Ndërlidhjet

BE: Zgjidhen presidenti dhe shefi i diplomacisë


Bruksel
Bruksel

Bashkimi Evropian sot mban takimin e posaçëm për të zgjedhur presidentin dhe shefin e politikës së jashtme. Postet parashihen nga Marrëveshja e Lisbonës, e cila fuqizohet më 1 dhjetor të këtij viti.



Shefat e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian mblidhen sot në Bruksel, në përpjekje për të zgjedhur kryetarin e parë të Bashkimit Evropian, por edhe postin e ri që është krijuar me Traktatin e Lisbonës, që përforcon politikën e përbashkët të sigurisë dhe të mbrojtjes së BE-së – të ashtuquajturin ministrin e jashtëm të Bashkimit Evropian.

Është vërtet një situatë mjaft e komplikuar për Bashkimin Evropian, pasi që shumë kandidatë, emrat e të cilëve janë përmendur deri më tani, nuk kanë fituar mbështetjen e shumë shteteve, disa madje as të partive, të cilat i përfaqësojnë.

Kështu emri i ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, Toni Bler, që është përmendur më së shumti, nuk figuron më në mes të favoritëve, pasi që as Partia Socialiste Evropiane nuk e mbështet atë, por do të dëshironin që në këtë post të kenë dikë tjetër.

Tash për tash përflitet se gjasat më të mëdha për t’u bërë kryetar i parë i Këshillit të Bashkimit Evropian i ka kryeministri aktual i Belgjikës, Herman Van Rompuy, edhe pse edhe kandidaturën e tij nuk e pëlqejnë disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Gjermania dhe Franca do të votojnë së bashku e jo kundër njëra-tjetrës.

Për rajonin e Ballkanit ndoshta një post edhe më i rëndësishëm do të jetë ai i Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, që kësaj radhe, sipas Traktatit të Lisbonës, do të jetë me automatizëm edhe nënkryetar i Komisionit Evropian.

Në këtë post, që është i ngjashëm, por më me pak kompetenca, në këtë moment është Havier Solana, i cili ka paralajmëruar që së shpejti do të largohet nga Brukseli.

Për postin e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri më së shumti përflitet emri i ish-kryeminsitrit të Italisë, Masimo Dalema, i cili edhe vjen nga radhët e socialistëve dhe ka edhe mbështetjen e kryeministrit aktual të Italisë, Silvio Berluskoni.

Presidenca suedeze e BE-së thotë se, edhe pse të dyja këto poste mund të zgjidhen me shumicë të kualifikuar, dëshirojnë që të zgjidhen me konsensus. Por, ata thonë se mund të ndodhë që gjatë këtij samiti të dalin edhe emra, për të cilët nuk është folur aq shumë, megjithëse theksojnë se mund të ndodhë edhe që gjatë këtij samiti të mos ketë pajtim, por të organizohet ndonjë takim tjetër.
XS
SM
MD
LG