Ndërlidhjet

Rreth 35 për qind e projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm është paraparë për investime kapitale. Kjo përqindje, sipas ekspertëve të ekonomisë, duhet të shpenzohet në kapacitete prodhuese dhe jo në infrastrukturë rrugore. Vetëm në këtë mënyrë, sipas ekspertëve, investimet kapitale do të ndikonin në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.



Nga projekt-buxheti për vitin e ardhshëm prej 1miliard e 460 mijë eurosh, parashihet që 422 milionë euro, ose 35 për qind e buxhetit, të shpenzohen për projekte kapitale.

Kjo shumë e mjeteve buxhetore, edhe pse e vogël, sipas ekspertëve të ekonomisë, do të ndikonte në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme ekonomike, nëse shpenzohet në mënyrë transparente.

Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se deri më tani orientimi i investimeve kapitale është bërë në mënyrë të gabuar.

“Kryesisht, te ne investimet kapitale kanë shkuar në infrastrukturë, për fat të keq dhe atë në infrastrukturë rrugore dhe energjetike. Infrastruktura nuk është nxitëse e zhvillimit ekonomik, ajo është faktor për zhvillimin ekonomik”.

“Por, ne nuk mundemi që pjesën dërmuese të investimeve kapitale ta orientojmë në infrastrukturë. Infrastruktura nuk krijon fitim, ajo absorbon; janë degë kapitale investive, absorbon shumë investime, por punësohen shumë pak”,
thotë Limani.

Musa Limani, ndërkaq thekson se shuma e ndarë për projekte madhore duhet të shpenzohet për kapacitete prodhuese, pasi, sipas tij, vetëm prodhimi krijon fitim, rrjedhimisht ndikon edhe në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.

Për këtë, shprehet Limani, qeveria duhet të mendojë mirë para se të vendosë se ku t’i shpenzojë mjetet e ndara për investime kapitale.

“Në rend të parë, duhet t’u jepet degëve prodhuese, sepse ato janë lëmi, të cilat krijojnë të mira materiale, rrisin GDP-në, e që shprehet në ngritjen e standardit jetësor, në rritjen e punësimit, zvogëlimin e papunësisë dhe zbutjen e problemeve sociale”, vlerëson Limani.

Edhe Muhamet Sadiku, nga Instituti RIINVEST, pohon se shuma e ndarë për investime kapitale duhet të orientohet në hapësirat ku mund të luftohet shkalla e varfërisë.

“Investimet janë të domosdoshme në mbështetjen institucionale të zhvillimit të sektorit privat, të cilat vërtet kanë potenciale për rritje ekonomike dhe kanë potenciale për një punësim produktiv”.

“Unë e di se jemi të ballafaquar me një front të gjerë të nevojave, por nëse i ndjekim me kujdes prioritetet e përcaktuara është e mundur që edhe me këto mjete, të cilat janë të kufizuara, të arrijmë efekte më të mëdha”,
thekson Sadiku.

Në anën tjetër, Oda Ekonomike e Kosovës vazhdimisht ka kërkuar nga autoritetet kompetente rritjen e investimeve kapitale.

Kështu thotë Berat Rukiqi, sekretar i përgjithshëm në këtë institucion, duke shtuar se në krahasim me vitet paraprake, në këtë vit ka pasur një rritje të këtyre investimeve, por për vitin tjetër ai shprehet se nevoja për investime kapitale është më madhe.

“Për shkak se këto janë impuls i mirë për krijimin e vendeve të reja të punës, për nxitjen e konsumit, për nxitjen e investimeve tjera përcjellëse”.

“Mirëpo, pasi që deri më tani nuk ka pasur mundësi që të shkohet në rritje drastike, prapë se prapë konsideroj që të shikohen mundësitë që këto (mjete) që janë alokuar për investime kapitale, së paku të zbatohen në mënyrë transparente dhe të zbatohen në vendin e duhur dhe me procedura të rregullta”,
shprehet Rukiqi.

Ndryshe, në krahasim me shumën e mjeteve të ndara për projekte kapitale për këtë vit, buxheti i paraparë për shpenzimet kapitale për vitin 2010, do të jetë më i vogël rreth 50 milionë euro.

Megjithatë, nga ky projekt-buxhet, rreth 110 milionë euro janë paraparë për sektorin e transportit, që përfshin edhe fillimin e autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, rreth 50 milionë euro janë ndarë subvencione për sektorin e energjisë dhe 27 milionë euro për ndërtimin e shkollave të reja.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG