Ndërlidhjet

KQZ me rezultate të pjesshme


Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta.
Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare të votimeve vetëm në nëntë komuna të vogla të Kosovës. Një pasqyrë më e plotë e rezultateve pritet në mbrëmjen e së hënës.



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka arritur të shpallë rezultatet preliminare për komunat kryesore të Kosovës, edhe pse një gjë të tillë ka premtuar se do ta bënte pak orë pas mbylljes së vendvotimeve.

Pas shtyrjeve të njëpasnjëshme të shpalljes së rezultateve preliminare, KQZ-ja, pas orës 4 të mëngjesit, ka bërë të ditur rezultatet vetëm për nëntë komuna të vogla të Kosovës.

Sipas KQZ-së, Komunën e Klinës e ka fituar kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, i pasuar nga ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por pa sqaruar nëse duhet raund i ri zgjedhor.

Në Obiliq ka fituar kandidati i PDK-së, i pasuar nga ai i LDK-së. Në Junik prin AAK-ja, ndërsa në Dragash PDK-ja.

Në Mamushë udhëheq kandidati i Partisë Demokratike Turke. Ndërsa, në Ranillugë, komunën e re të banuar me shumicë serbe, udhëheq kandidati i Iniciativës Qytetare për Komunën e Ranillugut.

Në Shtime, sipas KQZ-së, fiton sërish PDK-ja, ndërsa në Han të Elezit prin kandidati i pavarur, Rufki Suma. Në Leposaviq prin kandidati i AAK-së.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka shpjeguar mbi pamundësinë e shpalljes së rezultateve për komunat e mëdha.

“Ne nuk kemi pasur kohë të mjaftueshme që të përgatisim rezultate për të gjitha, andaj kemi punuar intensivisht dhe kemi arritur që t’i bëjmë këto rezultate”, është shprehur Lushta.

Por, rezultate preliminare për katër komuna tjera ka dhënë rrjeti i Organizatave Joqeveritare “Demokracia në Veprim”.

Sipas këtij rrjeti, në Suharekë prin AAK-ja, në Malishevë PDK-ja, në Podujevë fiton pa balotazh LDK-ja, ndërsa Graçanicën do ta drejtojë Bojan Stojanoviq.

Ismet Kryeziu, udhëheqës i "Demokracisë në Veprim"
Drejtuesi i koalicionit “Demokracia në Veprim”, Ismet Kryeziu, dha të dhëna të detajuara për secilën komunë:

“Në Malishevë, sipas rezultateve për kryetar të komunës, me 50.09 për qind avancon PDK-ja, LDK-ja me 34.43 për qind. Në Suharekë, PDK-ja ka 31.8 për qind, LDK-ja ka 31.30 për qind, AAK-ja 35.59 për qind”.

Sipas “Demokracisë në Veprim”, Komunën e Podujevës e ka fituar pa balotazh Lidhja Demokratike e Kosovës, përkatësisht kandidati Agim Veliu.

Ndërsa, komunën e re me shumicë serbe, të krijuar tash, Graçanicën, sipas rezultateve të “Demokracisë në Veprim”, do ta drejtojë kandidati serb, Bojan Stojanoviq, i cili ka marrë 57.41 për qind të votave.

Ndryshe, rezultatet preliminare, pas mbylljes së vendvotimeve, i kanë shpallur edhe partitë politike.

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se ka fituar në 20 komuna të Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi, që drejton këtë parti, ka thënë se ndër qendrat e mëdha, PDK-ja ka fituar në Prizren, Mitrovicë, Gjilan e Ferizaj.

Ndryshe, kryeministri Hashim Thaçi ka falënderuar dhe uruar edhe subjektet tjera politike për fushatën e bërë gjatë katër javëve të fundit.

“Urime të gjitha partive politike, urime të gjithë kryetarëve të zgjedhur të të gjitha partive politike. Faleminderit të gjithëve për fushatën e qetë, të lirë dhe demokratike”,
ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas nënkryetarit Lutfi Haziri, ka fituar bindshëm në kryeqytet.

“LDK-ja ka shënuar fitore të madhe në Prishtinë. Kryeqyteti ka dominuar me votë absolute”, ka thënë Haziri.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se ka fituar që në raundin e parë në 4 komuna, ndërsa në 10 të tjera do të shkojë në balotazh.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se përveç tri komunave që ka udhëhequr deri më tash, Pejës, Gjakovës, Deçanit, ka fituar edhe në komunën e katërt, në Junik.

Ndërkohë, partitë tjera, Aleanca Kosova e Re dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, kanë kritikuar subjektet politike që kanë dalë me rezultate para se ato t’i shpallte Komisioni Qendror Zgjedhor.
XS
SM
MD
LG