Ndërlidhjet

Kosova kaloi testin e demokracisë


Prishtinë, 15 nëntor '09.
Prishtinë, 15 nëntor '09.

Kosova ka kaluar me sukses testin e parë të demokracisë me organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve, kanë thënë përfaqësues të lartë vendorë e ndërkombëtarë.



Udhëheqës të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare kanë përgëzuar subjektet politike, qytetarët dhe organizmat tjerë që kontribuuan në organizimin e zgjedhjeve të djeshme komunale, të cilësuara tashmë si të lira e demokratike.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se Kosova e kaloi testin e parë të demokracisë me organizimin e suksesshëm të këtyre zgjedhjeve.

“Është një provim i dhënë për zhvillimin e demokracisë në Kosovë dhe ecjen tonë si vend dhe, natyrisht, për stabilitetin e qëndrueshëm të punës së institucioneve të vendit”, ka thënë Sejdiu gjatë një konference për media.

Presidenti Sejdiu megjithatë nuk e ka fshehur edhe befasinë e tij me shpejtësinë e publikimit të rezultateve zgjedhore nga ana e KQZ-së duke besuar se reagimi i këtij trupi do të duhej të ishte më i shpejtë.

“T’ju them të drejtën unë kam pritur të ketë komunikim më të hershëm të rezultateve. Mendoj se duhet një urgjencë më tepër. Por, duhet ta them se është përvoja e parë e këtij trupi që të punojë si i pavarur vetë”.

“Me rëndësi është që të ketë objektivitetin, edhe pse të ketë shpejtësinë të reagojë si i pari, po ashtu është tepër e nevojshme”, ka thënë presidenti kosovar.

Sejdiu ka falënderuar edhe monitoruesit vendorë e ndërkombëtarë, për kontributin e dhënë për mbarëvajtjen e procesit.

Presidenti i Kosovës ka përshëndetur edhe pjesëmarrjen e serbëve të pjesës qendrore në zgjedhjet lokale, përderisa për komunat me shumicë serbe në veri, ka thënë se do të veprohet në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe në harmoni me ligjin se si do të instalohet qeverisja lokale atje.

“Një është e sigurt, strukturat paralele nuk do të legjitimohen”, ka theksuar presidenti Sejdiu.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se zgjedhjet e para komunale në Kosovën e pavarur, dëshmuan se Kosova është kampione në rajon për organizimin e zgjedhjeve të lira e demokratike.

“Secili shtetas i Republikës së Kosovës duhet të ndihet shumë krenar për suksesin e shtetit tonë, për suksesin që arritëm në zgjedhjet lokale, të parat në Kosovën e pavarur; një organizim i shkëlqyeshëm”.

“E kam thënë edhe më parë dhe e them edhe sot se Kosova u dëshmua si kampion i demokracisë në rajon”, ka thënë Thaçi.

Organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve e ka përshëndetur edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

“Votuesit e Kosovës, politikanët e saj dhe zyrtarët e ngarkuar me organizimin dhe udhëheqjen e zgjedhjeve i kanë treguar botës se një Kosovë e pavarur është një vend ku demokracia mund të lulëzojë”, ka thënë ambasadori Dell, nëpërmjet një komunikate për opinion.

Ambasadori Dell i ka inkurajuar kosovarët që të mbeten të angazhuar në numërimin e fletëvotimeve dhe shpalljen e rezultateve.

Ai u ka shprehur lëvdata edhe serbëve që morën pjesë në votime, duke i përgëzuar për guximin.

“Në mënyrë të drejtë ju e pranuat se zgjedhjet ju japin një mundësi unike për të formësuar ardhmërinë tuaj dhe ardhmërinë e komuniteteve tuaja”, ka theksuar Dell, duke ofruar edhe njëherë mbështetjen e Qeverisë amerikane për realizimin e premtimeve të dhëna për këtë komunitet.

Ndërkohë, edhe disa nga partitë politike tashmë kanë dhënë komentet e tyre për procesin e djeshëm zgjedhor.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndonëse me disa vërejtje, e ka cilësuar procesin të rregullt. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kjo parti ka shënuar rritje si në numrin e komunave që udhëheqë, ashtu edhe në numrin e tërësishëm të votave që ka marrë në këto zgjedhje.

“Prijmë apo jemi partia e parë në Suharekë, në Gjakovë, në Deçan, në Junik, në Pejë edhe për simbolikë, dy komuna të veriut, në Albanik ose Leposaviq dhe Boletin ose Zveçan. Pastaj jemi partia e dytë dhe shkojmë në balotazh në katër komuna të Kosovës, këto janë Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Istog”, është shprehur Haradinaj.

Përderisa partitë tjera politike kanë pasur vërejtje, por nuk e kanë kontestuar rezultatin e zgjedhjeve, Aleanca Kosova e Re, e cila në zgjedhje komunale hyri në koalicion me Lidhjen Demokratike të Dardanisë, e kontestoi sonte rezultatin e zgjedhjeve në Gjakovë.

Kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli, ka thënë se kandidatja e AKR-së, Mimoza Kusari – Lila ka humbur pasi që kishte vjedhje votash, kështu që ai ka theksuar se një rezultat të tillë nuk mund ta pranonte.

“Si parti e tolerancës, ne po frenojmë tani që qytetarët e Gjakovës që të mos dalin në rrugë. Ne besojmë tek institucionet, por nëse institucionet nuk japin drejtësi, ju them se qytetarët nuk do të pranojnë të rrinë duarkryq. Në një rast të tillë, ne nuk marrim asnjë përgjegjësi”, ka thënë Pacolli.

Në mbrëmjen e së dielës, duke u bazuar në të dhënat e subjektit të tij politik, fitoren në 20 komuna të Kosovës e ka shpallur edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkaq e ka festuar fitoren në Prishtinë, duke besuar se do të shënojë edhe disa fitore në balotazh.



XS
SM
MD
LG