Ndërlidhjet

Në Kosovë po mbahet konferenca rajonale për shkëmbimin e përvojave mbi luftën kundër korrupsionit. Pjesëmarrësit në këtë konferencë thonë se kjo dukuri është e pranishme në institucionet publike në Kosovë dhe atë, sipas tyre, në një nivel mjaft të lartë dhe shqetësues.


Pjesëmarrësit e konferencës rajonale “Ndarja e eksperiencave mbi luftimin e korrupsionit” thonë se kontrolli i deklarimit të pasurisë dhe rasteve të konfliktit të interesit, të kryera nga zyrtarët publikë, është një instrument i rëndësishëm në luftimin e korrupsionit.

Me qëllim të parandalimit dhe sforcimit të luftës kundër korrupsionit në Kosovë, drejtori i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Parviz Fartash, thotë se UNDP-ja do ta mbështesë në vazhdimësi Kosovën.

“Është një problem shumë i madh. Ka ndoshta probleme më të mëdha në lidhje me zhvillimin ekonomik, si për shembull: papunësia dhe çështjet e pronësisë, mirëpo korrupsioni është një nga çështjet më komplekse në lidhje me qeverisjen, që duhet të trajtohet”.

“Është pjesë e përpjekjeve për zhvillim që duhet të adresohet në mënyrë specifike”,
shprehet Fartash, duke theksuar mbështetjen e UNDP-së në lidhje me qartësimin e dukurisë së korrupsionit dhe organizmave që kanë për qëllim diskutimet e kësaj dukurie.

Përfaqësuesi i Sllovenisë, Gorazd Salomon, thekson se shteti që ai përfaqëson përdor një mekanizëm tjetër, i cili, sipas tij, parandalon korrupsionin në nivele të ndryshme.

Kemi shumë detyra të ndryshme bazuar në Ligjin për parandalimin e korrupsionit. Nga këto do të theksoja planet për integritet, të cilat na tregojnë pozita riskante në kompani të ndryshme”.

“Kur ne zbulojmë se cilat pozita janë riskante, atëherë duhet të shpenzojmë shumë energji për të parandaluar faktorë të tillë riskantë. Një tjetër detyrë që bazohet në këto plane është ndalimi i marrjes së dhuratave. Ne kontrollojmë situatën financiare të zyrtarëve të lartë dhe të tjerë”,
thotë përfaqësuesi i Sllovenisë, Gorazd Salomon.

Shkëmbimi i përvojave me vende të ndryshme, sipas përfaqësuesit të Malit të Zi, Sllobodan Lekov, është një hap pozitiv në drejtim të luftimit të korrupsionit, informimit mbi të dhe masave që mund të ndërmerren në rast të shfaqjes së tij.

“Mali i Zi, sipas raportit më të ri, është 15 vende përpara, krahasuar me atë ku ishte më herët, dhe kjo është diçka që na gëzon. Kur janë në pyetje ish-republikat e Jugosllavisë, ne jemi menjëherë pas Kroacisë dhe para Serbisë, Bosnjës, Kosovës, Maqedonisë”.

“Po bëjmë përpjekje për t’i përmbushur kriteret për pyetësorin, i cili është para nesh për anëtarësim në Bashkimin Evropian”,
thotë Lekov.

Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, e cila në raportet e saj vjetore jep një pasqyrë për shkallën e korrupsionit në Kosovë, vazhdimisht ka kritikuar institucionet, si: qeverinë, gjyqësorin dhe të tjerat, për nivelin e korrupsionit në vend.

Drejtori i kësaj agjencie, Hasan Preteni, thekson se angazhimi i mekanizmave përgjegjës për luftën kundër kësaj dukurie në Kosovë, është i dobët.

“Mendoj se të gjithë ne duhet të punojmë më shumë, mirëpo një përgjegjësi e veçantë në rastin e Kosovës është te gjyqësori; pak po hetohet kurse nuk po gjykohet fare. Ne nuk do të ndalemi me konstatime, ne do të punojmë që t’u bëjmë shtyrje këtyre mekanizmave, që kjo luftë të jetë e suksesshme”, thotë Preteni.

Në konferencën rajonale “Ndarja e eksperiencave mbi luftimin e korrupsionit” po marrin pjesë përfaqësues nga Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria, Kroacia, Turqia.

Ftesën për të marrë pjesë në këtë konferencë, sipas zyrtarëve të Agjencisë Anti-korrupsion në Kosovë, e ka pasur edhe Serbia dhe Bosnja, porse ato nuk i janë përgjigjur ftesës.

Ndryshe, sipas raportit të fundit të UNDP-së, korrupsioni është renditur si i pesti në listën e problemeve madhore me të cilat ballafaqohet Kosova.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG