Ndërlidhjet

Tahiri: Testi demokratik për Kosovën


Ramush Tahiri
Ramush Tahiri

“Kosova duhet ta kalojë një test demokratik edhe para bashkësisë ndërkombëtare, se është e aftë të organizojë zgjedhje”, thotë në intervistë për Radion Evropa e Lirë analisti Ramush Tahiri.





RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Tahiri, çfarë rëndësie kanë zgjedhjet e sotme për Kosovën?

RAMUSH TAHIRI
Këto, edhe pse janë zgjedhje komunale dhe janë për kryetarë komunash, kanë rëndësi të jashtëzakonshme për disa arsye.

E para është se janë zgjedhjet që organizohen nga institucionet e Kosovës në të gjithë segmentin e tyre. E dyta është se me këto zgjedhje fillon edhe decentralizimi dhe krijimi faktik i komunave të reja.

Dhe, e treta është se Kosova duhet ta kalojë një test demokratik edhe para bashkësisë ndërkombëtare, se është e aftë të organizojë zgjedhje, t’i menaxhojë ato zgjedhje dhe t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas organizimeve të deritashme, a mund ta kalojë Kosova këtë test?

RAMUSH TAHIRI
Sipas organizimeve të deritashme, Kosova e kalon këtë test, sepse e ka organizuar më mirë se çdokund tjetër dhe fushata ka qenë korrekte, ka qenë përmbajtjesore. Gjithashtu edhe mediat e kanë luajtur rolin e vet.

Ajo që mua më brengos, është se ndonjëherë ne në finale dimë të dështojmë.

Derisa të përfundojë i gjithë procesi i numërimit të votave dhe i pranimit të rezultateve, jo i kontestimit, nëse shohim që nuk do të ketë eksese më të mëdha dhe nuk do të ketë nevojë për rivotim ose kontestim të rezultateve në ndonjë vendvotim, atëherë Kosova, si edhe zgjedhjet e deritashme, besoj se do t’i kalojë mirë.

Unë gjithashtu do të kisha pasur dëshirë që Kosova ta dëshmojë vetveten si gjatë gjithë kohës deri tash, sepse të gjithë këta që zgjidhen, janë njerëz të Kosovës dhe variacionet se a është më i mirë apo më i keq njëri ose a mund të punojë më shumë apo më keq njëri, përmbyllen në organizimin e politikave strategjike në nivel vendi.

Ne kemi një koalicion, i cili qeveris dhe ne kemi një program qeveritar, i cili zbatohet. Gjithashtu, ne kemi një synim, i cili është interes më i madh kombëtar, për integrime euroatlantike, sesa që është interesi partiak, e aq më keq po të vinte në shprehje ndonjë interes parcial krahinor.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe pse zgjedhje për pushtetin komunal, është folur shumë, ka qenë temë debati një ndikim në konfiguracionin aktual politik. Sa mendoni se në fakt do të ketë ndikim të tillë?

RAMUSH TAHIRI
Këto zgjedhje do të kenë ndikim në përmasat që partitë do të krijojnë një rirenditje të re, sepse, edhe pse janë zgjedhje lokale, secila parti, kur t’i mbledhë rezultatet nga komunat, e sheh numrin e përgjithshëm të përkrahësve të saj ose të votuesve për këtë parti.

Dhe, në këtë bazë, nëse ndërron konfiguracioni komunal, disa parti që kanë marrë rezultat më të mirë se që kanë pasur më herët, atëherë pretendojnë të jenë pjesë e qeverisjes ose të kërkojnë edhe zgjedhje të jashtëzakonshme.

Gjithashtu, nëse partnerët e koalicionit nuk e përsërisin këtë rezultat, por njëri ka rritje, ose tjetri ka ngritje, ose që të dy kanë rënie për shembull, atëherë kjo mund të shprehet negativisht dhe njëra palë të kërkojë të tërhiqet për të fituar në zgjedhjet e ardhshme, që me rregull do të ishin më 2011-ën, ose tjetra palë të kërkojë partnerë më kredibël, me të cilët mund të qeverisë vendin.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, këtë herë ka paralajmërime për dalje më të madhe të komunitetit serb në zgjedhje. Është edhe çështja e decentralizimit mbase që do t’i motivojë ata... Si e shihni ju këtë çështje?

RAMUSH TAHIRI
Kjo është çështje e mirë. Serbët janë qytetarë të Kosovës dhe gjithë orientimi ynë është që ata ta qeverisin vetveten në njësitet ku jetojnë, ose në komunat në të cilat jetojnë.

Tash, me decentralizim janë krijuar komunat e reja, të cilat dalin si rezultat i Pakos së Ahtisarit, por edhe i bisedimeve për statusin në Vjenë.

Do të ishte mirë që përqindja e pjesëmarrjes të jetë më e madhe, sepse sa më e madhe të jetë përqindja, aq më shumë zvogëlohet ndikimi i Serbisë dhe i strukturave paralele.

Ajo që është keq, është se në dy komuna, që janë Mitrovica e veriut dhe Parteshi, nuk janë krijuar kushtet që tash të mbahen zgjedhjet dhe aty parashihet të mbahen pas gjashtë muajsh.

Ndërsa, në komunat tjera në veri të Kosovës, që janë me shumicë etnike serbe, Serbia është deklaruar se serbët nuk duhet të dalin në zgjedhje dhe paralajmërimi i daljes në zgjedhje është i vogël dhe do të kemi telashe në konstituimin e organeve ose institucioneve, që do të përfaqësojnë pushtetin e Kosovës në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
XS
SM
MD
LG