Ndërlidhjet

Ahmadinexhad kërkon përkrahje nga Brazili


Protestuesit brazilianë, 22 nëntor 2009
Protestuesit brazilianë, 22 nëntor 2009

Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, e fillon turneun në Amerikën Latine, me vizitën në Brazil, ku do të takohet me presidentin e majtë Luis Inacio da Silva.



Kjo është vizita e parë e një presidenti iranian në gjigantin e rajonit, siç është Brazili. Ahmadinexhad do të vizitojë edhe Venezuelën dhe Bolivinë.

Të tri vendet ndajnë karakteristika të përbashkëta. Në fakt, udhëheqësit e tyre ushqejnë ndjenja të ftohta ndaj pranisë së Shteteve të Bashkuara.

Presidenti i Iranit viziton Brazilin i sigurt se do të hasë në pritje të ngrohtë nga presidenti brazilian.

Da Silva është përmbajtur nga kritikat për programin bërthamor iranian dhe ka thënë se Brazili dhe Irani janë vende në zhvillim, me të drejtën që të kenë programe bërthamore për qëllime paqësore.

Ai, gjithashtu, i kundërshton sanksionet në rritje kundër Iranit për shkak se ky i fundit refuzon të ndalë pasurimin e uraniumit, duke thënë se më e rëndësishme është të bisedohet me Iranin, se sa ky vend të vihet me shpatulla pas murit.

Por, jo të gjithë brazilianët e shohin Iranin ashtu siç e sheh presidenti i tyre, në veçanti Ahmadinexhadin.

Të paktën 500 njerëz u tubuan të dielën në plazhin e njohur Ipanema, në Rio de Zhaneiro, për të protestuar kundër vizitës së presidentit iranian.

Në mesin e tyre kishte aktivistë për të drejtat e njeriut, të krishterë dhe hebrej. Komuniteti hebraik në vend është tejet i shqetësuar, sidomos për shkak të mohimit të ripërsëritur të Ahmadinexhadit ndaj Holokaustit.

Mishel Hellil është drejtues i komunitetit hebrej në Rio de Zhaneiro.

“Gjithçka që Brazili përfaqëson, si demokracia, diversiteti, përfshirja sociale, lufta kundër racizmit, është mu ajo që Ahmadinexhadi e mohon”.

“Kur ai të mbërrijë në Brazil, ne do t’i tregojmë presidentit da Silva se çfarë rëndësie kanë këto gjëra për ne. Të mohosh Holokaustin, të mohosh vuajtjet e miliona njerëzve në Iran, është sikur të mohosh Brazilin”,
thotë Hellil.

Raportet nga Brazili thonë se Lula synon të marrë rolin e ndërmjetësuesit në kontestin bërthamor ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, dhe gjithashtu dëshiron të përpiqet të fusë duart në diplomacinë e Lindjes së Mesme.

Javën e kaluar, presidenti i izraelit, Shimon Peres, ishte mysafir i presidentit brazilian, kurse presidenti palestinez, Mahmud Abas, do ta vizitojë nga fundi i javës.

Vitin e ardhshëm, Brazili e merr rolin e kryesuesit të Këshillit të Sigurimit dhe Ahmadinexhad mund të ketë ndjerë se ia vlen t’i afrohet Brazilit, në dritën e presioneve të reja që Këshilli i Sigurimit mund t’ia imponojë për kontestin bërthamor.

Pas Brazilit, Ahmadinexhad do të vizitojë Venezuelën, ku do të takojë mikun dhe aleatin e tij, Hugo Çavez.

Të premten, populisti Çavez i quajti vëllezër Robert Mugaben e Zimbabvesë dhe Ahmadinexhadin, duke lënë të kuptohet se nuk do të çajë kokën për kritikat që u bëhen aleatëve të tij.

Ahmadinexhad, gjithashtu, përpiqet të shqetësojë Uashingtonin me vizitat në Venezuelë dhe Bolivi, vende të cilat kohëve të fundit kanë zhvilluar marrëdhënie tejet të ngushta me Rusinë. (V.P.)
XS
SM
MD
LG