Ndërlidhjet

A do të ketë rritje të pagave në vitin 2010?


Me projekt-buxhetin për vitin 2010 parashihet rritje e pagave për të punësuarit në sektorin publik rreth gjashtë për qind. Por, ekspertë për çështje ekonomike janë skeptikë se mund të ndodhë një gjë e tillë, për shkak se, siç thonë, qeveria nuk ka përgatitur ndonjë plan që siguron ngritje të pagave për një periudhë afatgjate.


Të punësuarit në sektorin publik, vitin e ardhshëm do të kenë rritje të pagave rreth gjashtë për qind. Kështu është premtuar nga Qeveria e Kosovës, gjatë miratimit të projekt-buxhetit për vitin 2010, që kap shumën mbi 1 miliard e 400 milionë euro.

Por, sa besojnë ekspertët e ekonomisë në një premtim të tillë? Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, nuk është optimist se mund të ndodhë një ngritje e pagave në të gjithë sektorët.

“Ka shumë pak hapësirë, sidomos duke pasur parasysh edhe barrierat nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ata do të jenë më strikt në përcjelljen e shpenzimit të buxhetit”.

“Mirëpo, duke pasur parasysh rritjen shumë të vogël të buxhetit në krahasim me buxhetin e këtij viti, unë nuk pres rritje substanciale. Sigurisht se do të ketë një rritje në sektorin publik, duke përfshirë këtu arsimin, shëndetësinë, por jo rritje drastike”,
shprehet Rukiqi.

Besnik Bislimi, nga Qendra për Kërkime e Universitetit Amerikan në Prishtinë, thotë se ekziston hapësira për rritje të mundshme të pagave, pasi, sipas tij, është rritur vëllimi i buxhetit krahasuar me buxhetin e këtij viti.

Por, megjithatë, shton Bislimi, e rëndësishme është përgatitja e ndonjë strategjie, që siguron ngritje të pagave në një periudhë afatgjate.

“Problemi te rritja e pagave është se ajo nuk është pjesë e ndonjë politike më afatgjate. P.sh. nëse bëhet rritja e pagave në ndonjë ministri, duhet pasur ndonjë kondicion shtesë, apo duhet lidhur me ndonjë rritje të efikasitetit brenda ministrisë...".

“Kjo nuk po ndodh. Po ndodh rritje e segmenteve të caktuara, varësisht prej situatës aktuale. P.sh. ka një grevë aty dhe rriten pagat. Kështu që krijohet një përshtypje se është një arnim i sistemit dhe nuk është pjesë e një vizoni pak më të madh”,
thotë Bislimi.

Ndryshe, Fondi Monetar Ndërkombëtar i kishte rekomanduar Qeverisë se Kosovës që të jetë e kujdesshme gjatë projektimit të buxhetit për vitin e ardhshëm dhe të ulë shkallën e shpenzimeve publike.

Lidhur me këtë, Besnik Bislimi thotë:

“Në atë moment kur rritjet e pagave të jenë të projektuara mirë dhe të dizajnuara si pjesë e ndonjë strategjie afatgjate të personelit, FMN-ja sigurisht se nuk do ta kundërshtonte atë”.

“Por, Fondi Monetar e ka atë hapësirën manipuluese, se e sheh se pala kosovare nuk është e aftë të argumentojë mirë pse vjen deri te kjo rritje, në cilat segmente, për çfarë arsyesh“,
thotë Bislimi.

Në projekt-buxhetin për vitin e ardhshëm nuk është përmendur rritja e pagave të punëtorëve të sistemit arsimor, të cilëve, kohë më parë, kryeministri u kishte premtuar rritje deri në 30 për qind të pagave.

Ndryshe, numri i të punësuarave në sektorin publik llogaritet të jetë mbi 76 mijë, ku përfshihen: policët, punëtorët shëndetësorë, arsimorë dhe ata të administratës shtetërore, pagat e të cilëve vazhdojnë të jenë, siç thuhet, simbolike.
XS
SM
MD
LG