Ndërlidhjet

logo-print

Hooper: Serbia s’është reformuar nga koha e Millosheviqit


James Hooper

James Hooper

“Beogradi vazhdon të dalë i palagur nga ky rol prej shkatërrimtari dhe këtu ka faj Bashkimi Evropian”, thotë James Hooper, ish-diplomat amerikan.






RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hooper, zgjedhjet vendore të 15 nëntorit, të parat që prej shpalljes së pavarësisë, cilësohen si historike, në kuptimin e një sfide të vërtetë për institucionet e Kosovës. Si i shihni ju ato?

JAMES HOOPER
Mendoj se janë dy gjëra të rëndësishme për zgjedhjet vendore. Së pari, ato janë, siç thoni edhe ju, të parat që prej shpalljes së pavarësisë. Tani, pas pavarësisë, nuk ka më arsyetime për ata që kanë qeverisur nivelin lokal.

Është mundësi e mirë për kosovarët dhe vetë komunat që t’i shpërblejnë ata zyrtarë që kanë bërë punë të mirë. Ata, të cilët kanë dështuar, nuk mund të fshihen më prapa statusit dhe çështjeve të ngjashme. Është mundësi e mirë që ata që s’kanë bërë punë të mirë, të hidhen jashtë nga zyrat.

Së dyti, mendoj se është shumë e rëndësishme, nga pikëpamja e bashkësisë ndërkombëtare, që këto zgjedhje të jenë “të mërzitshme”, në kuptimin që të mos ketë dhunë, të zhvillohen ndershmërisht dhe me efikasitet.

Përderisa janë të ndershme, të lira dhe efikase, mendoj se është mirë nëse ato do të jenë zgjedhje “të mërzitshme”.

RADIO EVROPA E LIRË
Beogradi zyrtar ka qenë i vendosur në thirrjet drejtuar serbëve të Kosovës për t’i bojkotuar zgjedhjet. Megjithatë, kësaj radhe, duket sikur do të ketë më shumë votues nga komuniteti serb. Ç’do të thotë kjo për Beogradin?

JAMES HOOPER
Ata duhet ta kenë të qartë, edhe në kuptimin praktik, se e ardhmja e tyre është në Kosovë dhe institucionet e saj. Ata duhet të punojnë me këto institucione në baza praktike.

Unë mendoj se liderët kosovarë ua kanë shtrirë dorën atyre, por problemi nuk qëndron te zyrtarët kosovarë. Problemi qëndron te vetë serbët e Kosovës, mosgatishmëria e tyre për të shfrytëzuar shumë nga mundësitë që u janë ofruar.

Kjo, për faktin se Beogradi vazhdon të luajë rolin e shkatërrimtarit në këtë proces. Në fakt, serbët e Kosovës, nëse shikohet ana praktike, marrin shumë pak nga Beogradi, ndërkohë që e ardhmja e tyre në Kosovë mund t’u ofrojë shumë më shumë, duke qenë pjesëtarë besnikë dhe të respektuar të komunitetit kosovar.

Problemi gjithashtu qëndron te ndërkombëtarët; ata vazhdimisht e kritikojnë Beogradin për nxitjen e bojkotit, por, në fakt, Beogradi asnjëherë nuk e paguan çmimin.

Kjo është me të vërtetë për keqardhje. Beogradi vazhdon të dalë i palagur nga ky rol prej shkatërrimtari dhe këtu në të vërtetë ka faj Bashkimi Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flasim për Bashkimin Evropian, 5 nga 27 vendet anëtare të këtij blloku ende nuk e kanë njohur pavarësinë. Sipas jush, cilat janë ndikimet e kësaj mosnjohjeje të tërësishme nga ana e Bashkimit Evropian?

JAMES HOOPER
Është hap prapa për Kosovën. Bashkimi Evropian ka dalë me disa udhëzues dhe kritere, veçanërisht mbi trajtimin e pakicave, pra serbëve. Kosovarët i kanë përmbushur ato, mendoj unë, e madje edhe mund t’i kenë tejkaluar.

Çështja është te Beogradi. Vazhdimisht kemi një situatë, në të cilën Serbia luan një rol jo të shëndetshëm dhe negativ. Dhe, kjo nënkupton rolin e Tadiqit, i cili nga evropianët konsiderohet si i moderuar, ndërkohë që ai po luan një rol pothuajse aq negativ sa edhe Koshtunica.

