Ndërlidhjet

Formimi i Ministrisë për Integrime


Zyrtarë të lartë nga Qeveria e Kosovës paralajmërojnë formimin e Ministrisë për Integrime Evropiane, e cila pritet të nisë së funksionuari në fillim të vitit të ardhshëm.




Në kuadër të angazhimeve dhe përgjegjësive që ka Kosova në procesin e integrimit evropian, përfaqësuesit e ekzekutivit kosovar thonë se së shpejti pritet të publikohet vendimi për krijimin e Ministrisë për Integrime Evropiane.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se në vitin 2010 ministria e re pritet të nisë punën.

“Kryeministri, në shenjë të angazhimeve për fushën e integrimeve evropiane, ka vendosur që të themelohet një ministri për integrime evropiane. Mendojmë se atë vendim do ta marrë sa më shpejt që është e mundur, në kohën e duhur dhe duke dashur që të koncentrohen punët për integrime evropiane në një vend, por natyrisht edhe të koordinohen nga një vend”.

“Është në dorën e kryeministrit të vendosë për kohën, por gjithsesi kjo nuk do të ndodhë para zgjedhjeve lokale. Do të gjendet ambienti i mirë, i përshtatshëm dhe me siguri se fillimi i vitit 2010 do të jetë edhe me këtë ministri”,
deklaroi Kuçi.

Për liberalizimin e vizave dhe për integrim në Bashkimin Evropian, Kuçi theksoi nevojën e një përkushtimi më të madh të institucioneve të vendit.

Ai shprehu bindjen se me krijimin e Ministrisë për Integrime, do të lehtësohet edhe rruga drejt BE-së.

“Tani ka nevojë për përkushtim më të madh në këtë fushë. Ka nevojë për angazhime më të mëdha nga institucionet vendore dhe kjo do të ishte një pikë e mirë e orientimit, por edhe e përkushtimit tonë, për t’i plotësuar zotimet dhe sfidat që kërkohen nga ne”, u shpreh Kuçi.

Ndryshe, kohëve të fundit, ka pasur zëra që Ministrinë e Integrimeve do ta drejtojë ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi.

Vetë zoti Rexhepi tha se e vlerëson lart formimin e kësaj ministrie dhe se është në pritje të ftesës për ta drejtuar atë.

“Po mendoj që ministria do ta kryente më mirë punën e saj për integrim, për përmbushjen e standardeve - një koordinim më i mirë i punëve. Kjo është në agjendën e qeverisë dhe, me sa kam njohuri, shumë shpejt do të merret një vendim për themelimin e ministrisë”.

“Është përfolur emri im si njohës i këtij lëmi. Dihet se si kryeministër kam filluar procesin e stabilizim-asociimit, mekanizmit përcjellës... Unë pres të themelohet; nëse më bëhet ofertë nga kryeministri, nga qeveria, unë e pranoj me kënaqësi”,
tha Rexhepi.

Ai po ashtu theksoi se me formimin e kësaj ministrie do të ketë një koordinim më të mirë të punëve edhe në mes të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

“Ministria ka qëllim që me ministritë e tjera dhe grupet e kontaktit, grupet e caktuara që merren me legjislacion, me përmbushjen e standardeve, të bëjë një koordinim më të mirë”, tha Rexhepi.

Aktualisht, i vetmi institucion kompetent që merret me procesin e integrimit të Kosovës në BE është Agjencia për Koordinimin, Zhvillim dhe Integrim Evropian, e cila vepron në kuadër të Zyrës së kryeministrit Thaçi.

Drejtori i kësaj agjencie, Edon Cana, tha se krijimi i Ministrisë së Integrimit Evropian është i mirëseardhur.

“Mendoj se do të jetë një lehtësim i punës së agjencisë që është duke bërë tani, duke marrë parasysh se do të kemi edhe një grup të nivelit politik, i cili do të fascilitojë punën tonë apo kërkesat tona”, u shpreh Cana.

Ekspertë të integrimeve evropiane thonë se Qeveria kosovare ka plane adekuate në lidhje me integrimin në Bashkimin Evropian, porse, siç theksojnë ata, planet duhet patjetër edhe të implementohen, e jo të figurojnë vetëm si dokumente.

Ndërsa, sa i takon liberalizimit të vizave, autoritetet evropiane dhe ato vendore në Prishtinë thonë se nuk mund të japin një agjendë të saktë kohore për nisjen zyrtare të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Sipas tyre, kjo varet nga dinamika e përmbushjes së kritereve të vëna nga Komisioni Evropian.
XS
SM
MD
LG