Ndërlidhjet

Ankesat kushtëzojnë balotazhin



Pasi që Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) do t’i shqyrtojë ankesat e partive politike, do të fillojnë përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve në komunat, ku kandidatët garues kanë shkuar në balotazh.

Kështu tha kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta. Ajo konfirmoi 13 dhjetorin si datë kur qytetarët e disa komunave do t’u drejtohen sërish kutive të votimit.

“Balotazhi do të mbahet më 13 dhjetor, që është katër javë pas ditës së zgjedhjeve. Ashtu kërkon edhe ligji. Paraprakisht, duhet të shqyrtohen ankesat që janë në KZAP dhe duhet të kemi rezultatet nga raundi i parë - të certifikuara”, tha Lushta.

Zonja Lushta shprehu bindjen se Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të përfundojë me kohë shqyrtimin e të gjitha ankesave, të dërguara në këtë organ nga subjektet politike.

“Ne, vërtet, shpresojmë që KZAP-i do ta kryejë punën e vet në afate të shkurtra ligjore; ashtu janë edhe afatet ligjore për veprimet e KZAP-it. Pra, shpresojmë që ata do ta kryejnë punën e vet brenda këtyre afateve, në mënyrë që edhe neve të na mundësohet të vazhdojmë me punën tonë”, deklaroi Lushta.

Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vepron si organ i pavarur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe merret me adresimin ligjor të shkeljeve që kanë bërë partitë politike gjatë fushatës zgjedhore.

Përfaqësues të KZAP-it pohojnë të kenë marrë 170 ankesa. Tahir Rrecaj, drejtues i këtij institucioni, thotë se deri më tash janë shqyrtuar më se 60 nga to.
“KZAP-i vetëm ka filluar me shqyrtimin e ankesave; në mbi 60 raste ka marrë vendime meritore, ndërsa të tjerat i kemi në procedurë e sipër. Presim që shumë shpejt, brenda javës së ardhshme, t’i përfundojmë të gjitha ankesat dhe të marrim vendime përkatëse. Ankesat janë nga subjektet e ndryshme politike dhe kundër subjekteve të ndryshme”, tha Rrecaj.

Ai tha se pas shqyrtimit, një numër i ankesave janë hedhur poshtë, pasi që nuk kanë pasur bazë ligjore e as dëshmi të mjaftueshme.

“Disa nga rastet do t’i shqyrtojmë që në ditën e nesërme dhe disa nga to do t’i shqyrtojmë të hënën, do të marrim vendime përkatëse. Nëse konstatojmë se ka parregullsi dhe shkelje të tilla, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, ekziston edhe mundësia ligjore që të anulohen, por paraprakisht nuk prejudikoj se a do t’i anulojmë zgjedhjet dhe se në çfarë mënyre do t’i vendosim çështjet”, u shpreh Rrecaj.

Rrecaj foli edhe rreth kërkesave të disa partive politike, që në disa komuna të përsëritet votimi, për shkak të, siç thonë ato, keqpërdorimeve të votave.

Njëra nga këto parti është Aleanca Kosova e Re, e cila konsideron se në komunën e Gjakovës janë bërë shkelje të mëdha me votat e qytetarëve.

Mimoza Kusari- Lila, e cila ka kandiduar për kryetare të komunës e që ka fituar 40.07 për qind, në një konferencë për media ka akuzuar partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës se ka manipuluar me votat e qytetarëve.

Ajo tha se do të vazhdojë deri në fund për të kërkuar drejtësinë nga institucionet e Kosovës.

Sipas saj, kryetari aktuali i AAK-së, Pal Lekaj, nuk mund të jetë kryetar i Gjakovës pa balotazh.

“Nuk jemi të interesuar që t’i nxjerrim dhe t’i mbajmë qytetarët në rrugë, por jemi për një proces të drejtë demokratik, ku shpresojmë që drejtësia të mbisundojë mbi të gjitha manipulimet që janë bërë me votat e qytetarëve të Gjakovës”.

“Nëse të gjitha ankesat që janë trajtuar, kanë trajtim serioz; nëse verifikohen listat e votuesve, atëherë rezultati do të dalë se kryetari aktual i komunës nuk është fitues dhe nuk mund të jetë fitues pa balotazh”,
tha Kusari.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të zhvillohet në 20 komuna të Kosovës, përderisa në 16 të tjerat kandidatët kanë fituar shumicën e nevojshme që në raundin e parë.
XS
SM
MD
LG