Ndërlidhjet

KQZ mohon të ketë pasur incidente të mëdha


Prishtinë, 15 nëntor '09.
Prishtinë, 15 nëntor '09.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, ka mohuar të ketë pasur incidente të mëdha, duke thënë se të gjitha shkeljet megjithatë duhet të raportohen.

"Ne, për raste të manipulimeve eventuale, do të marrim vesh më vonë, kur të na vijnë ankesat, të cilat duhet t'i drejtohen Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, sepse ky komision është përgjegjës për të vendosur lidhur me këto”.

“Parregullsitë duhet të raportohen, duhet te shkruhen, kundërshtimet dhe ankesat, dhe ky institucion të merret me këto. Pasi që KZAP merr vendimet për ankesat, ne certifikojmë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve".

Partitë politike në Kosovë, të cilat po marrin pjesë në garën e sotme zgjedhore për pushtetin lokal, kanë paraqitur deri më tash disa vërejtje të tyre mbi procesin zgjedhor.


PDK


Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, në takim me gazetarët ka njoftuar se këtij subjekti politik i është thyer zyra në Deçan, ndërsa në fshatin Brod të Shtërpcës i është larguar një vëzhgues nga kjo qendër votimi.

Sipas Kuçit, këto janë raste sporadike, të cilat nuk e zbehin atmosferën festive të zgjedhjeve.

Kuçi ka ftuar edhe partitë tjera politike që të reflektojnë pozitivisht në këtë proces.


LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paraqitur të paktën katër ankesa për parregullsi gjatë procesit zgjedhor.

Shefi i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se ankesat kanë të bëjnë me vonesat e fillimit të procesit të votimit në një qendër votimi në Prizren dhe në një tjetër në Gjilan.

Tri ankesat tjera kanë të bëjnë me procesin zgjedhor. Sipas zyrtarëve të LDK-së, në disa qendra të votimit në Lipjan ka pasur parregullsi. Gjithashtu në fshatin Firaj të Komunës së Shtërpcës ka pasur shkelje teknike, ku, sipas LDK-së, kanë ardhur votues nga Maqedonia, duke tentuar të kryejnë procesin e votimit me dokumente false.

Zyrtarët e LDK-së kanë bërë të ditur se në fshatin Billuzhë të Prizrenit janë kërcënuar komisionarët dhe vëzhguesit e kësaj partie. Ata kanë thënë se në këtë rast kanë ndërhyrë Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it për të qetësuar situatën.


AAK

Shtabi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës gjithashtu ka ngritur shqetësimin për disa çështje, që, sipas zyrtarëve të këtij subjekti politik, kanë tendencë për ta dëmtuar AAK-në.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të këtij subjekti politik, Burim Ramadani, në qendrën e votimit në Poklek të Drenasit anëtarë të KKZ-së u kanë bërë presion vëzhguesve të AAK-së, duke i larguar dy prej tyre nga kjo qendër e votimit dhe më pas i kanë zëvendësuar me dy të tjerë nga një tjetër subjekt politik.

Sipas Ramadanit, një vëzhgues i AAK-së është larguar edhe në një pikë votimi në Gajret të Kaçanikut, ndërsa ka njoftuar se qendra e votimit në Gremnik të Klinës është transferuar në fshatin Sferkë të kësaj komune, me ç’rast është shkaktuar huti te votuesit.

Ramadani gjithashtu ka njoftuar se në pikën e votimit në Bervenik të Podujevës një kuti e votimit nuk ka qenë e siguruar mirë.


AKR

Edhe Aleanca Kosova e Re ka njoftuar se ka informacione për parregullsi, si rasti i shpërndarjes së materialeve propaganduese në kryeqytet afër qendrave të votimit nga PDK dhe LDK.

Zyrtarë të kësaj partie gjithashtu kanë thënë se në fshatin Novosellë, Komuna e Gjakovës, komisionarët e AKR-së kanë presion të vazhdueshëm nga komisionarët e njërit nga subjektet politike atje. Sipas tyre, edhe Nevruz Gjocaj nga AKR ka pësuar sulm fizik.

