Ndërlidhjet

Futboll: Kosova pjesëmarrje ndërkombëtare?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Kosova do t’i parashtrojë FIFA-s argumentet juridike që i hapin rrugë përfshirjes së futbollit kosovar në garat ndërkombëtare. Takimi i radhës do të mbahet më 25 nëntor.



Federata e Futbollit të Kosovës, më 25 nëntor do të zhvillojë takimin e dytë zyrtar me drejtuesit e Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), ku do t’i parashtrojë argumentet juridike lidhur me mëvetësinë e saj si federatë dhe mundësitë për anëtarësim në këtë mekanizëm ndërkombëtar të futbollit.

Agim Ademi, nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), thotë se takimi do të zhvillohet në nivel sekretarësh, ndërkohë që në delegacionin kosovar do të ketë edhe ekspertë juridikë, të cilët janë njohës të mirë dhe të lidhur ngushtë me çështjen e futbollit kosovar.

“Sekretari gjeneral i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, do të takohet me Zheron Ualk, sekretar i FIFA-s dhe do ta sqarojmë në segmentin juridik që ne kemi qenë federatë, ose Lidhje Futbollistike e Kosovës, siç është quajtur atëherë, e cila ka qenë pjesë e Federatës së Jugosllavisë”.

“Pikënisja do të jetë nga aty ku federata e futbollit ka qenë element konstituiv edhe atëherë i Federatës së ish-Jugosllavisë dhe asnjëherë nuk ka qenë anëtare ose degë e Federatës së Serbisë”,
shpjegon Ademi.

Zoti Ademi thekson se Federata e Futbollit të Kosovës do t’ia shtrojë Federatës Botërore të Futbollit argumentin se futbolli kosovar ka qenë i shkëputur që nga viti 1989 nga Federata Jugosllave e Futbollit.

Gjatë viteve të nëntëdhjeta FFK-ja ka pasur organizim të veçantë, pavarësisht zhvillimit të futbollit në kushte të vështira dhe jashtë stadiumeve që u përkisnin klubeve të atëhershme, por që ishin nën masat e dhunshme të pushtetit.

Zoti Ademi shpreh mendimin se takimi i ardhshëm do të pasohet edhe me takime të tjera mes Federatës Botërore të Futbollit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, gjë që do të çojë drejt pranimit të futbollit kosovar në mekanizmat botërorë të këtij sporti.

“Falë kësaj lige, që e kemi mbajtur të veçantë, është vërtetuar që ne jemi të ndarë dhe ata s’kanë të bëjnë asgjë me ne dhe se do të sqarohet kjo pikënisje”.

“Neve na janë hapur rrugët dhe nga ky takim do të deponohen dokumentet dhe marrëveshja e nënshkruar mes FIFA-s dhe Federatës së Futbollit për çështjet praktike, ato teknike, si dhe përgatitjen e klubeve për pranim pjesëmarrjeje në kupën e UEFA-s dhe të FIFA-s”,
thotë Ademi.

Ndryshe, takimin e ardhshëm në mes të përfaqësuesve të FIFA-s dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës, e vlerësojnë të rëndësishëm edhe analistët e sportit.

Gani Kosumi, redaktor i redaksisë së sportit në “Radio Kosovë”, medium ky publik kosovar, thotë se takimi i paralajmëruar do të jetë një hap i mirë për avancimin e futbollit kosovar.

“Konsideroj se ky është një hap i mirë rreth avancimit të futbollit të Kosovës. Këtë e meriton futbolli i Kosovës”.

“Mendoj se FIFA i ka hapur rrugë futbollit të Kosovës dhe se në këtë drejtim ka argumente të mjaftueshme, sepse vite me radhë sportistët kosovarë janë diskriminuar pa dalë në arenën ndërkombëtare. Në këtë drejtim mendoj se do të vijnë ditë më të mira për futbollin e Kosovës”,
shprehet Kosumi.

Megjithëkëtë, sipas zotit Kosumi, institucionet e larta qeveritare të Kosovës, të cilat janë kompetente për përkujdesje ndaj sportit, Federata e Futbollit të Kosovës dhe klubet futbollistike, duhet t’i përvishen punës që inkorporomi i futbollit kosovar në zhvillimet botërore të këtij sporti, të mos i gjejë të papërgatitur.

“Kosova momentalisht nuk është e gatshme që të pranojë të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare, sepse nuk i plotëson as për së afërmi kushtet që i kërkon FIFA dhe UEFA”.

“Në këtë drejtim duhet menduar që sa më parë të rregullohet infrastruktura sportive, në mënyrë që të mos ketë më pengesa edhe nëse do të pranohen, me siguri duhet krijuar këto kushte për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare”,
thotë Kosumi.

Sido që të jetë, takimi i paralajmëruar për 25 nëntor, në mes FIFA-s dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, do ta pasojë takimin, që ndodhi më 5 nëntor në Cyrih të Zvicrës, në të cilin, pavarësisht ftesës, Federata e Futbollit të Serbisë, kishte refuzuar të marrë pjesë.
XS
SM
MD
LG