Ndërlidhjet

Rohan: Pesë vendet e BE-së po vonojnë stabilitetin


Albert Rohan

Albert Rohan

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ish-zëvendësi i kryenegociatorit të OKB-së për statusin e Kosovës, Albert Rohan, kritikoi pesë vendet e BE-së për mosnjohjen e Kosovës. Ai tha se vendimi i këtyre vendeve po vonon normalizimin dhe stabilizimin e rajonit.



Njëri nga autorët e propozimit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, Albert Rohan, tha sot në Prishtinë se pavarësia është e pakthyeshme dhe se është iluzion të mendosh të kundërtën. Diplomati austriak kërkoi nga Serbia që ta njohë sa më shpejt këtë realitet.

Dëshiroj dhe shpresoj se edhe Beogradi do ta pranojë këtë realitet dhe në vend se të krijojë vështirësi për Kosovën, është mirë që t’ia ofrojë dorën e miqësisë këtij kombi të ri, i cili gjithnjë do të mbetet fqinji i tij”.

“E njëjta vlen edhe për pesë vendet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe refuzojnë t’i bashkohen konsensusit të shumicës, duke penguar kështu një qëndrim të unifikuar të BE-së”,
tha Rohan në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur për nder të tij.

Ai tha se vendimi i këtyre pesë vendeve të BE-së po vonon normalizimin dhe stabilizimin e rajonit.

Njohja e Kosovës si shtet i pavarur, sipas Albert Rohanit, është penguar në një shkallë edhe nga procesi mbi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i cili pritet të fillojë brenda disa ditëve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

“Shumë vende që kanë hezituar, e kanë shtyrë njohjen dhe kanë thënë se do të presin edhe nja një gjysmë viti e pastaj do të shohin”.

“Problem për më vonë mbetet fakti se ky vendim që do të merret nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, nuk do të jetë shumë i qartë dhe këtë e ka thënë edhe kryetari i kësaj gjykate. Në të, me gjasë, do të flitet për disa parime të së drejtës ndërkombëtare”.

“Në anën tjetër, do të flitet për realitetet politike dhe, në fund, secila palë mund të thotë: epo, ky vendim i pasqyron mjaft mirë argumentet tona. Prandaj, unë nuk mund të parashoh se çfarë do të ndodhë pas këtij vendimi, por ky rast i vështirë dhe vendimi që pritet të merret në pranverë, apo kurdo qoftë, i pengojnë njohjet e mëtejme. Jam i sigurt për këtë”.

“Se a do të formulohet ky vendim ashtu që t’i nxisë vendet qëllimmira të thonë se tani mund ta njohin Kosovën, mbetet të shihet dhe varet nga mënyra se si kjo gjykatë do ta formulojë këtë vendim”,
vlerësoi ambasadori Rohan.

Ai theksoi se e ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane. Por, ai tha se parasheh vështirësi për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Kosova do të bëhet anëtare e OKB-së atëherë kur Serbia të jetë e gatshme që ta pranojë pavarësinë dhe të heqë dorë nga rezistenca ndaj anëtarësimit në OKB”.

“Është krejt e thjeshtë. Rusia ka thënë se do të mbështesë gjithnjë qëndrimin e Serbisë. Rusia mund të vë veto ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe kjo do të zgjasë derisa Serbia të mos heqë dorë
”, tha Rohan.

Diplomati austriak përgëzoi kosovarët për zgjedhjet e 15 nëntorit, ndërsa e pa si shenjë inkurajuese pjesëmarrjen e serbëve në jug të lumit Ibër. Ai tha se ky është tregues se komuniteti serb po e njeh realitetin.

Rohan shfaqi shpresën se e njëjta gjë do të ndodhë edhe me serbët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, ku janë më të forcuara strukturat paralele, të financuara nga Beogradi.

Ish-zëvendësi i kryenegociatorit të OKB-së për statusin e Kosovës, Albert Rohan, është dekoruar nga presidenti i Kosovës me Medaljen e Artë të Pavarësisë.

“Në kontributin e dhënë për të gjetur formulën më të mirë, me të cilën, edhe formalisht, me mbështetjen ndërkombëtare, mbështetet pavarësia e vendit, krahas vullnetit politik të popullit të saj, në angazhimin e sinqertë në të gjitha fazat në mbështetje të mëtejshme të zhvillimit... kam privilegjin si president i Kosovës t’i dorëzoj këtë medalje, për të cilën sot kam marrë vendim”.

“Është Medalja e Artë e Pavarësisë, me të cilën dëshiroj të jetë një simbolikë e përkushtimit dhe mirënjohjes sonë të thellë ambasadorit Rohan”,
tha presidenti Fatmir Sejdiu.

Merita për zgjidhjen e procesit të statusit, diplomati austriak ka marrë edhe nga kryeministri Hashim Thaçi.

“Roli i zotit Rohan ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm edhe para luftës, edhe gjatë luftës, ku kemi zhvilluar takime, kemi biseduar, i kemi besuar këtij procesi, për të ardhur këtu ku jemi, e në veçanti për statusin politik të Kosovës”, tha Thaçi.

Në të njëjtën frymë u shpreh edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Ka qenë një nga personalitet kyçe në bisedimet që janë zhvilluar në Vjenë për statusin politik të Kosovës dhe, së bashku me presidentin Ahtisari, kanë dhënë një dokument gjithëpërfshirës, që Kosovës i ka hapur rrugën e shpalljes së pavarësisë”, tha Krasniqi.

Diplomati austriak e ka quajtur nder të madh marrjen e Medaljes së Artë të Pavarësisë, duke potencuar se përfshirja e tij në Kosovë nuk ka filluar vetëm me procesin e statusit, por 20 vjet më parë.

Albert Rohan shpallet nga Universiteti i Prishtinës doktor Honoris Causa.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG