Ndërlidhjet

logo-print

Times: "Myslimanët kthehen kundër Darvinit"


"Times"


Myslimanët, në shumë vende, masivisht po kundërshtojnë teorinë e evolucionit të Darvinit, nën ndikimin e elementeve konservatore të islamit. Kjo u bë e ditur gjatë një konference shkencore të mbajtur në Egjipt nën organizimin e Këshillit Britanik.

Çarls Darvini e humbi besimin tek Zoti, por ai nuk u kthye kundër fesë. Xhon Brodi, miku dhe prifti i Darvinit, shkruante: “Kurrë nuk pashë në shkrimet e tij ndonjë sulm kundër besimit fetar.
Nidal Guesoum, profesor i fizikës dhe astronomisë në Universitetin Amerikan të Sharjahas në Emiratet e Bashkuara Arabe, tha në konferencë se në shumë vende, studentët dhe akademikët mendojnë se duhet të zgjedhin mes evolucionit dhe kreacionizmit, në vend që të kuptojnë se dikush mund të besojë në Zot, por edhe në teorinë e Darvinit.

Dr. Guesoum, mysliman sunit, tha se në vende si Tunizia, Egjipti, Turqia, Pakistani dhe Malajzia, anketat tregojnë se vetëm 15% e të pyeturve mendojnë se teoria e Darvinit është e vërtetë apo pjesërisht e vërtetë.

Ky qëndrim ishte mbizotërues edhe në mesin e nxënësve, studentëve e mësuesve nga shkolla e mesme, e deri në universitet. Ajo çfarë është më shqetësuese, tha Dr. Guesoum, mësuesit e lëndëve shkencore keqinterpretojnë faktet dhe teoritë e evolucionit, duke i përzier ato me ideologji fetare.

Në vitin 1925, Xhon Skup vuri në provë ligjin e shtetit të Tenesisë në SHBA, pasi ai iu mësonte nxënësve teorinë e evolucionit. Ligji, atëbotë, e quante të paligjshme çdo teori që kundërshtonte Biblën dhe krijimin e botës nga Zoti. Skup nuk u dënua duke përfituar nga gabimet teknike të gjykimit.
Një anketë, në të cilën ishin përfshirë 100 akademikë dhe 100 studentë të universitetit ku punon Dr. Guesoum, tregoi se 62% e profesorëve dhe studentëve myslimanë besojnë se teoria e evolucionit është teori që nuk është provuar.

Qëndrim të njëjtë kishin vetëm 10% e profesorëve dhe studentëve jomyslimanë të anketuar në të njëjtin sondazh.

“Shkalla e pranimit të evolucionit dhe e idesë që kjo teori të jepej në auditore, ishte shumë e ulët”, tha profesori i fizikës dhe astronomisë.

Ai theksoi se evolucioni nuk është në kontradiktë me besimin islam.

“Shumë ekspertë myslimanë, nga koha e artë e islamit e deri në ditët tona, e kanë pranuar këndvështrimin evolucionist të botës”, tha Guesoum.

Në vitin 1968, Suzan Eperson sfidoi ligjin e shtetit amerikan të Arkansasit që e ndalonte atë t’iu mësonte nxënësve teorinë e evolucionit.
Duke iu adresuar konferencës në Aleksandri, që u mbajt në 200-vjetorin e Darvinit dhe në 150-vjetorin e publikimit të veprës së tij “Origjina e llojeve”, Dr. Guesoum tha se shqetësimet në mesin e myslimanëve për teorinë e evolucionit u nxitën nga kreacionistët e krishterë.

Njerëzit në botën myslimane i gjejnë tezat e kreacionistëve të krishterë në internet dhe nuk e kuptojnë se ato qëndrime kanë qenë në margjina të debatit shkencor. Ata kanë besuar apriori se kreacionizmi ka besueshmëri shkencore në perëndim.

Vitin e kaluar, Adnan Oktar nga Ankaraja ofroi 4.4 trilionë paund për këdo që ofronte një fosile të vetme që provonte evolucionin.
“Ky është një problem serioz. Është njësoj si të dal para studentëve të mi e të them se planetët nuk kanë lidhje me yjet, se nuk ka asnjë lidhshmëri mes tyre dhe forcës së gravitetit dhe se planetët janë krijuar në një ditë. As në ëndërr nuk mund të mendosh që ta paraqesësh kozmosin në mënyrë kaq qesharake".

"Nuk mund të lejojmë që njerëzit në shekullin 21 të mos kenë asnjë koncept shkencor”, tha Dr.Guesoum. (I.B.)
XS
SM
MD
LG