Ndërlidhjet

Ç’përfituan serbët nga pjesëmarrja në zgjedhje?


Vendvotim në Graçanicë, 15 nëntor 2009.

Vendvotim në Graçanicë, 15 nëntor 2009.

Disa përfaqësues të serbëve të Kosovës vlerësojnë se pjesëmarrja në zgjedhjet lokale ka sjellë përfitime për banorët serbë. Ata thonë se ky proces ndaloi edhe shpërnguljen e tyre nga Kosova.


Përfaqësuesit e serbëve lokalë, që morën pjesë në zgjedhjet e 15 nëntorit, besojnë se me pjesëmarrje, përveç marrjes së përgjegjësive në nivel komunal, u mundësua edhe mbetja e serbëve në Kosovë.

Sasha Mirkoviq, nga Partia e Pavarur Liberale, ka marrë më së shumti vota në komunën e re të Kllokotit.

Ai thotë se ka ardhur koha që serbët të vendosin vetë për çështjet e jetës së përditshme, pra edhe në Kllokot, ku gjendet banja e njohur kosovare.

“Në nëntë vjetët e kaluar, askush nuk është marrë me zgjidhjen e problemeve. Unë shpresoj se pas zgjedhjeve do të ndryshojnë gjërat, sepse vetë procesi i decentralizimit është diçka i vërtetë në terren”, konsideron Mirkoviq.

Ai është zgjedhur kryetar i Kllokotit, komunës së re me shumicë serbe, në të cilën është zbatuar procesi i decentralizimit.

Përveç Kllokotit, i cili deri tash ka qenë pjesë e komunës së Vitisë, sipas Planit të Marti Ahtisarit, janë krijuar edhe komunat e reja të Graçanicës dhe Ranillugës.

Mirkoviq vlerëson se formimi i komunave të reja ka qenë arsye e mjaftueshme, që serbët të jenë pjesë e procesit zgjedhor.

“Procesin e decentralizimit e kanë negociuar njerëz të tjerë dhe në të vërtetë vetëm këtë proces kanë mundur ta bëjnë në të mirë të banorëve që jetojnë në këto hapësira. Vetëm me këtë proces dhe me krijimin e komunave të reja mund të ndërpritet shpërngulja e banorëve nga këto hapësira dhe natyrisht të ofrohet një standard më i mirë jetësor”, thotë Mirkoviq.

Në zgjedhjet lokale, serbët kanë marrë qeverinë në Graçanicë, Ranillugë dhe Kllokot. Përfaqësuesit e serbëve kanë hyrë në balotazh për kryetar komune në Novobërdë dhe në Shtërpcë.

Qeveria e Serbisë i ftoi serbët të mos merrnin pjesë në zgjedhje, meqë ato i organizuan institucionet e Kosovës së pavarur.

Sllagjan Illiq, i cili ishte kandidat i Iniciativës Qytetare në Shtërpcë, thekson se thirrja për bojkot ka bërë që të ketë një rezultat negativ për serbët në këtë komunë.

“Për fat të keq, kësaj here në Shtërpcë kemi humbur shumicën në asamblenë komunale dhe kjo është pasojë direkte e një politike të tillë, në të cilën nuk shihet qëllimi i qartë, domethënë nuk e ka të qartë se pse kërkon bojkot. Tash shtrohet pyetja thelbësore se si do të funksionojnë serbët si pakicë në kuvendet komunale”, shprehet Illiq.

Këshilli Nacional Serb i Kosovës ka thënë se këto zgjedhje ishin referendum ‘për dhe kundër’ Planit të Ahtisarit dhe se një numër serbësh, me mosdaljen e tyre, treguan se kundërshtojnë fuqishëm planin, sipas të cilit u zbatua decentralizimi, por edhe u shpall pavarësia.

Por, për Sllagjan Illiqin, zgjedhjet lokale nuk janë çështje e statusit, por e rregullimit të jetës në nivel lokal.

“Teza se kanë lidhje me statusin dhe me pavarësinë, nuk pi ujë, sepse edhe më herët kemi pasur zgjedhje lokale dhe në disa zgjedhje kemi qenë të ftuar nga shteti serb, që të marrim pjesë në to dhe ne kemi marrë pjesë”.

“Dhe, nuk ka pasur asnjë konsekuencë e as politikisht në procesin negociator nuk ka shërbyer si katalizator i procesit të pavarësisë, por i ka shërbyer komunitetit lokal për zhvillim dhe për marrjen e gjërave në duart e tyre
”, thotë Illiq.

Shumë serbë, që si kandidatë kanë marrë pjesë në zgjedhje, por edhe vetë votuesit besojnë se kanë qenë pjesë e procesit që çon kah përmirësimi i jetës së përditshme të komunitetit serb.

Një pritje e tillë bazohet në planin për decentralizimin e pushtetit, që ofron autonomi për udhëheqësit lokalë. Konkretisht, komunat do të kenë kompetenca më të mëdha, vetë do t’i shpërndajnë fondet financiare dhe kështu do të menaxhojnë dhe zbatojnë projektet, për të përmirësuar cilësinë e jetës.
XS
SM
MD
LG