Ndërlidhjet

logo-print

Përfaqësuesit ndërkombëtarë u kanë bërë thirrje subjekteve politike dhe përkrahësve të tyre që të përmbahen nga veprimet e dhunshme, sepse, siç kanë thënë, ajo që do të ndodhë në 48 orët e ardhshme, do të jetë thelbësore për reputacionin e Kosovës në plan afatgjatë.


Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, u ka bërë thirrje kosovarëve që të përmbahen nga veprimet e dhunshme, në mënyrë që të mos njollosin emrin e Kosovës.

“U kemi kërkuar liderëve që t’i dënojnë këto që kanë ndodhur, u kemi kërkuar përkrahësve të tyre që të përmbahen nga këto veprime, sepse këto gjëra vetëm se do të njollosin emrin e Kosovës. E tërë bota tash po shikon. Mënyra se si do të sillet ky shtet në 48 orët e ardhshme, do të jetë thelbësore për reputacionin tuaj në plan afatgjatë”.

“Është përgjegjësi e liderëve të të gjitha formacioneve politike në pushtet e në opozitë që të vënë interesin e Kosovës mbi interesin e ngushtë të partive, apo mbi ndjenjat e tyre”.

“Përmbajtja është qenësore”,
ka thënë Dell.

Ai, në një konferencë të ENEMO-s, organizatë kjo evropiane që do t’i vëzhgojë zgjedhjet në Kosovë, u ka thënë vëzhguesve evropianë se roli i tyre në ditën e zgjedhjeve do të jetë thelbësor.

“Po qarkullojnë thashetheme për mashtrime. Duhet të jeni të vetëdijshëm se ky është Ballkan. Mentaliteti konspirativ është i fuqishëm, është vështirë të tregohet se akuzat nuk qëndrojnë”.

“Roli juaj si vëzhgues nga jashtë është thelbësor, sepse njerëzit këtu i konsiderojnë të huajt më objektivë, më korrektë, raportues më të besueshëm për çështjet e brendshme”,
ka thënë Dell.

Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, u ka kërkuar vëzhguesve që të jenë syçelë në ditën e zgjedhjeve.

“Duhet thënë se keqpërdorimet mund të ndodhin vetëm pasi që të fillojnë votimet, kur njerëzit fillojnë të hedhin votat e tyre. Prandaj, prania juaj në qendrat e votimit është mbrojtje kundër mashtrimit”.

“Ju kërkojmë që të jeni të vëmendshëm se çka po ndodh me votat, kutitë kur të numërohen dhe transportohen në komuna, në mënyrë që të jemi të sigurt se këto zgjedhje, me shpresë, do të arrijnë standardet ndërkombëtare”,
ka thënë Feith.

Në anën tjetër, kreu i misionit ENEMO, Darko Aleksov, ka thënë se 108 vëzhgues do të jenë të pranishëm në 36 komuna në ditën e zgjedhjeve.

“Do të jemi të pranishëm sa më shumë që të jetë e mundur. Do të dërgojmë 54 ekipe me nga dy persona. Pra, 108 do të dërgohen në 6 rajone”, ka thënë Aleksov.

Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, përveç nga vëzhgues ndërkombëtarë, do të monitorohen edhe nga 2,400 vendës të koalicionit të OJQ-ve “Demokracia në Veprim”.
XS
SM
MD
LG