Ndërlidhjet

DV: Incidente të izoluara gjatë votimeve


Prishtinë, 15 nëntor 2009
Prishtinë, 15 nëntor 2009
Udhëheqës të koalicionit të OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, para pak çastesh, kanë mbajtur një takim me gazetarë, gjatë të cilit procesin e sotëm zgjedhor e kanë vlerësuar si kryesisht të qetë, të karakterizuar me disa incidente të vogla.

Një fenomen i ngritur nga ky koalicion, është edhe ai i votimit familjar, i cili më së shumti është paraqitur në rajonin e Mitrovicës dhe Prizrenit. Votimi familjar nënkupton kur një anëtar i një familjeje voton për anëtarët tjerë të familjes.

Votimi pa dokumente identifikimi gjithashtu është ngritur si shqetësim nga “Demokracia në Veprim”, si dukuri më e shfaqur në Gjilan, Malishevë dhe Mitrovicë.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka vlerësuar se zgjedhjet e sotme lokale janë zhvilluar në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë incident që do të ndikonte në mënyrë thelbësore në procesin e zgjedhjeve.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, ka thënë se ka pasur incidente të vogla gjatë ditës, por jo me ndikim në zgjedhje.

“Kemi pasur disa incidente gjatë ditës, të vogla, të cilat nuk kanë afektuar direkt në procesin zgjedhor. Incidente që janë cilësuar si minore nga Policia e Kosovës dhe ka pasur nevojë për intervenime të vogla. Pastaj, gjendja ka qenë e qetë”, ka thënë Sadriu.

Ai ka përmendur incidentin në Zubin Potok, ku një grup prej 70 personash ishte tubuar afër një ekipi mobil të votimit të KQZ-së, por që ishte shpërndarë për pak kohë.

Sadriu ka siguruar se Policia e Kosovës do të bartë materialin e ndjeshëm zgjedhor, përkatësisht kutitë e votimit nga komunat përkatëse në qendrën kryesore të numërimit.

“Sipas planit të Policisë së Kosovës për zgjedhjet, Policia e Kosovës është e kyçur në bartjen e materialit sensitiv apo materialit zgjedhor. Deri tani, në bazë të informacioneve që i kemi, çdo gjë është duke shkuar në rregull”, ka thënë Sadriu.

Koalicioni “Demokracia në Veprim” po ashtu ka deklaruar se incidentet e raportuara gjatë ditës, janë të izoluara dhe nuk kanë ndikuar në procesin e përgjithshëm zgjedhor.

Ky koalicion i OJQ-ve që ka monitoruar procesin e votimit, ka raportuar gjatë ditës për parregullsi, ndër të tjera për votimet e dyfishta, ndërhyrjet e komisionarëve te votuesit apo mungesën e materialeve për votim.

Kryetari i “Demokracisë në Veprim”, Ismet Kryeziu, ka vlerësuar rrjedhën e votimit të qetë.

“Gjatë monitorimit tonë, kemi hasur në disa incidente apo tentime për të ndikuar në procesin zgjedhor. Si ‘Demokraci në Veprim’ vlerësojmë se ato kanë qenë të izoluara dhe se nuk e kanë ndikuar procesin”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai është shprehur i kënaqur me pjesëmarrjen e qytetarëve, por në përgjithësi edhe me procesin.

“Mendoj se pjesëmarrja në këto zgjedhje, në bazë të të dhënave që kemi, ka një trend mbi 40 për qind. Jemi në pritje për të konfirmuar saktësisht numrin e pjesëmarrjes”, ka thënë Kryeziu.

Zgjedhjet e sotme lokale u vëzhguan nga 2,400 vëzhgues të pavarur të “Demokracisë në Veprim”, nga 1,230 vëzhgues të huaj dhe mijëra vëzhgues të partive politike.
XS
SM
MD
LG