Ndërlidhjet

“Kosova e re”: Rishpallet tenderi?


Projekti i termocentralit “Kosova e Re” do të ketë edhe një shpallje të interesit, kanë njoftuar drejtuesit e Komitetit të këtij termocentrali.

Situata financiare, ngrohja globale dhe largimi i dy prej katër konsorciumeve pjesëmarrëse në projekt, u numëruan si arsye për mundësinë e rishpalljes së tenderit nga ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka Pula.

“Në dhjetor do të bëjmë një shprehje të interesit për tërheqjen e investitorëve apo ofertuesve, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në garë me projektin ‘Kosova e re’. Kah mesi i janarit do të bëjmë një konferencë me investitorët e rinj”.

“Deri në fund të janarit do të përzgjidhen konsorciumet, të cilat dëshirojnë të jenë pjesë e këtij projekti; nënkuptohet që dy konsorciumet që kanë mbetur në garë, gjithashtu janë pjesë të këtij projekti. Dhe, diku kah mesi i shkurtit, do të jetë tenderi, i cili do t’u ofrohet konsorciumeve”,
tha Shiroka Pula.

Ajo po ashtu theksoi se në vitin 2010 pritet të përmbyllet tenderi dhe kompania fituese të fillojë procedurat për realizimin e projektit.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore për Kosovë, Ranjit Najak, në anën tjetër, shprehet:

“Në këtë takim të komitetit drejtues është diskutuar se si të vazhdohet me projektin në kontekst të krizës financiare, e cila ka kapluar botën. Janë dhënë ide të reja për procesin e seleksionimit, në mënyrë që projekti të vazhdojë me më shumë të interesuar”.


Ndërkaq, ministrja Shiroka Pula, pas takimit të komitetit drejtues të termocentralit “Kosova e re”, tha se blloku i parë i termocentralit të ri do të ketë 500 megavate dhe më vonë, sipas saj, do të pasohet me ndërtimin e një blloku tjetër, po ashtu me kapacitete prej 500 megavatesh.

“Tani për tani, blloku prej 500 megavatesh do t’i plotësojë nevojat e mbylljes së termoelektranës ‘Kosova A’, ndërsa blloku i ri do t’i zëvendësojë kapacitetet e termocentralit Kosova B1, B2, i cili planifikohet në vitin 2017 të rivitalizohet. Për momentin do t’i plotësojë nevojat, ndoshta mbetet një pjesë shumë e vogël për eksport”, tha Shiroka Pula.

Sipas saj, zvogëlimi i kapaciteteve është strategji për të tërhequr më shumë investitorë të interesuar, duke u nisur nga fakti që kriza financiare ka reduktuar kapitalin, që kompanitë e kanë në dispozicion për ta investuar në projekte të reja.

Po ashtu, pas këtij takimi është bërë e ditur se qeveria planifikon që në projektin e ri edhe vetë të marrë pjesë në prodhimin e rrymës dhe në hapjen e minierës së re.

Kohëzgjatja për miniera do të parashikohet me Ligjin e koncesioneve, që është 25 vjet, me mundësi të zgjatjes për operimin e elektranave ekzistuese”, tha Shiroka Pula.

Sidoqoftë, projekti “Kosova e re” është duke u shtyrë vit pas viti.

Që nga viti 2007 janë paraqitur edhe ide të reja për ndërtimin e kapaciteteve energjetike në Kosovë, disa prej të cilave kanë paraparë zëvendësimin e këtij termocentrali.
XS
SM
MD
LG