Ndërlidhjet

logo-print

“Loja” e prishjes së koalicionit


Kryeministri Hashim Thaçi dhe presidenti Fatmir Sejdiu.

Kryeministri Hashim Thaçi dhe presidenti Fatmir Sejdiu.

Zhvillimet rreth koalicionit të PDK-së me LDK-në, sipas opozitës, ishin një lojë politike, që do të ketë pasoja të dëmshme për Kosovën dhe qeverisjen aktuale. Pakënaqësi kanë shprehur edhe disa nga zyrtarët e LDK-së.




Opozita ka kritikuar partitë e koalicionit qeverisës pas paralajmërimeve për prishjen e koalicionit, duke vlerësuar se ato kanë luajtur një lojë me opinionin dhe kanë dëshmuar joseriozitet në punë dhe mungesë përgjegjësie.

Paralajmërimet për prishje të koalicionit PDK-LDK, pa pasur alternativa tjera, sipas opozitës, ishin tregues se ky koalicion është në krizë dhe se Kosova duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas zyrtarit të saj Ardian Gjini, vlerëson se një zhvillim i tillë i ka shkaktuar dëm qeverisjes aktuale dhe vetë Kosovës.

“Mos harroni se jemi në mes të zgjedhjeve lokale dhe presim vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Do të thotë, është një vendim shumë i dëmshëm për Kosovën dhe do të shohim se çka do të ndodhë tutje dhe si do të sillen partnerët e koalicionit”.

“Mirëpo, AAK-ja mendon se ky veprim i ka shkaktuar dëme të pariparueshme, jo vetëm qeverisjes aktuale, por edhe Kosovës. Mendoj se të gjithë e kanë të qartë se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme”,
thotë Gjini.

Edhe dy partitë tjera opozitare, Aleanca Kosova e Re dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, ndonëse ishin përfolur si pjesë e mundshme e një koalicioni të ri me PDK-në, i përgënjeshtrojnë këto njoftime, duke i vlerësuar si lojë politike zhvillimet rreth prishjes së koalicionit.

Ibrahim Makolli, nënkryetar i AKR-së, mendon se këto zhvillime janë më shumë presione dhe shantazhe, që partitë në koalicionin qeverisës ia bëjnë njëra-tjetrës në prag të raundit të dytë të votimeve.

Makolli sqaron se lajmi për mundësinë që në një koalicion të ri, Behxhet Pacolli të nominohej për president të Kosovës, më parë ishte publikuar në media, e tek më pas i ishte kumtuar Pacollit përmes telefonit nga ana e kryeministrit Hashim Thaçi.

Diku pas mesnate, kryetari Pacolli ka pranuar një telefonatë nga kryeministri Thaçi, përmes së cilës është njoftuar për mundësinë e prishjes së koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së dhe krijimit të një koalicioni të ri ndërmjet PDK-së, AKR-së dhe LDD-së”.

“Thjesht, të gjitha këto pazare politike në emër të AKR-së, janë bërë pa dijeninë e AKR-së dhe më tepër janë spekulime të këtyre dy partive politike, sesa që ka diçka në esencë”,
shprehet Makolli.

Në anën tjetër, Gani Geci, zyrtar i LDD-së, thotë se e gjithë situata e krijuar rreth koalicionit PDK-LDK, ishte vetëm një lojë politike. Ndërkaq, ai e përjashton mundësinë që LDD-ja të hyjë në koalicion me PDK-në.

“Ne, që në fillim, kemi thënë se nëse paska bërë PDK-ja me LDK-në, bëjnë të gjitha në politikë, por ne nuk jemi të interesuar”, thotë Geci.

Pakënaqësitë me zhvillimet rreth koalicionit qeverisës i kanë shprehur edhe disa zyrtarë të LDK-së. Deputeti i kësaj partie, Fatmir Rexhepi, gjatë seancës së Kuvendit, ku ishte paraparë të debatohej për buxhetin, kërkoi nga kryeministri sqarime. Por, seanca u ndërpre, edhe pse Thaçi tha se ishte i gatshëm të tregonte se çfarë ndodhi mbrëmë me koalicionin.

“Në rregull, unë jam edhe kryeministër dhe mund të jap sqarime”, tha Thaçi, por seanca është ndërprerë nga ana e kryetarit të Kuvendit.

Pas seancës, deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi, tha se kryeministri Thaçi dhe partia e tij, mbrëmë, kishin atakuar rëndë institucionet e Kosovës.

“Unë kërkova një informatë: pse që 12 orë, sipas PDK-së, Kosova ka mbetur pa institucione? Një sqarim... dhe pse ky diversion u bë mbi institucione në këtë mënyrë?! Cila është ajo parti që thotë se mund të krenohet Kosova me mua, e në realitet ky është një puç që vjen mbi institucionet e shtetit të ri, e shteti i ri nuk meriton këso qeverisjeje”, tha Rexhepi.

Përderisa sot LDK-ja ka tejkaluar krizën e koalicionit me PDK-në, zyrtarë të kësaj partie thonë se kjo çështje duhet të kthehet për debat menjëherë pas raundit të dytë të votimeve për zgjedhjet komunale.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG