Ndërlidhjet

logo-print

Zyrtarë të KQZ-së thonë se nuk mund t’i shpallin rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e 15 nëntorit pa përfunduar puna në Komisionin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.



Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pritet të marrë vendimin për 91 ankesa e parashtresa, të cilat partitë politike ia kanë adresuar këtij institucioni, në lidhje me zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Zyrtarë të KZAP-it njoftojnë se deri më sot kanë pranuar 209 ankesa e parashtresa, prej të cilave për 118 është nxjerrë vendimi.

Pesëdhjetepesë prej këtyre vendimeve thuhet se i përkasin fushatës parazgjedhore, ndërsa 63 i përkasin ditës së zgjedhjeve. Përfaqësuesi i KZAP-it, Osman Tmava, jep një pasqyrë më të detajuar për natyrën e ankesave.

“Prej tyre 7 lëndë i referohen rinumërimit, përkatësisht urdhrit që i është dhënë KQZ-së për t’i evituar parregullsitë me rastin e numërimit, ndërsa 91 janë ankesa dhe parashtresa, për të cilat pritet vendimi”,
shpjegon Tmava.

Komisioni Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa kishte kërkuar të bëhet rinumërimi i votave për vendvotimet, për të cilat subjektet politike janë ankuar se ka pasur manipulime.

Ditë më parë, u bë e ditur se janë hetuar 39 prej 91 kutive që janë në karantinë dhe se kishte përfunduar rinumërimi i votave në dy vendvotime në Lipjan dhe në dy në Shtërpcë, në njërin prej të cilëve ka pasur mospërputhje, meqë nuk janë gjetur 62 fletëvotime.

Thuhet se rinumërimi ka përfunduar po ashtu edhe në një vendvotim të komunës së Malishevës dhe në tri vendvotime në komunën e Gjakovës, ku përfshihet një vendvotim në fshatin Demjan dhe një në fshatin Novosellë.

Këtë e konfirmon koordinatori i Qendrës së numërimit të rezultateve, Burim Ahmetaj.

“Me kërkesë të KZAP-it, janë rinumëruar dhe ka përfunduar procesi i rinumërimit”,
shprehet ai.

Mirëpo, kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, thotë se fillimisht duhet të përfundojë e tërë puna në Qendrën e numërimit të rezultateve para se të jepen rezultatet përfundimtare.

Andaj, shprehet ajo, KQZ-ja nuk mund të precizojë kohën kur do të jetë në gjendje të dalë me rezultatet përfundimtare.

“Atëherë kur kryhet puna në qendrën e numërimit të rezultateve”
, thekson Lushta, duke hedhur poshtë kritikat për vonesat e KQZ-së në këtë drejtim.

“Konsideroj se jemi në kohë. Kemi thënë që në fund të javës ose në fillim të kësaj jave do t’i shpallim rezultatet - ashtu dhe do të ndodhë, mirëpo më saktë nuk e di”,
thotë Lushta.

Dinamika e punës së Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të përcaktojë dhe nisjen e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, i cili është parashikuar të zhvillohet më 13 dhjetor.

Zyrtarë të KQZ-së nuk kanë përjashtuar mundësinë që, për shkak të zvarritjeve eventuale në KZAP, të shtyhet zhvillimi i balotazhit në 20 komuna të Kosovës.
XS
SM
MD
LG