Ndërlidhjet

Partitë: Me gjithë akuzat, zgjedhje të suksesshme


Prishtinë, 15 nëntor 2009.
Prishtinë, 15 nëntor 2009.

Me akuza dhe kritika të ndërsjella, partitë politike në Kosovë i vlerësuan zgjedhjet lokale si të suksesshme dhe me standarde demokratike.


Me disa vërejtje rreth disa parregullsive, partitë politike në Kosovë i vlerësojnë të suksesshme zgjedhjet e sotme komunale.

Konkluzion i përbashkët i të gjitha partive kryesore politike është se procesi i sotëm ishte i rregullt.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, veçon si incident më të rëndë një sulm në një zyre të PDK-së në Deçan. Sidoqoftë, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, thotë se zgjedhjet e sotme ishin demokratike dhe shembull i organizimit të mirë.

“PDK i konsideron këto zgjedhje si shumë demokratike, të standardeve të larta evropiane, që kanë treguar një pjekuri të rrallë politike të popullit të Kosovës, për një shembull të mirë politik edhe për Kosovën, edhe për rajonin dhe, njëkohësisht, për zhvillimin dhe shkallën e demokracisë në vend”.

“Zgjedhjet e para demokratike, të cilat janë mbajtur në Kosovën e lirë e të pavarur kanë treguar se në Kosovë po zhvillohet demokracia, liria, por edhe diçka që ka fituar me pjekurinë politike të qytetarëve”,
thekson Kuçi.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës i vlerëson zgjedhjet të rregullta, kurse ankesat kryesore i adreson te PDK-ja.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se këto probleme, megjithatë nuk kanë ndikuar në procesin e tërësishëm të zgjedhjeve.

“Ka qenë një ditë e mirë për Kosovën, një fillim i mbarë, hiq disa probleme teknike në mëngjes, me të cilat janë ballafaquar në kuadër të menaxhimit të procesit dhe disa presioneve të vogla që disa zyrtarë të PDK-së dhe partive tjera, si një Lipjan, apo në lagjen ‘Tusus’ të Prizrenit, ku tre kandidatë të PDK-së kanë hyrë në qendrën e votimit dhe me prezencën e tyre kanë ndikuar. Mendoj se procesi po mbyllet suksesshëm”, thotë Haziri.

Ndërkohë, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës akuzon Partinë Demokratike të Kosovës. Sekretari i saj i përgjithshëm, Burim Ramadani, thotë se këto veprime janë ndërmarrë me qëllim të frikësimit të votuesve, me ç’rast ai përmendi Prizrenin, Kaçanikun, Mitrovicën, Klinën e Lipjanin.

“Gjendja më e rëndë paraqitet në Prizren, ku në lagjen ‘Tusus’, njerëz të PDK-së kanë hyrë me armë në dy klasë. Komisionarët e AAK-së janë detyruar ta lëshojnë klasën. Policia dhe KQZ-ja janë njoftuar për këtë rast. Në Mitrovicë vazhdon presioni duke përfshirë edhe pjesëtarë të caktuar të PDK-së”, pohon Ramadani.

Këto akuza të LDK-së dhe AAK-së, në mbrëmje u hodhën poshtë nga nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, i cili thotë se personat që kanë hyrë në atë qendër votimi në Prizren, nuk janë zyrtarë, e as anëtarë të PDK-së.

Ndërkaq, Aleanca Kosova e Re, ndonëse me disa vërejtje, konsideron se procesi ka ecur në përgjithësi mirë.

Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli, thotë se kjo parti politike ka adresuar disa ankesa, por, sipas tij, mbetet të shihet nëse këto parregullsi kanë ndikuar në rezultatet finale nëpër komuna.

Një prej subjekteve që ka adresuar më shumë ankesa gjatë ditës është Lidhja Demokratike e Dardanisë.

Sekretari i saj i përgjithshëm, Lulëzim Zeneli, thotë se ka pasur tendenca të ndikimit të partive rivale te votuesit dhe kjo ishte manifestuar sidomos pas orës 16:00.

Megjithatë, edhe LDD e vlerëson të suksesshëm procesin zgjedhor.

“LDD e vlerëson pozitivisht ditën e sotme të votimeve, duke përjashtuar në këtë rast informatat, të cilat vijnë nga tereni për disa defekte teknike në disa qendra votimi dhe në disa vendvotime”, thotë Zeneli.

Sidoqoftë, pas procesit të votimit dhe vlerësimeve për suksesin e zgjedhjeve, tani pason një proces tjetër po aq i rëndësishëm - ai i numërimit të votave dhe publikimit dhe pranimit të rezultateve të zgjedhjeve të para komunale në Kosovën e pavarur.
XS
SM
MD
LG