Në fshatin Berkoc, sipas zyrtarëve të kësaj partie, qytetarët votojnë nga dy-tre herë pa dokumente identifikimi dhe komisionarët e AKR-së dhe LDD-së janë nën presion të vazhdueshëm dhe të detyruar që të heshtin karshi këtyre parregullsive.


LDD

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Dardanisë Lulzim Zeneli, ka konfirmuar se kandidati i LDD-së për asamblenë e Skenderajt është sulmuar fizikisht nga Sami Lushtaku, kandidat i PDK-së për kryetar komune.

“Në fshatin Polac, kandidati i LDD-së për asamblenë komunale të Skenderajt, Veli Mziu është provokuar dhe është sulmuar fizikisht nga kandidati i PDK-së për kryetar komune, Sami Lushtaku. Për ketë rast dhe sulm fizik janë njoftuar edhe organet e policisë”, deklaroi Zeneli.

Ai ka theksuar se "pas orës 15:00 dhe me ramjen e territ afër vendvotimeve dhe brenda objekteve ku gjenden vendvotimet janë duke u pare militant te disa partive, të cilët në këtë mënyrë janë duke bërë presion në elektorat që të votojnë për partinë e tyre".

* * * * * * * * * *

DV: Probleme në procesin zgjedhor

Kreu i koalicionit "Demokracia në Veprim", Ismet Kryeziu, duke u bazuar në të dhënat nga vëzhguesit në terren, paraqiti disa probleme që, sipas tij, kanë cenuar procesin zgjedhor.

“Kemi tentativa të votimeve të dyfishta në disa vendvotime, ku kemi ngritje të tensioneve dhe pamudnësi të punës së komisionarëve apo edhe vëzhguesve. Këto vende që vlejnë të përmenden, janë: Banja e Malishevës, ku vërehet një tentativë e votuesve që nuk janë nga këto qendra të votimit, për të votuar; kemi Llaushën e Skënderajt, kemi Komogllavën e Komunës së Ferizajt".

"Vendet tjera ku mund të konkludojmë se ka tensione, janë: Badovci dhe Stublla e Gjilanit dhe në Vushtrri. Pra, këtu ka tentativa që të votohet disa herë dhe ka tensione të ngritura mes komisionarëve“,
tha Kryeziu.

* * *

Më herët, “Demokracia në Veprim” ka vënë në pah se parregullsi ka pasur edhe në hapjen e vendvotimeve që ndërlidhen me mungesë të materialeve për votim e ndërhyrje të komisionarëve te votuesit.

“Ne kemi hasur disa pengesa dhe disa incidente që kanë ndodhur në vendvotimet në Kosovë, por që janë të një karakteri që nuk mund të ndikojnë në procesin zgjedhor. Kemi pasur votime me vonesë, në Prizren, në Sreçkë, në Novosellë, në Ortakoll. Kemi vendvotime, që ende nuk janë hapur”.

“Kemi mungesë të materialeve në disa vende, p.sh. në Sreçkë s’ka pasur vulë, në Mitrovicë ka munguar llampa në disa vendvotime. Në të gjitha vendvotimet kemi mungesë të listës së kandidatëve brenda kutive të vendvotimeve”,
ka bërë të ditur Ismet Kryeziu.

Zoti Kryeziu ka njoftuar edhe për disa, siç i ka konsideruar ai, tensione nëpër qendrat e votimit.

"Në fshatin Brod të Shtërpces ka pasur disa tensione, me ç’rast policia ka qëndruar brenda vendvotimeve. Policia ka qëndruar brenda vendvotimeve, për shkak të tensioneve, edhe në Tusus të Prizrenit dhe në Prishtinë", ka thënë Kryeziu.

Ai ka vënë në pah edhe ndërhyrjet që një komisionar i një subjekti politik në Novosellë të Malishevës ka bërë mbi votuesit, duke i shtyrë ata që të votojnë për partinë e caktuar politike.
XS
SM
MD
LG