Ndërlidhjet

KQZ shpall rezultatet për kuvendet komunale


Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta.
Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta.

Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet lokale të së dielës PDK udhëheq në 16 asamble komunale, LDK në tetë, AAK në pesë, LDD në një, Partia Liberale Serbe në tri...



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli të martën në mbrëmje rezultatet preliminare për kuvendet komunale të 36 komunave të Kosovës.

Sipas këtyre rezultateve, në zgjedhjet e 15 nëntorit, Partia Demokratike e Kosovës udhëheq në 16 komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës në tetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në pesë, Lidhja Demokratike e Dardanisë në një, Partia Liberale Serbe në tri, Partia Demokratike Turke e Kosovës në një, Lëvizja Vakat në një dhe Iniciativa Qytetare për Komunën e Ranillugut në një komunë.

Sipas KQZ-së, PDK-ja udhëheq në asambletë komunale në Gllogovc, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë, Lipjan, Obiliq, Rahovec, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri dhe Malishevë.

LDK-ja në zgjedhjet e së dielës është në avantazh ndaj partive tjera në komunën e Prishtinës, atë të Istogut, Fushë Kosovës, Novobërdës, Podujevës, Suharekës, Zubin Potokut dhe Hanit të Elezit.

AAK-ja udhëheq në komunën e Deçanit, Gjakovës, Pejës, Zveçanit e Junikut.

LDD-ja, sipas rezultateve preliminare, mori shumicën në kuvendin komunal të Vitisë.

Partia Liberale Serbe ka fituar në Shtërpcë, Graçanicë dhe Kllokot.

Partia Demokratike Turke e Kosovës mori shumicën në Mamushë.

Iniciativa Qytetare për Komunën e Ranillugut ka fituar shumicën në asamblenë komunale të komunës së re të Ranillugut.

Ndërsa, në Leposaviq ka marrë shumicën subjekti politik i boshnjakëve të Kosovës, Vakat.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka përsëritur se edhe këto rezultate mund të pësojnë ndryshime, për shkak se ende nuk janë numëruar votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe votat që kanë ardhur përmes postës.

Ndryshime mund të ketë edhe për shkak se disa vendvotime janë kontestuar dhe ankesat për to janë dërguar në Komisionin e Zgjedhjeve për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP).

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 15 nëntorit, sipas Nesrin Lushtës, mund të shpallen brenda kësaj jave, por jo edhe certifikimi i tyre, i cili po ashtu varet nga vendimet e KZAP-it në lidhje me rregullsinë në procesin zgjedhor.

Ndryshe, në rezultatet për kryetarë të komunave, të shpallura nga KQZ-ja një ditë më parë, shihet se vetëm 16 komuna nuk do të mbajnë zgjedhje, pasi që kandidatët kanë fituar shumicën që në raundin e parë.

Kandidatët e PDK-së kanë fituar në pesë komuna - Ferizaj, Skenderaj, Gllogovc, Shtime, Zubin Potok, ndërsa janë në balotazh edhe në 16 komuna tjera.

LDK-ja ka fituar në tri komuna - Prishtinë, Podujevë e Fushë Kosovë, ndërsa është në balotazh edhe në 11 komuna të tjera.

Kandidatët e AAK-së për kryetarë kanë fituar në katër komuna - Gjakovë, Deçan, Leposaviq dhe Zveçan, si dhe janë në balotazh në shtatë komuna.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale mbahet më 13 dhjetor.
XS
SM
MD
LG