Ndërkaq, evropianët vazhdojnë ta njohin rolin që ushtron Beogradi, ushtrojnë trysni mbi holandezët në raport me Serbinë dhe nuk e kanë problem… Këto pesë vendet tjera të bllokut evropian, në fakt, janë duke e marrë anën e Serbisë, duke ndërhyrë kështu realisht në çështje të brendshme të një shteti tjetër, atë të Kosovës.

Është koha e fundit që këto pesë vende t’i lënë mënjanë disa nga shqetësimet e tyre të ekzagjeruara mbi problemet e brendshme që kanë dhe të ecin përpara me njohjen e Kosovës. Situata aktuale është e padrejtë, por është një botë në të cilën po jeton Kosova tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hooper, kohët e fundit, ka diskutime mbi mundësinë e përfshirjes së Ballkanit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2014. Sa janë reale pritjet e këtilla dhe çfarë ndikimi mund të ketë një qasje e këtillë në vendet që aspirojnë anëtarësimin?

JAMES HOOPER
Nëse me këtë nënkuptohet përfshirja e të gjitha vendeve të Ballkanit, kjo mund të ndodhë vetëm nëse BE-ja zbut standardet e saj.

Unë nuk mendoj se Kosova ka probleme me përmbushjen e standardeve. Por, nëse evropianët i zbusin standardet dhe ia mundësojnë Serbisë anëtarësimin, atëherë dërgohet një mesazh i qartë.

Serbia nuk mund t’i përmbushë standardet e tashme, prandaj e vetmja mënyrë për ta futur Serbinë brenda, është nëpërmjet zbutjes së standardeve. Ajo çfarë dëshiron Serbia, është t’i gëzojë të gjitha përfitimet nga anëtarësimi, pa pasur nevojë të paguajë çmimin. Serbia në esencë është e pareformuar që prej kohës së Millosheviqit. Ende ekziston mafia e njëjtë, ende ekzistojnë nacionalistët e njëjtë…

Evropa mund të mendojë - dhe ky është një iluzion i saj - se ka në duar shkopin magjik për të gjitha problemet e politikës së jashtme, duke krijuar mundësi të ndryshme për anëtarësimin e të gjithëve.

Unë do t’ia tërheqja vërejtjen Bashkimit Evropian: Prisni derisa të merrni vesh se ç’do të ndodhë me një Serbi hipernacionaliste brenda BE-së!. Nëse serbët nuk duhet të reformohen dhe të ecin përtej nacionalizmit të tyre, duke e njohur Kosovën, atëherë si do të duket BE-ja me Serbinë brenda saj, me një vend vërtet nacionalist?!.

RADIO EVROPA E LIRË
Për fund zoti Hooper, procesi në Gjykatën Ndërkombëtare pritet të fillojë muajin e ardhshëm. Disa thonë se kjo gjykatë do të marrë vendim mbi ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë, të tjerët thonë se ajo mund të japë vetëm mendim këshillëdhënës. Ju, çfarë mendoni?

JAMES HOOPER
Nuk dua ta bëj veten ekspert mbi procedura të Kombeve të Bashkuara. Ata, të cilët do të pajtohen me atë çfarë thotë gjykata, do ta trajtojnë si vendim, të cilin duhet respektuar; ata, të cilët nuk pajtohen, do ta marrin si mendim këshillëdhënës, të cilin duhet injoruar.

Edhe këtu, Serbisë i janë lënë duart e lira. Ndërkombëtarët është dashur të insistonin, është dashur ta zotonin Serbinë në përkushtime të caktuara dhe ende ka kohë për ta bërë një gjë të këtillë.

Unë pres të jetë një përfundim i pavendosur.

Serbia nuk do ta pranojë vendimin nëse nuk i pëlqen, edhe pse ndërkombëtarët është dashur të kërkojnë zotimin e saj se do ta bëjë një gjë të këtillë.

Beogradi, ndërkohë, e ka shfrytëzuar këtë proces si taktikë, nëpërmjet së cilës ka arritur të bindë një numër të madh vendesh për të shtyrë vendimin mbi njohjen e shtetësisë së Kosovës.

Sërish, ndërkombëtarët e kanë humbur edhe këtë mundësi për ta bindur Serbinë që të pajtohet me faktin e një Kosove të pavarur.
  • 16x9 Image

    Arbana Vidishiqi

    Arbana Vidishiqi është Drejtore e Shërbimit për Ballkanin në Radion Evropa e Lirë. Me gazetari merret që prej vitit 1997, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 1999. Është e martuar dhe ka një fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG