Ndërlidhjet

Komuniteti i biznesit në Kosovë ngre shqetësimin se, nëse Kosova nuk arrin ta përmirësojë pozitën në kuadër të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), rrezikon ta humbë presidencën e radhës së CEFTA-s në vitin 2011. Nga moszbatimi i kësaj marrëveshjeje, thuhet se Kosova vazhdon të ketë humbje të mëdha, si ekonomike, ashtu edhe politike.



Nga janari i vitit 2010, presidencën e radhës së CEFTA-s do ta udhëheqë Serbia.

Sipas Komunitetit të biznesit, nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen një zgjidhje deri në fund të këtij viti, do të jetë e vështirë të zgjidhen problemet e akumuluara, gjatë kohës kur Serbia merr udhëheqjen në CEFTA.

Sekretari i përgjithshëm në Odën Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se kanë pritur qe një vit që autoritetet kosovare të ndërmarrin diçka për përmirësimin e situatës së krijuar.

Por, siç shprehet ai, autoritetet kosovare janë treguar shumë pasive në gjetjen e zgjidhjes së këtij problemi.

“Situata më e keqe është që Serbia e merr kryesimin, po një situatë më e keqe është se ne mund të humbim udhëheqjen e CEFTA-s, që e kemi për vitin 2011. Mund të humbet mundësia të udhëheqim CEFTA-n nëse nuk jemi aktiv gjatë vitit 2010”.

“Në mënyrë që të merret udhëheqja për vitin 2011, ne duhet të jemi aktivë, të dëshmojmë kapacitete institucionale, që ne jemi vend i denjë për ta marrë këtë udhëheqje. Nëse nuk gjendet zgjidhja, atëherë humbjet janë të mëdha, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë politik”,
sqaron Rukiqi.

Rukiqi thotë se Kosova ka pasur probleme që nga fillimi me të gjitha vendet e rajonit.

Por, këto probleme u theksuan më shumë në fund të vitit të kaluar, kur Serbia dhe Bosnja, pas pavarësisë së Kosovës dhe pas ndërrimit të vulave dhe dokumentacionit nga UNMIK-u në atë të Kosovës, kanë vendosur bllokadë për mallrat e Kosovës.

Gjithashtu, kanë vendosur edhe disa probleme tjera, barriera të tjera, jo vetëm për produktet, por edhe për transit të mallrave.

“Kosova, realisht ka eksportuar shumë pak në këto vende, por ajo që humb Kosova është primati. Në raport me vendet e rajonit, në ende konsiderohemi si treg i izoluar. Duke i pasur këto probleme, në syrin e investitorëve ne ende jemi një vend i izoluar, pa një perspektivë të bashkëpunimit me vendet tjera”.

“Ideja që CEFTA do ta bënte Kosovën të mos konsiderohej më treg prej 2 milionësh, po treg më i madh prej 27 milionësh duke përfshirë vendet e rajonit, është zbehur, duke pasur parasysh që i kemi këto bllokada dhe pengesa nga vendet e rajonit”,
thekson Rukiqi.

Kur Kosova pati nënshkruar marrëveshjen e CEFTA-s, ishte konsideruar si një hap i rëndësishëm që e integron vendin në rrjedhat e bashkëpunimit rajonal, sidomos në aspektin ekonomik.

Kryeshefi i Agjencisë për Investime në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Mustafa Hasani, i cili ishte i pranishëm në takimin e fundit të CEFTA-s, të mbajtur në Podgoricë, thotë se në përputhje me rregullat, Kosova duhet të jetë e ftuar edhe në takimet që do t’i organizojë Serbia, pasi që të marrë udhëheqjen.

“Në pjesën tek eksporti i mallrave, ekzistojnë probleme. Gradualisht, është një trysni që po bëhet nga organizmat ndërkombëtarë, që Serbia ta pranojë realitetin dhe ta pranojë Kosovën në organizmat ndërkombëtarë dhe profesionalë, ku janë edhe ata anëtarë”.

“Besoj që edhe ata kur ta marrin radhën e CEFTA-s, në përputhje me rregullat, duhet ta ftojnë edhe Kosovën në takimet, të cilat i kanë. As ata nuk kanë interes që të bëjnë bllokimin e mallrave”
, thotë Hasani.

Ndërsa, Salih Hoda nga Doganat e Kosovës, shprehet:

“Është e vërtetë që ne kemi probleme politike, sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshjeje me Serbinë dhe Bosnjën, por ne nuk i kemi vetëm këto dy vende që nuk e kanë njohur Kosovën”.

“Ne kemi edhe pesë vende të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën dhe kjo është pengesë për të hyrë në një marrëveshje të re dhe për të hyrë në proceset integruese të BE-së”.


Pavarësisht se Kosova është nënshkruese e marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), prodhimet vendore ka gati një vit që ballafaqohen me embargo nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur ta zhbllokojë një embargo të tillë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG