Ndërlidhjet

KQZ shpall rezultatet preliminare


 Nesrin Lushta
Nesrin Lushta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rezultatet preliminare për zgjedhjet lokale. Prishtinën e fiton LDK, Ferizajn-PDK, Gjakovën-AAK. Prizreni, Peja, Mitrovica dhe Gjilani shkojnë në balotazh.




Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka publikuar në mbrëmjen e së hënës rezultatin preliminar të zgjedhjeve lokale.

Janë 16 komuna, në të cilat subjektet politike fituan që në raundin e parë.

Nga qendrat e mëdha, Prishtinën e fiton pa balotazh Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës fiton në Ferizaj, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fiton në Gjakovë.

Në katër qendrat tjera të mëdha, Prizren, Pejë, Mitrovicë e Gjilan shkohet në balotazh.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka theksuar se rezultatet janë preliminare dhe mund të pësojnë ndryshime, meqë nuk janë llogaritur votat me kusht.

Ajo ka publikuar rezultatet për secilën komunë veç e veç.

“Në Prishtinë - Isa Mustafa nga LDK-ja ka fituar 56.6 për qind, Besnik Tahiri nga AAK-ja 5.4 për qind, Astrit Salihu nga PDK-ja 11. 9 për qind dhe Vegim Gashi nga AKR-ja 22.2 për qind. Pjesëmarrja elektorale ka qenë 46.76 për qind”, ka thënë Lushta, gjatë takimit me gazetarë.

Ferizaj është fituar nga kandidati i PDK-së, Bajrush Xhemajli.

“Në Ferizaj Naim Ferati nga AKR-ja ka fituar 16.2 për qind të votave, Milazim Haliti nga LDD-ja 16.0 për qind, Faik Grainca nga LDK-ja 11.5 për qind, Bajrush Xhemajli nga PDK-ja 50.5 për qind. Pjesëmarrja e votuesve ka qenë 44.77 për qind”, ka njoftuar Lushta.

Kurse, kandidati i AAK-së, Pal Lekaj ka fituar në Gjakovë, i pasuar nga kandidatja e AKR-LDD-së, Mimoza Kusari - Lila.

“Fehmi Vula 4.5 për qind, Mimoza Kusari-Lila nga AKR-ja 40.7 për qind, Pal Lekaj nga AAK-ja 52.8 për qind. Pjesëmarrja ka qenë 49.49 për qind”, ka theksuar Lushta.

Në Prizren dhe në Gjilan do të mbahet raundi i dytë zgjedhor, në të cilin do të garojnë kundrejt njëri-tjetrit kandidatët e PDK-së dhe LDK-së.

Ndërsa, në Mitrovicë do të hyjë në balotazh PDK-ja me AKR-në.

Kurse, në Pejë në balotazh shkojnë kandidatët e AAK-së dhe LDD-së.


Fitorja pa balotazh e subjekteve politike në komunat më të vogla

Partia Demokratike e Kosovës, përveç në Ferizaj, fiton pa balotazh edhe në Gllogovc, Skënderaj, Shtime dhe Zubin-Potok.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës pa balotazh, përveç kryeqytetit, fiton edhe në Fushë-Kosovë dhe në Podujevë.

Kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përveç Gjakovës, kanë fituar pa balotazh edhe në Deçan, Leposaviq dhe Zveçan.

Ndërsa, Partia Demokratike Turke e Kosovës ka fituar, që në raundin e parë në Mamushë.

Përfaqësuesit serbë kanë fituar në raundin e parë në tri komunat e reja, në Kllokot, Graçanicë dhe në Ranillugë.


Balotazhi në komunat më të vogla

Partia Demokratike e Kosovës shkon në balotazh me Lidhjen Demokratike të Kosovës në Malishevë, Dragash, Lipjan, Obiliq, Rahovec.

Lidhja Demokratike e Kosovës shkon në balotazh me AAK-në në Istog, dhe Junik.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë shkojnë në balotazh në Viti.

Mes PDK-së e AAK–së gara për kryetarë komune do të zhvillohet në Klinë, Kacanik, Vushtrri dhe Suharekë.

PDK dhe LDK do të garojnë për Kamenicën.

LDK do të jetë në garë me Partinë Nacional-Demokate Serbe për të fituar Novobërdën.

Ndërsa në komunën tjetër të përzier etnikisht Shtëprcë, garon në raundin e dytë Partia Liberale Serbe kundër PDK-së.

PDK do të garojë kundër kandidatit të pavarur Rufki Suma në Han të Elezit.

KQZ nuk ka bërë të ditur se kur do të shpallen rezultatet përfundimtare, por njoftoi se një gjë e tillë do të bëhet pas numërimit të votave me kusht.
XS
SM
MD
LG