Ndërlidhjet

logo-print


Në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë në Kosovë është shënuar rasti i parë i vdekjes nga virusi A/H1N1.

Lajmin e konfirmon për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i cili thotë se bëhet fjalë për një person të lindur më 1978, nga komuna e Drenasit, që në Klinikën Infektive në Prishtinë ishte shtruar para dy ditësh.

“Shenjat e para të sëmundjes te ky pacient janë paraqitur me datën 25 tetor. Ministria bën apel që në të gjitha rastet kur qytetarët vërejnë shenja të ngritjes së temperaturës, të paraqiten te mjeku, sepse, siç po shihet nga ky rast, ai është paraqitur shumë vonë te mjeku”.

“Krahas virusit A/H1N1, që është diagnostifikuar tek ai, ky i vdekur ka pasur edhe probleme të tjera shëndetësore që e kanë ndihmuar vdekjen”,
thotë Hoti, duke mos publikuar emrin për, siç thotë ai, shkaqe etike.

Përfaqësues të Komitetit Nacional për Sëmundje Ngjitëse në Kosovë, ndërkaq, bëjnë të ditur se shifrës së fundit zyrtare të të infektuarve me virusin A/H1N1 i janë shtuar njëmbëdhjetë raste të reja duke e çuar në 32 numrin total të të infektuarve.

Ndërkaq, 15 mostra të tjera të dyshimta, sipas tyre, janë në laborator prej nga së shpejti pritet të jepen rezultatet konkrete.

Zyrtarët nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se situata është nën kontroll dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës të mos krijojnë panik.

Sipas tyre, ka doza të mjaftueshme të barit Tamiflu, i cili përdoret për trajtimin e të infektuarve, kurse, siç shprehen ata, vaksinat pritet të arrijnë në Kosovë në dhjetor të këtij viti, e më së largu në janar të vitit të ardhshëm.

* * *

Kosovë - Serbi, edhe gripi i ndan


Numri i të infektuarve, apo të dyshuarve me gripin A/H1N1, ka shkuar në dhjetëra, por s’është i mjaftueshëm, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, për ta quajtur gjendjen epidemiologjike. Megjithatë, në disa pjesë të Kosovës gripi i derrit është shpallur zyrtarisht epidemi.

Bëhet fjalë për veriun dhe enklavat serbe në Kosovën qendrore, ku po zbatohet vendimi i Ministrisë serbe të Shëndetësisë, e cila para dy ditësh shpalli epideminë e gripit.

“Secili vendim i Qeverisë së Serbisë zbatohet nga institucionet shëndetësore në veri dhe enklava”, thotë drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë, Rada Trajkoviq.

Por, autoritetet kosovare thonë se numri i të prekurve me gripin A/H1N1 nuk ka arritur atë masë sa të shpallet epidemi. Ministria e Shëndetësisë kërkon nga qytetarët që të mos bëjnë panik.

Zëdhënësi, Faik Hoti, thotë se meqë gripi është shpallur pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), shtetet veç e veç nuk kanë nevojë që të shpallin epidemi.

“Rastet e të infektuarve nuk e kanë arritur treshifrorin, kështu që nuk është ndonjë gjendje alarmante dhe institucionet po ndërmarrin të gjitha masat, që janë në pajtim me rekomandimet që i ka dhënë OBSH-ja”,
thotë Hoti.

Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga Skënder Syla, shef i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë.

“Numri i rasteve është relativisht i ulët. Institucionet shëndetësore të Kosovës, së bashku me ato arsimore, në mbështetje edhe të OBSH-së, po ndjekin situatën për së afërmi dhe varësisht nga zhvillimi i ngjarjes, do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm”
, konfirmon Syla.

Edhe pse thonë se ekziston një sistem unik i shëndetësisë në Kosovë, autoritetet kosovare nuk marrin raporte nga mjekët serbë të veriut, apo të enklavave serbe.

Si rrjedhojë, edhe numri i të infektuarve vazhdon të jetë diskutabil, meqë shifrat që dalin nga autoritetet serbe të Kosovës, merren me rezerva nga Prishtina zyrtare.

Megjithatë, Faik Hoti kërkon që kjo çështje të mos politizohet.

“Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje që situata rreth gripit sezonal dhe atij pandemik të mos politizohet. Nuk ka nevojë që të krijohen relacione të ndryshme politike, për një çështje që është shëndetësore”.

“Bota po ballafaqohet me një pandemi dhe në këtë aspekt sistemi shëndetësor i vendit është unik, pavarësisht se dikush nuk raporton. Ne e shohim shëndetësinë tonë si shëndetësi komplete në tërë territorin”,
thekson Hoti.

Zëdhënësi Hoti sqaron se autoritetet shëndetësore serbe nuk raportojnë në Ministri. Por, medikamente apo vaksina kërkojnë.

Rada Trajkoviq deri më tash nuk i ka raportuar Prishtinës. Megjithatë, dërgimi i një kontingjenti me medikamentin Tamiflu në Graçanicë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, duket se ia ka ndërruar mendjen.

“Është e nevojshme, që të bashkëpunohet me institucione epidemiologjike në Prishtinë. Për mua nuk është problem që të raportoj edhe në Prishtinë edhe në Beograd, ose në Mitrovicën e veriut, në institucionin epidemiologjik për shëndetësi”,
thotë Trajkoviq.

Ndryshe, një pjesë e stafit shëndetësor serb merr paga nga buxheti i Kosovës, por edhe nga ai i Serbisë. Për çështje të minoriteteve, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë këtë vit 700 mijë euro, por jo e tërë kjo shumë është shfrytëzuar.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka ndërmend që kontingjentin e vaksinave kundër gripit A/H1N1, që do të vijnë si donacion nga OBSH-ja, t’ua shpërndajë të gjitha komuniteteve, pa dallim etnie. Ky kontingjent pritet të arrijë në dhjetor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG