Ndërlidhjet

Dell: PDK dhe AAK të distancohen nga aktet e dhunshme


Kristofer Dell

Kristofer Dell

Ambasadori amerikan, Kristofer Dell, ka dënuar incidentin në Deçan dhe ka kërkuar nga PDK-ja dhe AAK-ja që të distancohen nga aktet e tilla.





Përfaqësues të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare kanë dënuar incidentin e së mërkurës në Deçan, ku pas një tubimi parazgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës, thuhet të jetë “sulmuar eskorta e kryetarit të kësaj partie, kryeministrit Hashim Thaçi”.

Një zhvillim i tillë vlerësohet se e dëmton procesin zgjedhor dhe demokracinë në Kosovë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, ka dënuar këtë incident, duke kërkuar edhe nga partitë e përfshira që të distancohen. Këto komente, Dell i ka bërë gjatë një takimi në Prishtinë me koalicionin e organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim”.

“Mendoj se është shumë me rëndësi që të dyja udhëheqjet e partive të përfshira, PDK-së dhe AAK-së, ta bëjnë të qartë se dënojnë një sjellje të tillë dhe të tregojnë se nuk qëndrojnë prapa kësaj sjelljeje dhe këtë mesazh t’ia adresojnë edhe elektoratit të tyre”, ka thënë ambasadori Dell.

“Unë nuk isha atje. Nuk e di se çfarë ka ndodhur. Por, ajo nuk është një sjellje e mirë dhe nuk mund të arsyetohet dhuna. Që të dyja partitë, si PDK, ashtu edhe AAK, nuk mund ta arsyetojnë dhunën, sepse ajo është shkatërruese për Kosovën, demokracinë dhe zgjedhjet”, ka thënë Dell.

Me një kërkesë të ngjashme për t’u distancuar nga dhuna drejtuar Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është paraqitur edhe ambasadori britanik në Prishtinë, Endrju Sparks.

Kurse, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Piter Feith, ka bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë gjatë fushatës, e cila është në mbyllje e sipër.

“Kam folur me kryeministrin dhe me zotin Haradinaj. Kam marrë garanci të qarta se fushata dhe dita e zgjedhjeve do të vazhdojnë në atmosferë të qetë”, ka thënë Feith.

Incidentin e kanë dënuar edhe presidenti Fatmir Sejdiu dhe Qeveria e Kosovës. Presidenti Sejdiu ka thënë se ky do të jetë një incident i izoluar, i cili nuk do të ketë përmasa të tjera.

“Arma më e fortë për çdo njeri është arsyeja dhe në këtë rast është edhe përzgjedhja - vota e qytetarit”.

“Vota është e shenjtë, asaj duhet t’i japim shansin më të mirë, prandaj është e papranueshme asnjë rrugë tjetër, pra as rruga që kemi parë storiet e hedhjes së gurëve në makinat e kryetarit të PDK-së, në këtë rast edhe kryeministrit të Republikës së Kosovës. Mendoj se organet e rendit do ta zbardhin në tërësi rastin dhe ato do të bëjnë punën e tyre
”, ka thënë Sejdiu.

Përderisa përfaqësues ndërkombëtarë u kërkojnë PDK-së dhe AAK-së të distancohen nga incidenti i Deçanit, pavarësisht se si filloi dhe përfundoi ai, këto dy parti politike kanë vazhduar me akuza të ndërsjella.

PDK-ja, duke mos pranuar të japë prononcime tjera, nëpërmjet një komunikate me shkrim, ka vlerësuar për ngjarjen të jetë nxitur dhe organizuar drejtpërdrejt nga Ramush Haradinaj, duke përdorur, siç thuhet, “edhe njerëz të inkriminuar dhe të ikur nga drejtësia”.

Sipas kësaj komunikate, të mërkurën “në Deçan u provua të përdhoset dhe të frikësohet vota e lirë e qytetarëve”.

Në anën tjetër, AAK-ja, përmes sekretarit të saj të përgjithshëm, Burim Ramadani, ka akuzuar kryeministrin Thaçi dhe partinë rivale, PDK-në, për këtë incident.

“Ky është skenar i qartë i Hashim Thaçit dhe PDK-së për të shkatërruar procesin zgjedhor dhe për të mbajtur pushtetin në mënyrë jo të ligjshme dhe në mënyrë meskine. Kjo nuk pranohet nga qytetarët e Kosovës dhe ne u bëjmë thirrje për maturi të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

“Vota e lirë e qytetarëve është ajo që përcakton se kush do të jetë në qeverisje dhe jo armët e shoqëruesve të kryeministrit”,
ka thënë Ramadani.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se në Shtëpinë e Kulturës në Deçan, një grup qytetarësh ka sulmuar me gurë eskortën e kryeministrit. Policia ka arritur të arrestojë tre persona si të dyshuar të mundshëm, të involvuar në këtë rast, ndaj të cilëve është ngritur procedura hetimore.

Incidenti i së mërkurës në Deçan tashmë vlerësohet si më i rëndi dhe më seriozi gjatë gjithë fushatës për zgjedhjet e 15 nëntorit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG