Ndërlidhjet

Tri komunat në veri pa pushtet


Leposaviq
Leposaviq

Pas bojkotit të zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit në tri komunat në veri të Kosovës, të përbëra nga shumica serbe, institucionet e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare thonë se janë në kërkim të gjetjes së një zgjidhjeje se si do të instalohet pushteti lokal atje. Analistët, ndërkaq, propozojnë formimin e këshillave të përkohshëm qeverisës në veri.


Zgjedhjet komunale në Kosovë janë vlerësuar tashmë të suksesshme, por ato, megjithatë, kanë dështuar sërish në tri komunat veriore, ku shumicën e përbën pakica serbe.

Në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, përqindja e pjesëmarrjes ishte shumë e ulët, kështu që pavarësisht se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi qind për qind në dy prej këtyre komunave dhe Partia Demokratike e Kosovës në njërën, pjesëmarrja e ulët atje nuk premton ngritjen e institucioneve të zgjedhura lokale.

Analistët u propozojnë institucioneve të Kosovës që atje të vendosin mekanizma të përkohshëm.

Ilir Deda, drejtor i KIPRED-it, thotë se strukturat ilegale serbe, përmes kërcënimeve e pamundësuan pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, kështu që, sipas tij, mundësia e parë është krijimi i këshillave të përkohshëm lokalë.

“Qeveria e Kosovës duhet të themelojë këshilla të përkohshëm për qeverisje lokale në veri të Kosovës, që të mund t’u ofrojë shërbime qytetarëve të Kosovës në veri dhe simbolikisht të tregojë edhe prezencën e institucioneve të Kosovës në veri të lumit Ibër, duke marrë parasysh se procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë do të fillojë më 1 dhjetor”, thotë Dedaj.

Në anën tjetër, institucionet e Kosovës kërkojnë një koordinim më të mirë me faktorin ndërkombëtar për hapat që do t’i ndërmarrin në veri të Kosovës.

Presidenti Fatmir Sejdiu mohon se atje do të legjitimohen organe jo të ligjshme, të cilat i mbajnë lidhjet e shkëputura me Prishtinën, ndërkaq funksionojnë në kuadër të sistemit paralel të organizuar nga Serbia.

“Do të veprohet sipas ligjit. Ne do të kemi konsulta, meqë në atë pjesë kemi edhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të ICO-së dhe EULEX-it. Do të konsultohemi mirë dhe veprojmë sipas ligjit, absolutisht. Një gjë është e qartë - strukturat paralele nuk do të legjitimohen asnjëherë”, thotë presidenti Sejdiu.

Lidhur me këta hapa të koordinuar të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) thotë se së pari duhet pritur përfundimin e plotë të procesit zgjedhor dhe certifikimin e rezultatit, para se të shkohet me hapat për komunat në veri.

Zëdhënësi i ICO-së, Endi Mekgafi, thotë se vendimet duhet bazuar në respektimin e plotë të integritetit territorial të Kosovës.

“Të tria komunat në veri dhe komuna e ardhshme e Mitrovicës së veriut janë pjesë e territorit të Kosovës dhe për ICO-në, ruajtja e integritetit territorial të Kosovës është shumë e rëndësishme”, thekson Mekgafi.

Kjo çështje, sipas tij, do të jetë pjesë e diskutimeve në javët në vijim, por ende nuk mund të paragjykohet ndonjë vendim.

Sivjet, komuniteti serb ka votuar edhe në tri komuna të reja në pjesën qendrore dhe lindore të Kosovës, ku kishte një pjesëmarrje të cilësuar si të kënaqshme. Kurse, në muajin maj parashihen zgjedhje edhe në Partesh si dhe në komunën e re të Mitrovicës së veriut.

Mirëpo, marrë parasysh bojkotin që ndodhi në tri komunat në veri, analisti Ilir Deda u sugjeron institucioneve në Prishtinë që të shtrijnë pushtetin atje, nëse duan të kenë sukses në instalimin e komunës së re të Mitrovicës së veriut, marrë parasysh prezencën dhe shtrirjen që kanë atje strukturat paralele serbe.

“Zgjedhjet në Mitrovicën e veriut dhe në Partesh duhet të mbahen deri në maj të vitit 2010. Por, në qoftë se nuk do të ketë veprime konkrete të institucioneve qeverisëse në Prishtinë drejt një lloj prezence në veri, edhe atëherë këto zgjedhje mund të dështojnë, e kjo nuk do të ishte sinjal i mirë, marrë parasysh, gjatë gjithë kohës, zhvillimet pozitive në jug të lumit Ibër”, shprehet Dedaj.

Bazuar në praktikën e viteve të fundit, kur serbët bojkotonin zgjedhjet që organizoheshin nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, shefi i administratës së UNMIK-ut kryesisht merrej me emërimin e udhëheqësve nëpër këto komuna.

Tani, mbetet të shihet se si do të veprojnë institucionet e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, të cilat thirren në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, të cilat përfaqësuesit serbë nuk i njohin.
XS
SM
MD
LG