Ndërlidhjet

Kontrabanda në rënie


Pika kufitare Jarinë
Pika kufitare Jarinë
Ekonomia ilegale në Kosovë, përkundër rënieve të shënuara gjatë këtij viti, që nga paslufta është rritur me ritëm të shpejtë dhe në masë të madhe ka penguar dhe çrregulluar tregun kosovar. Ekspertë të çështjeve ekonomike theksojnë se pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet vendi më kritik sa i takon kontrabandës.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, thotë se kontrabanda në vitin 2009, krahasuar me vitin e kaluar, është në rënie.

Sipas tij, tregues i kësaj rënieje është rritja e mbledhjes së taksave nga mallrat që hyjnë në Kosovë.

“Kontrabanda, në përjashtim të veriut, është e paraqitur - nuk e përjashtoj rastin që mund të jenë edhe rrugë të tjera - kryesisht në rrugë malore, në rrugë që quhen ‘kufiri i gjelbër’”.

“Kemi zonën e Pejës me Malin e Zi, një terren jashtëzakonisht i vështirë malor, ku kontrabandistët përdorin kuajt dhe gomarët”,
shpjegon Huruglica.

Produktet më atraktive, të cilat kontrabandohen në Kosovë, janë mallrat për të cilat paguhet akciza. Ndërkaq, kontrabandistët thuhet se e kanë më lehtë të kontrabandojnë naftën, alkoolin dhe duhanin.

Rruga më e mirë për të sjellë në Kosovë produkte që u shmangen taksave, mbetet kufiri me Serbinë. Por, dukuri të tilla thuhet se ndodhin edhe në kufijtë me shtetet tjera.

Shqetësuese në këtë aspekt është nëse malli, i cili arrin nga Serbia në veri të Kosovës, mund ta mbulojë të gjithë tregun kosovar, pa iu nënshtruar ndonjë kontrolli për cilësinë. Ato mallra, përveç që konsiderohen ilegale, mund të rrezikojnë edhe shëndetin e qytetarëve.

Eksperti për çështje ekonomike, Mejdi Bektashi, thotë:

“Ndoshta pjesa më neoraldike është pika kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, ku as qeveria e as EULEX-i nuk kanë ende kontroll të drejtpërdrejtë dhe çdo ditë nga buxheti i Kosovës humben së paku 1 milion euro apo ndonjë herë edhe më shumë”.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, thotë se është vështirë të jepet një vlerësim se sa humbje mund t’i kushtojë kontrabanda buxhetit të Kosovës.

Është shumë e vështirë të themi se sa është niveli i evazionit fiskal, por të hyrat dhe rezultatet që i kemi çdo vit, janë tregues se gjithnjë e më pak ka hapësirë për kontrabandë”.

“Nga viti 2006 deri më tani, brenda një periudhe kemi arritur t’i rrisim të hyrat për 50 për qind”,
thotë Huruglica.

Shmangia e taksave doganore, sipas kryetarit të Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike, Isa Mulaj, është një problem tjetër i theksuar.

“Veprimtaritë më të mëdha informale në Kosovë i udhëheqin pikërisht kompanitë e bizneseve që janë formalisht të regjistruara, paguajnë rregullisht tatimin, por ato e paguajnë një pjesë të tyre, ndërsa pjesën më të madhe e fshehin ose nuk e deklarojnë, duke i shfrytëzuar kanalet e ndryshme”, thekson Mulaj.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës është zotuar se nuk do të lejojë që pjesa veriore e vendit të bëhet oazë e krimit të organizuar dhe e kontrabandës.
XS
SM
MD
LG