Ndërlidhjet

logo-print

Bosnja ende në udhëkryq

  • Heather Maher

Kundërshtarët më të zëshëm të propozimeve ndërkombëtare janë serbët e Bosnjës. Millorad Dodik kundërshton çdo masë që ai mendon se shkon kundër një autonomie më të madhe për Republikën Serbe.



Takimi i Këshillit ndërkombëtar të zbatimit të planit të paqes në Bosnjë, që vazhdon edhe sot, synon të qartësojë të ardhmen e këtij vendi.

Këtë vjeshtë kemi parë tre raunde bisedimesh të ndërmjetësuara nga BE-ja dhe SHBA-të me përfaqësuesit e të tria komuniteteve etnike dhe dy entiteteve në Bosnjë. Asnjë nga takimet nuk ka arritur ndonjë rezultat konkret.

Objektivat, që quhen 5 plus 2, e që nënkuptojnë pesë qëllime dhe dy kushte, përqendrohen në çështje si: shpërndarja e fuqisë ushtarake të shtetit, qëndrueshmëria fiskale dhe masat për përmirësimin e situatës politike në vend.

Përmbushja e të ashtuquajturit plan 5 plus 2 do të çojë në mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit Ndërkombëtar, si hapi i parë drejt autonomisë politike dhe integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

Stjuart Xhons, nën-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, i përfshirë në bisedimet rreth Bosnjës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka hapësirë për optimizëm.

“Nuk dua të paragjykoj si do të ecë takimi, por mendoj se po bëjmë përpara në bisedimet me udhëheqësit partiakë. Duket se ka një përfshirje të madhe për gjërat substanciale të propozimit. Shpresoj që do të ecim përpara në këtë drejtim dhe do të shohim rezultate”, thotë Xhons.

Megjithatë, diplomati amerikan pranon faktin se deri tani nuk ka pasur marrëveshje në asnjë nga pikat themelore.

Kundërshtarët më të zëshëm të propozimeve ndërkombëtare janë serbët e Bosnjës. Millorad Dodik, kryeministri i Republikës Serbe të Bosnjës, ka kundërshtuar çdo masë që ai mendon se shkon në kundërshtimin me më shumë autonomi për entitetin që përfaqëson.

Por, diplomati i lartë amerikan nuk e pranon mendimin se Republika Serbe po bllokon arritjen e një marrëveshjeje. Ai shton se është i inkurajuar nga mënyra se si të gjitha palët janë të përfshira në debat.

“Padyshim që kemi pasur takime konstruktive në Banja Llukë dhe Sarajevë. Nuk do të them se cilat ishin qëndrimet e tyre, as nuk po them se kemi arritur marrëveshje, por po theksoj faktin se kemi pasur bisedime konstruktive e thelbësore”, thotë Xhons.

Përfaqësuesit e qeverisë së Dodikut, së fundi, vizituan Uashingtonin dhe u përpoqën të dëshmonin se reformat kushtetuese janë të parakohshme, kurse Zyra e Përfaqësuesit Ndërkombëtar duhet të mbyllet menjëherë.

Kjo, sipas tyre, do t’i lejonte palët në Bosnjë t’i zgjidhin vetë problemet. Ndërkaq, Xhons sqaron qëndrimin amerikan:

“Ajo që ne themi është se për tranzicionin e Zyrës së përfaqësuesit ndërkombëtar duhet të përmbushen kriteret 5 plus 2. Kjo nuk diskutohet. Nga ana tjetër, ne mendojmë se Bosnja duhet të bëjë reforma kushtetuese, në mënyrë që të ketë aplikim të besueshëm për anëtarësim në NATO dhe në BE”, thotë Xhons.

Por, Xhon Uestern, njohës i rajonit, mendon se Shtetet e Bashkuara duhet të artikulojnë një politikë më të fuqishme për Ballkanin.

Lidhur me Bosnjën, ai beson se zgjidhja duhet arritur këtë vit, pasi zgjedhjet, që do të mbahen vitin e ardhshëm, do të krijojnë një atmosferë të vështirë për kompromis.

“Mendoj se qëndrimi amerikan është që të arrijë marrëveshje deri në fund të vitit 2009. Nuk mendoj se evropianët kanë të njëjtin mendim për urgjencën e problemit”, thotë Uestern.

Megjithatë, Uestern thekson se Afganistani, Pakistani e Iraku janë shumë më tepër në vëmendjen e administratës amerikane sesa Bosnja e Ballkani. (I.B.)
XS
SM
MD
LG