qëndrojë këtu”,
tha Trajkoviq, duke e cilësuar pyetjen që u parashtrohet serbëve në pano si një dilemë të rrejshme.

Megjithatë, sipas tij, një fushatë e tillë kundër zgjedhjeve mund të ndikojë negativisht te serbët e Kosovës qendrore, të cilët jetojnë nga buxheti i Serbisë.

Por, ndryshe mendon Ivanoviq, i cili tha se është dashur të ketë më shumë fushatë kundër pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet lokale të Kosovës.

“Në mediat serbe nuk ka pasur fushatë të mjaftueshme kundër zgjedhjeve. Praktikisht, zyrtarët në një mënyrë janë pasivizuar. Por, unë pres që jo vetëm në veriun e Kosovës, por edhe në pjesën qendrore të saj, ku është zhvilluar një fushatë e fuqishme në favor të pjesëmarrjes në zgjedhje, serbët në masën më të madhe t’i bojkotojnë zgjedhjet”, përfundoi Ivanoviq.



Thirrje serbëve: Dilni në zgjedhje!


Intelektualë nga Serbia u kanë drejtuar sërish thirrje serbëve të Kosovës që të mos e dëgjojnë Beogradin dhe të dalin në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Gjatë një konference të përbashkët të një grupi intelektualësh serbë, të mbajtur në Çagllavicë, është vlerësuar se Plani i Ahtisarit në masë të madhe ofron zgjidhje për problemet, me të cilat ballafaqohet komuniteti serb në Kosovë.

Kryetarja e Këshillit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, tha se është shumë me rëndësi që serbët të vendosin vetë dhe të jenë faktorë politikë në Kosovë.

“Ne jemi të mendimit se serbët e Kosovës duhet t’i zënë vendet e tyre në institucionet e Kosovës, në mënyrë që të bëhen faktorë politikë dhe të jenë në gjendje t’i marrin vetë vendimet për të ardhmen e tyre”, tha Biserko.

Ndërkaq, avokati nga Beogradi, Dragolub Todoroviq, akuzoi jo vetëm politikanët, por edhe shoqërinë civile në Serbi, se pa asnjë arsye, në formë stereotipi, janë shprehur kundër Planit të Ahtisarit, të cilin ai thotë se Beogradi as që e ka studiuar ndonjëherë se çfarë përmbajtjeje ka.

“Jam i sigurt se as politikanët serbë, as publiku serb, nuk dinë se çfarë përmban Plani i Ahtisarit, por janë kundër tij”, tha Dragolub Todoroviq, sipas të cilit, serbët e Kosovës duhet të marrin vendin që u takon në kuadër të vetëqeverisjes lokale, siç mundësohet edhe me Planin e Ahtisarit.

Kurse, publicisti serb, Dragan Kovaçeviq, tërhoqi një paralele në mes serbëve të Kroacisë, që në këtë mënyrë kishin refuzuar daljen në zgjedhjet kroate dhe tashmë, sipas tij, ata ndihen të margjinalizuar.

Andaj, ai tha se serbët e Kosovës nuk duhet ta përsërisin gabimin e njëjtë.

“Është shumë me rëndësi që serbët t’i pranojnë këto procese dhe të jenë pjesëmarrës të kësaj loje, sepse ai që nuk merr pjesë, të jeni të sigurt se do të jetë i humbur dhe i zhdukur nga çdo proces”, tha Kovaçeviq.

Thirrjeve drejtuar serbëve të Kosovës që të dalin në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, tashmë u janë bashkëngjitur mbi 90 intelektualë nga e gjithë Serbia.

Ndryshe, një interesim më i madh i serbëve për zgjedhjet lokale të Kosovës vërehet në pjesët qendrore e lindore të Kosovës, përderisa në veri nuk janë dhënë shenja e as mesazhe politike se ky komunitet do të dalë në votime më 15 nëntor.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG