Ndërlidhjet

Analistët politikë në Kosovë thonë se zhvillimet e fundit brenda koalicionit qeverisës në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ia kanë hapur rrugën shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme për vitin 2010. Ekspertët vlerësojnë se ndryshimet, për të cilat ishte menduar, nuk mund të ndodhin në një periudhë aq të shpejtë kohore, gjë që, sipas tyre, pamundësohet nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.


Pas zhvillimeve të fundit brenda koalicionit qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilat për një kohë krijuan paqartësi në lidhje me jetëgjatësinë e këtij koalicioni, ekspertët për çështje ligjore dhe analistët politikë theksojnë se në Kosovë nuk mund të ndodhin ndryshime aq të shpejta institucionale siç ishte menduar.

Eksperti Kujtim Kërveshi thotë se Kushtetuta e Kosovës precizon qartë përgjegjësitë e presidentit të Kosovës, ato të kryeministrit dhe të kryetarit të Kuvendit.

“Unë besoj se ndryshimet institucionale në Kosovë nuk mund të ndodhin në një procedurë kaq të shpejtë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton se në çfarë forme presidentit të Kosovës duhet t’i takojë mandati i presidentit”.

“Në të njëjtën kohë, në bazë të Kushtetutës, është konfirmuar se si do të mund të zgjedhën institucionet e tjera në bazë të fuqisë - së pari presidenti e pastaj të tjerët”,
thotë Kërveshi, për të shtuar se ndryshimi i formulës qeverisëse mund të ndodhë vetëm me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme dhe paraprakisht shpërbërjen e parlamentit aktual.

Kështu pohon dhe analisti Halil Matoshi, i cili mendon se zhvillimet e fundit brenda përbërjes qeveritare kanë dëshmuar, siç thotë ai, jostabilitetin e koalicionit PDK-LDK.

Vlerësimet e diplomatëve ndërkombëtarë se ngjarjet e fundit lidhur me këtë çështje dëshmojnë ekzistimin e demokracisë në Kosovë, sipas Matoshit, janë të pabaza.

“Ky koalicion qeveritar nuk është funksional. Ky (koalicion) i mban peng zhvillimet e proceset politike në Kosovë dhe unë mendoj se i vetmi shpëtim do të jetë prishja e koalicionit, ndërtimi i një qeverie teknike deri në zgjedhjet e parakohshme në vitin e ardhshëm”, shprehet Matoshi.

Ai thotë se iniciativa e Partisë Demokratike të Kosovës për prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike ishte një hap i pamenduar mirë.

“Kur kryeministri e ka bërë një llogaritje të re dhe e ka parë se për diçka të tillë nuk e ka numrin e mjaftueshëm në Kuvend, e ka lutur në njëfarë mënyre presidentin dhe ministrat e LDK-së që ta vazhdojnë koalicionin”, thotë ai.

Kalkulimet e PDK-së duket të mos kenë përfshirë edhe nenet përkatëse të Kushtetutës së Kosovës, në të cilat precizohen mënyrat për shkarkimet eventuale të presidentit të shtetit, të kryetarit të Kuvendit dhe të vetë Kuvendit të Kosovës. Të paktën kështu thotë eksperti Kërveshi.

“Në bazë të nenit 91, presidenti do të mund të shkarkohej. Ndryshe, presidenti i Kosovës vetëm do të mund të ofronte dorëheqje, e pastaj prapë të shkojë në një krizë parlamentare. Ose, presidenti do të duhej të ftonte institucionet e Kosovës, që Kuvendi i Kosovës të shpërndahej”.

“Ndryshe, unë nuk shoh se si do të mund të qëndronte e njëjta qeveri me të njëjtin mandatar të qeverisë, por me president dhe kryetar të Parlamentit të ndryshëm, kur presidenti është ai që mandaton kryeministrin - mandatarin për të formuar kabinetin qeveritar”,
thekson Kërveshi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG