Ndërlidhjet

Ahmeti: Epilogu i zgjedhjeve dobëson koalicionin


Shpend Ahmeti, udhëheqës i Institutit "GAP"
Shpend Ahmeti, udhëheqës i Institutit "GAP"

“Parashikimi im është që në vitin 2010 do t’i kemi këto zgjedhje”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Shpend Ahmeti, udhëheqës i Institutit për Studime të Avancuara “GAP” .






RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, çka nënkupton epilogu i zgjedhjeve lokale, ndryshon ose jo diçka në konfiguracionin politik?

SHPEND AHMETI

Fillimisht e kemi parë se a i kemi kaluar disa teste si Kosovë. E para ka qenë se a do të organizojmë zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, mirëpo më me rëndësi, të qeta, pa incidente.

Pastaj, kanë qenë ato pyetjet për pjesëmarrjen e votuesve në Kosovë, domethënë pjesëmarrja e serbëve dhe mendoj se në të gjitha këto ka pasur një notë kaluese, ka pasur numër të vogël incidentesh, d.m.th. incidente të izoluara. Po ashtu, ka qenë një ditë relativisht e qetë.

Pjesëmarrja e popullatës ka qenë e kënaqshme, e më me rëndësi ka qenë pjesëmarrja e kënaqshme e popullatës serbe, që për herë të parë në aso numri kanë dalë dhe kanë votuar në zgjedhjet e Kosovës. Në fund të fundit, secila parti doli me deklarata si fituese.

Unë mendoj që shumica e partive në mos krejt, kanë humbur diçka, mirëpo edhe kanë fituar diçka dhe tani vetëm i hapin dyert për motive të reja për caqet e reja që secila parti i ka.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush, kushtimisht, është fitues, e kush është humbës?

SHPEND AHMETI

Nëse fillojmë prej partisë kryesore, Partisë Demokratike të Kosovës, në qoftë se ata e gjejnë fitoren në faktin se, sipas të gjitha gjasave, prapë do ta kenë numrin më të madh të komunave prej të gjitha partive tjera, humbjen e kanë në faktin që një pjesë e madhe e komunave që ata i kanë pasur, mund të shkojnë në balotazh apo janë të siguruara, ose janë të rrezikuara nga partitë e tjera.

Nëse e shohim Lidhjen Demokratike të Kosovës, ata e kanë fituar Prishtinën me më shumë se 50 për qind të votave që në raundin e parë, e që nuk është pritur. Mirëpo, kanë shënuar rënie shumë të madhe në Gjakovë, Pejë, në disa prej qyteteve të mëdha. Në Prizren, për shembull, janë kandidatë seriozë.

Po ta shohim Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ndoshta është fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve. Nëse konfirmohet se zoti Pal Lekaj e ka fituar Gjakovën dhe në qoftë se i kanë mbajtur këto tri komuna që i kanë pasur dhe po pretendojnë edhe tri komuna tjera, atëherë për ta është një rritje.

Ndërsa, kemi pasur edhe një rritje të AKR-LDD ( Aleanca Kosova e Re- Lidhja Demokratike e Dardanisë), që më shumë e kisha quajtur rritje të AKR-së, sesa të LDD-së, mirëpo është rritje e koalicionit që i bën ata pretendentë në tri apo katër komuna, varësisht se çka ndodh me Gjakovën.

Domethënë, secila parti mund të kërkojë tash që të mbahen zgjedhjet e përgjithshme, sepse në një mënyrë, apo tjetrën, secila po e sheh shansin e madh pikërisht nga këto zgjedhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur akuza dhe kundër-akuza gjatë fushatës zgjedhore, sidomos mes partnerëve të koalicionit. Ky trend, rezultat, a e forcon, apo e dobëson koalicionin qeverisës?

SHPEND AHMETI

Në fakt e ka dobësuar, siç edhe e kanë thënë të gjithë, edhe pse të dy partitë thonë se ajo ishte strategji zgjedhore lokale, se duhet t’i konsiderojmë ndaras zgjedhjet lokale me koalicionin qeverisës në qendër.

Mirëpo, unë mendoj se ajo nuk vlen, për shkak se, po e marrim vetëm rastin e Prishtinës, zoti Mustafa e ka bazuar fushatën komplet, përveç në projektet e tij, në akuzat që i ka pasur ndaj Qeverisë qendrore që e ka sabotuar atë në punën dyvjeçare dhe kjo shënoi një rritje të elektoratit për LDK-në në Prishtinë.

Nëse ajo ka qenë arsyeja kryesore, atëherë nuk është e logjikshme që LDK-ja të mos vazhdojë me atë strategji, sepse po tregon rezultate dhe, thjesht, është ofendim ndaj qytetarit në qoftë se vazhdon ta akuzosh qendrën, mirëpo në anën tjetër je pjesë e koalicionit qeveritar në qendër, e cila të ka sabotuar si kryetar komune.

Prandaj, të dy partitë duhet të ulen tani dhe të rimendojnë strategjinë e tyre për qeverinë qendrore, edhe PDK dhe LDK, që të shohin nëse u kontribuon atyre si parti që të vazhdojnë të jenë në koalicion, apo të dyja duhet ta shohin fatin ndaras, siç e provuan edhe në këto zgjedhje, sepse, kujtojmë, të gjithë mendojnë se ky koalicion nuk ishte koalicion natyral që nga fillimi kur është krijuar.

Tash, shtrohet pyetja se a duhet të vazhdojë me këtë martesë të pakonsumuar, siç po e quajmë.

RADIO EVROPA E LIRË
A nënkupton kjo zgjedhje të parakohshme, siç e përmendët edhe më herët, apo thjesht ndryshim i partnerëve të koalicionit?

SHPEND AHMETI
Edhe në qoftë se rezulton me ndryshim të partnerëve të koalicionit, ajo nuk mund të vazhdojë kështu deri në vitin 2011, sepse po qe se ka një rikonfigurim, apo rënie të kësaj qeverie, unë mendoj se nuk mund të punojmë në bazë të atij kuvendi që e kemi zgjedhur para pavarësisë dhe tani në bazë të votave të atij kuvendi që është zgjedhur atëherë, të bëjmë qeveri të reja, apo të kërkojmë numrin 61 që kërkohet në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Unë mendoj se këto zgjedhje kanë treguar se ka një ndryshim në ambientin politik në Kosovë. Dhe, nëse bie qeveria, atëherë ne shkojmë në zgjedhje të parakohshme.

Sipas të gjitha gjasave, parashikimi im është se në vitin 2010 do t’i kemi këto zgjedhje. Por, pyetja është vetëm a do t’i kemi në vjeshtë, apo ndoshta edhe më herët.
XS
SM
MD
LG