Ndërlidhjet

Pse pengohet biznesi i vogël?


Sektori privat në Kosovë numëron 95 mijë ndërmarrje të vogla e të mesme. 93 për qind e tyre janë mikro-ndërmarrje që kanë të punësuar një deri në nëntë punëtorë.


Sektori privat, që në Kosovë konsiderohet si fusha kryesore për zhvillimin ekonomik në vend, ballafaqohet me probleme nga më të ndryshmet.

Kështu thotë Naser Graiçevci, udhëheqës i Agjencisë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

“Numri i pengesave është jashtëzakonisht i madh. Ne kemi të bëjmë prej pengesave elementare, që bizneset ballafaqohen gjatë aktivitetit të tyre”.

“Pra, kemi pengesa në komunikimin ndërkombëtar, është fjala për mungesë të vizave; do të thotë prej mungesës së njohjes së validitetit të dokumentacionit qytetar, e deri te problemet tjera që kemi, siç është mungesa e energjisë elektrike, që është ende e pranishme, pastaj është qasja në financa”,
shpjegon Graiçevci.

Edhe njohës të çështjeve ekonomike, vlerësojnë se zhvillimi i këtyre ndërmarrjeve është promotor kryesor i punësimit dhe zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit.

Dhe, për këtë arsye, sipas tyre, institucionet vendore duhet të krijojnë kushte më të favorshme për zhvillimin e ndërmarrjeve, duke i eliminuar barrierat, me të cilat po ballafaqohet sektori privat.

Kjo ngase ndërmarrjet në afarizmin e tyre po përballen me barriera të shumta, thotë eksperti Bedri Selmani.

“Të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në ekonominë kosovare janë duke u ballafaquar me problemin e akumulimit fillestar të kapitalit”.

“Ato të gjitha kanë hyrë në investime, kanë marrë kredi, të cilat janë të pavolitshme, sepse kamatat janë shumë të larta nga bankat afariste. Dhe, në këtë periudhë ende nuk kemi institucione financiare dhe banka, të cilat do ta përcillnin aktivitetin e tyre të zgjerimit”,
thekson Selmani.

Në anën tjetër, Naser Graiçevci pohon se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë vazhdimisht po angazhohet në realizmin e një sërë aktivitetesh, duke synuar, siç thotë ai, krijimin e një mjedisi më të favorshëm për zhvillimin e këtij sektori.

“Janë në zhvillim e sipër shumë projekte, që vërtet do ta ndihmojnë këtë ambient dhe do të jenë atraktive për investitorë, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit”.

“Një projekt që po zhvillohet nga Banka Botërore dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, ka për qëllim decentralizmin e shërbimeve të regjistrimit të bizneseve”.

“Komuniteti i biznesit më nuk do të ketë nevojë të vijë në ministri, por secili në komunën e vet mund ta regjistrojë biznesin, si dhe të bëjë aplikimin për leje dhe licenca, të cilat u nevojiten bizneseve”,
sqaron Graiçevci.

Edhe Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, gjatë këtij viti ka lansuar një projekt prej tre milionë eurosh, në mënyrë që t’i përkrahë këto ndërmarrje, respektivisht, siç është thënë, për të ri-ngjallur ekonominë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG