Ndërlidhjet

Bosnjë: Diskutime për Përfaqësuesin e Lartë


Bosnjë - Zyra e Përfaqësuesit të Lartë
Bosnjë - Zyra e Përfaqësuesit të Lartë

Takimi i sotëm i Këshillit për Implementimin e Paqes në Sarajevë do të tubojë zyrtarët ndërkombëtarë për të biseduar mandatin e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë.


Disa nga 55 përfaqësuesit ndërkombëtarë dëshirojnë që të mbyllet Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë, për t’i mundësuar këtij vendi që të udhëhiqet pa ndihmën e ndërkombëtarëve.

Por, ka edhe mendime se një qeveri e pasluftës tripartiake, që është krijuar para 14 vjetësh, ende nuk është e gatshme ta ruajë procesin e paqes vetë.

Që nga Marrëveshja e Dejtonit, që solli deri në përfundimin e luftës më 1995, vendi ishte i brishtë dhe i ndarë në dy etnitete: në Republika Serbe dhe Federatën Myslimano-Kroate.

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë u themelua menjëherë pas Marrëveshjes së Dejtonit dhe kishte për qëllim mbikëqyrjen e implementimit civil të marrëveshjes së paqes deri në stabilitetin politik e demokratik dhe derisa të jetë e gatshme të udhëhiqet pa ndihmën e të tjerëve.

Autoritete nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të zëvendësohet me një përfaqësues special të BE-së, përderisa obligimet kryesore i mbesin qeverisë dhe institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës.

Federata myslimano-kroate dëshiron që Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të vazhdojë të jetë e hapur.

Por, liderët e serbëve të Bosnjës, të cilët i janë më shumë besnikë Beogradit sesa Qeverisë në Sarajevë, po kërkojnë më shumë autonomi.

Millorad Dodik, kryeministër i Republikës Serbe të Bosnjës, vazhdimisht ka kërkuar të mbyllet Zyra e Përfaqësuesit të Lartë dhe ka kërcënuar të mbajë referendum për t’u shkëputur nga Bosnja.

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, u ka bërë me dije serbëve të Bosnjës se e kanë përkrahjen e Moskës, gjatë një vizite që i bëri Sarajevës në fillim të këtij muaji.

“Zgjedhja e Bosnjës në Këshillin e Sigurimit e bën posaçërisht të rëndësishme çështjen nëse mund të udhëhiqet vetë pa ndihmën e ndërkombëtarëve dhe për këtë arsye, Rusia, si anëtare aktive e Këshillit për Implementimin e Paqes, i përkrah ndryshimet e vazhdueshme për ta zëvendësuar Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë me një përfaqësues special të BE-së”, ka thënë Lavrov.

Ligjvënësit amerikanë e gjithashtu edhe grupe të caktuara me ndikim dhe organizatat joqeveritare mendojnë se SHBA-të duhet të vazhdojnë ta ndihmojnë Bosnjën drejt integrimit të saj në BE dhe në NATO.

Pa këtë përkrahje, në Uashington mendojnë se Bosnja do të mund të ndahet në baza nacionaliste dhe kështu të ketë edhe një konflikt të mundshëm.

Çarl English, ambasador amerikan në Bosnjë e Hercegovinë, ka thënë në Sarajevë se Uashingtoni është i brengosur për ndarjet e mundshme në baza nacionale.

“Pikësëpari, Shtetet e Bashkuara nuk do të pranojnë asgjë tjetër veç një Bosnjë paqësore, multietnike dhe sovrane. Dhe, së dyti, SHBA-të besojnë se e vetmja rrugë për një Bosnjë të sigurt dhe stabile, është integrimin evropian dhe euroatlantik”, ka thënë English.

Ai ka thënë gjithashtu se është i gatshëm të ndihmojë në shndërrimin e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në nivelin e një përfaqësuesi special të BE-së.

“Nëse do të pranohej kjo paketë, ajo do t’i hapte rrugën Bosnjës e Hercegovinës drejt BE-së dhe NATO-s. Nga këndvështrimi ynë, kjo është një ofertë që nuk duhet të injorohet. Kjo do t’ju çojë në nivelin evropian dhe ju hap shtegun për në NATO”,
ka thënë English.

Këshilli për Implementimin e Paqes ka vendosur, në shkurt të vitit 2007, që Bosnja ka përparuar mjaft, që të mund të mbyllet Zyra e Përfaqësuesit të Lartë brenda 18 muajsh.

Por, në fillim të 2008-ës, gjatë një analize u hodh poshtë vendimi i mëparshëm deri në përmbushjen e standardeve.
XS
SM
MD
LG