Ndërlidhjet

Mbi 20 lëndë ende s'janë shqyrtuar



Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) ka bërë të ditur se kanë mbetur pa u përfunduar rreth 20 lëndë, që janë paraqitur nga subjektet politike që garuan në zgjedhjet vendore të 15 nëntorit.


Muharrem Shala, përfaqësues në KZAP, ka thënë se meqë ankesat, në bazë të të cilave janë krijuar lëndët për shqyrtim, kanë qenë të parregullta, ato janë kthyer mbrapsht për t’u plotësuar dhe korrigjuar.

Ai ka thënë se disa nga lëndët që janë kthyer, kanë të bëjnë me rinumërimin e votave.

Sipas tij, rinumërim të votave do të ketë në disa vendvotime në Gjakovë, Malishevë, Lipjan dhe Prizren.

“Deri në ditën e djeshme, të datës 23, ishin 209 lëndë të formuara në bazë të ankesave dhe parashtresave. Prej tyre kanë mbetur pa u kryer 20 apo më shumë lëndë, e janë kryer më shumë se 180 apo 190 lëndë”.

“Kanë mbetur pa u kryer disa ankesa dhe parashtresa, që kanë qenë të parregullta dhe janë kthyer për t’u plotësuar, për t’u korrigjuar... p.sh. për rinumërim në disa vendnumërime që janë në Gjakovë, Malishevë, Lipjan dhe Prizren, mirëpo në Gjakovë është e sigurt”,
ka thënë Shala.

Nga ana tjetër, kryeshefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Xhemajl Peqani, ka theksuar se qendra kryesore e numërimit të votave, pas kërkesës së KZAP-it, ka bërë rinumërimin e votave.

“KZAP-i i ka shqyrtuar të gjitha ato ankesa dhe i ka kthyer te ne. Ne i kemi rinumëruar dhe i është kthyer përgjigjja KZAP-it. Tash KZAP-i sjell vendimin për gjetjet në kutitë e votimit”, ka thënë Peqani.

Mirëpo, sipas Peqanit, që i referohet Ligjit për zgjedhje, nuk mund të ketë rivotim në asnjë qendër të votimit në komuna.

“Ligji mbi zgjedhjet askund nuk thotë se do të ketë rivotim përsëri. Ligji nuk e precizon”, ka theksuar Peqani.

Ndërkaq, eksperti për çështje zgjedhore dhe ish-shefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka thënë se nëse në një komunë shpallen disa qendra të votimit të pavlefshme nga KZAP-i dhe bie numri i votave që një kandidat i caktuar ka fituar, atëherë kandidatët, të cilët kanë më së shumti vota, hyjnë në balotazh.

“Në bazë të ankesës së ndonjë subjekti politik, KZAP-i sjell vendim që të bëhet rinumërimi. Pra, duhet të bëhet rinumërimi dhe një vendim i tillë, me sa e di unë, ka ardhur për të paktën tri qendra votuese”.

“Pastaj bëhet rinumërimi dhe nëse numri i votave shpallet i pavlefshëm, gjegjësisht anulohen votat aty dhe nëse ato vota të anuluara e zbresin përqindjen nën 50 %, atëherë kandidati duhet të kalojë në balotazh dhe të shkojë më 13 dhjetor bashkë me kandidatin tjetër”,
ka thënë Baraliu.

Baraliu ka theksuar se një gjë e tillë parashikohet me ligj dhe në të gjitha rregullat për zgjedhje që organizon KQZ-ja.

Deri më tash, KZAP-i ka marrë gjithsejtë 209 lëndë për shqyrtim në bazë të ankesave dhe parashtresave që janë paraqitur nga subjektet politike që garuan në zgjedhjet vendore të 15 nëntorit.

Sido që të jetë, përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ende nuk kanë saktësuar se kur ky institucion do të dalë me rezultate përfundimtare. Këto rezultate mund të priten pasi KZAP-i të ketë përfunduar shqyrtimin e të gjitha lëndëve.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG