Ndërlidhjet

PDK dhe LDK, ndonëse partnere në Qeverinë qendrore, kanë vazhduar me deklarata kundërthënëse, duke mos përjashtuar mundësinë e shqyrtimit të pozicioneve të tyre në koalicionin qeverisës.


Partnerët e koalicionit qeverisës në Kosovë kanë vazhduar me kritikat ndaj njëri-tjetrit.

Për Partinë Demokratike të Kosovës, kritikat që vijnë nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë pjesë e fushatës, përderisa LDK-ja nuk e përjashton edhe shqyrtimin e pozicionit të saj në kuadër të koalicionit me PDK-në, menjëherë pas përfundimit të raundit të dytë të votimeve për zgjedhjet lokale.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha sot se koalicioni PDK-LDK ngjan në formacionin “Guns ‘n Roses”, që ishte arritur si marrëveshje politike në një moment të caktuar politik.

Haziri tha se qeveria kishte pushuar së funksionuari gjatë fushatës, për shkak të aktiviteteve zgjedhore të kryeministrit dhe se ekzekutivi ishte kthyer në punë pasi që LDK-ja kishte kritikuar haptas kryeministrin.

“Nëse kryeministri për 15 ditë nuk ka qëndruar në qeveri, por ka vrapuar fshat më fshat për të mbledhur vota për partinë e tij, ne kemi thënë se ai nuk është duke punuar dhe e kemi çuar në zyrë për të punuar në ditën e 16-të. Dhe, u tregua efekti i daljes së tij fshat më fshat dhe premtimet e tij u dëshmuan tash me rezultat”.

“Kështu që ai e ka dëmtuar faktorin politik që nuk është në PDK me sjelljen e tij dhe është çështje që, kur të vijë koha, ne do ta vlerësojmë. Vlerësimet tona do t’i bëjmë pas raundit të dytë”,
tha Haziri.

Në anën tjetër, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, njëherësh zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, tha se koalicioni qeverisës po funksionon mirë.

Kurse, deklaratat e zyrtarëve të LDK-së, ai i sheh më tepër si një përpjekje që LDK-ja të dalë në skenën politike, pasi që, sipas tij, ka kohë që kjo parti politike e ndien veten të margjinalizuar pranë PDK-së si subjekti më i madh politik.

“Duket që është bërë modë kjo që të bëhet pjesë e fushatës elektorale. Ata kanë vuajtur shumë nga kritikat. Duket se dikush u ka thënë se jeni nën margjinat e PDK-së dhe tash duan të dëshmojnë identitet të ri. I kuptojmë ne”.

“Fushata elektorale dhe fjalori i fushatës nuk ndikojnë në koalicionin qeverisës, por ndikojnë në marrëveshjen politike dhe qëllimet që i kemi si koalicion. Nëse është për fushatë, i kuptojmë si fushatë. Diçka më serioze nuk kemi vërejtur, por, në cilindo rast, PDK-ja është konfirmuar si subjekti më i madh politik në Kosovë, më i konsoliduar dhe më stabil”,
u shpreh Kuçi.

Nënkryetari i PDK-së, Kuçi, tha po ashtu se deklaratat e zyrtarëve të caktuar të LDK-së në raport me qeverinë, janë më shumë përpjekje që këta zyrtarë të marrin pozita të larta në LDK.

LDK-ja ka probleme me dy-tri qendra të vendimmarrjes dhe me njerëz që po tentojnë, që përmes fushatës elektorale, të dalin dhe të fitojnë garën elektorale brendapërbrenda LDK-së”.

“Besoj se qeveria do të vazhdojë dhe koalicioni nuk e ka asnjë krizë reale. Por, ajo që dua të them, është se votat e ditës së diel e kanë konsoliduar PDK-në si partinë e parë dhe në çdo situatë e në çdo rrethanë, PDK-ja dhe Thaçi do ta udhëheqin Qeverinë e Kosovës”,
theksoi Kuçi.

Ndryshe nga Kuçi mendon Lutfi Haziri, i cili tha se fjalori politik që ai përdor në raport me koalicionin qeverisës, e ka edhe miratimin e LDK-së.

“Koalicioni ‘Guns ‘n Roses’ në nivel qendror ka dalë i tillë, që ta përkthesh në shqip është koalicion i paqes. Por, këtë paqe dhe këtë peshë të paqes ia jep LDK-ja mbi të gjitha”.

“Gjuha ime ka qenë gjuhë, e cila nga LDK-ja është aprovuar si strategji politike, sepse atë që ne e kemi thënë, e kemi thënë përnjëmend dhe atë që e kemi thënë ne, e kemi vërejtur si problem. Dhe, atë që e kemi thënë ne, besojmë në të dhe qëndrojmë sot e asaj dite prapa saj”,
tha Haziri.

Sidoqoftë, LDK-ja sot ka paralajmëruar po ashtu se gjatë pranverës do të mbajë edhe kuvendin zgjedhor të partisë, ndërkaq është çmuar lart edhe një herë figura politike e Isa Mustafës, i cili, pas fitores bindëse në Prishtinë, në analiza përflitet si një prej figurave që në të ardhmen mund të marrë drejtimin e partisë.

Kurse, PDK-ja, në anën tjetër, thotë se zgjedhjet e fundit kanë dëshmuar se kjo parti politike mbetet më e madhja në Kosovë dhe mund të kërkojë edhe alternativa tjera politike për partner në koalicion.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG