Ndërlidhjet

Kosova premton zgjedhje model për rajonin


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka ftuar sërish të gjithë votuesit kosovarë që të shfrytëzojnë të drejtën demokratike dhe të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen të dielën.




Qeveria e Kosovës siguron qytetarët se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, që do të mbahen këtë të diel.

Ekzekutivi kosovar ka ftuar të gjithë votuesit, pavarësisht përkatësisë etnike, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe përmes votës së lirë të vendosin për komunat ku jetojnë.

Kryeministri Hashim Thaçi u zotua se zgjedhjet e 15 nëntorit janë të përgatitura mirë dhe se do të mund të merren si model edhe për vendet tjera të rajonit.

“Institucionet e shtetit të Kosovës kanë kryer të gjitha obligimet karshi procesit elektoral. Zgjedhjet janë të përgatitura shumë mirë - model mund të them edhe për rajonin”, tha Thaçi.

Një çështje tjetër shumë me rëndësi për suksesin e këtyre zgjedhjeve, sipas kreut të Qeverisë së Kosovës, është pjesëmarrja e komunitetit serb në votime.

Ai u premtoi serbëve se me pjesëmarrje në zgjedhje dhe me marrjen e përgjegjësive nëpër komuna, Qeveria do t’u garantojë atyre vetëqeverisjen lokale sipas Planit të Ahtisarit.

“Zgjedhjet e 15 nëntorit paraqesin histori të re të suksesit për shtetin tonë të ri. Pjesëmarrja kaq e madhe e qytetarëve në fushatën elektorale për t’i dëgjuar liderët e tyre, pastaj edhe pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve, para së gjithash e serbëve, është jetike për sukses në këtë proces”, theksoi Thaçi.

Dita e votimeve të dielën do të jetë një ditë feste, tha në anën tjetër zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Ai tha po ashtu se Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me organet e rendit, si ato vendore ashtu edhe ndërkombëtare, garantojnë një siguri të plotë më 15 nëntor, përfshirë të gjitha komunat dhe vendbanimet pa përjashtim.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të angazhojë mbi pesë mijë policë për të siguruar procesin zgjedhor.

Drejtori i drejtorisë për planifikim dhe zhvillim në Policinë e Kosovës, Granit Fetahu, tha se në të gjitha vendet ku do të ketë fletëvotime dhe proces zgjedhor, do të ketë edhe pjesëtarë të policisë.

“Planifikimet për ditën ‘Z’, ditën e zgjedhjeve më 15 nëntor, kanë përfunduar. Policia është e angazhuar në kapacitet të plotë dhe do të angazhohen diku më tepër se 5 mijë policë”.

“Operacioni për datën 15, ditën ‘Z’, do të fillojë në orët e hershme mes datës 14 dhe 15 nëntor. Policia është e gatshme të sigurojë ambient të qetë dhe zgjedhje lokale të sigurta për qytetarët në përgjithësi”,
tha Fetahu.

Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit janë të parat në Kosovën e pavarur, të cilat organizohen nga institucionet vendase. Mbarëvajtja dhe suksesi i këtyre zgjedhjeve janë vlerësuar si testi i parë i demokracisë në Republikën e Kosovës.

Megjithatë, përveç organizimit, monitorimit e deri te numërimi i votave dhe pranimi i rezultateve, sfidë kryesore parashihet të jetë edhe pjesëmarrja e komunitetit serb, përderisa nuk janë të pakta edhe shqetësimet rreth pjesëmarrjes së shumicës, e cila nga zgjedhjet në zgjedhje ka shënuar rënie në përqindje.
XS
SM
MD
LG