Ndërlidhjet

Ndërrimi i ministrave, shans për qeverinë


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Analistët në Prishtinë vlerësojnë se ndërrimet e paralajmëruara të disa ministrave në Qeverinë e Kosovës janë përpjekje për të mbajtur në jetë koalicionin.




Koalicioni qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të mbetet në jetë me një rikonfigurim dhe me ndërrimin e disa ministrave, vlerësojnë analistët.

Sidoqoftë, ky koalicion, pas zhvillimeve të javës së kaluar, kur fillimisht ishte shpallur prishja e më pas vazhdimi i koalicionit, sipas analistëve, vlerësohet se vështirë do të mund të tregohet efikas dhe funksional.

Analisti Bardh Hamzaj thotë se java e kaluar dëshmoi për kulmimin e krizës në koalicionin PDK-LDK.

Kjo krizë, sipas tij, erdhi si rrjedhojë e deklaratave të zyrtarëve të të dyja partive gjatë fushatës elektorale, si dhe pasoi shqetësimin e PDK-së pas lidhjes së koalicioneve nga ana e LDK-së me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës nëpër komuna të caktuara.

Kurse, vazhdimi i koalicionit, sipas Bardh Hamzajt, vjen edhe si rrjedhojë e presioneve nga faktori ndërkombëtar.

“Ky koalicion, funksionalisht, nuk është më i përdorshëm dhe, në njëfarë mënyre, po të varej nga vullneti i partive që janë sot në koalicion, ai do të prishej që tani”.

“Fakti se jemi në mes të procesit zgjedhor dhe ngjarjet që kanë të bëjnë me imazhin e Kosovës në aspektin ndërkombëtar, siç është pritja e procesit në GJND, bëjnë që ky koalicion, sidomos me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, të mbahet edhe një kohë”,
thotë Hamzaj.

Ndërkohë, analisti Shkëlzen Maliqi thotë se PDK-ja dhe LDK-ja mund të vazhdojnë me qeverisjen, duke e rikonfiguruar koalicionin me zëvendësimin apo ndërrimin e disa ministrave të caktuar.

Sipas Maliqit, me ndërrimin e disa ministrave, performansa e të cilëve ishte më e dobët, mund të mbahet në jetë qeverisja ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.

Mendoj se kjo qeveri ka nevojë të freskohet me njerëz më agilë në disa sektorë që nuk kanë punuar si duhet dhe kjo është evidente”.

“Tash nuk po hyj në detaje e të them se cilat ministri nuk kanë punuar si duhet, por kemi sot spekulime që tregojnë se gati 7 apo 8 ministra janë në shqyrtim e sipër, të cilët në këto dy vjet nuk kanë treguar rezultate që të lejohet që ata të vazhdojnë punën”,
thekson Maliqi.

Ndryshe nga Maliqi vlerëson Bardh Hamzaj, i cili thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme. Kurse, ndërrimi i ministrave, sipas Hamzajt, nuk sjell shumë risi në shëndetin e këtij koalicioni.

“Mendoj se kriza nuk mund të kalohet me ndonjë rikonfigurim, por nëse partnerët e koalicionit kanë ardhur në përfundim se, megjithatë, deri në momentin e shpalljes së zgjedhjeve të reja duhet ta mbajnë disi koalicionin, atëherë krejt ajo që mund të bëjnë është ndërrimi i ndonjë ministri”.

“Mendoj se më lehtë e realizueshme është ndërrimi i ministrave të LDK-së, por e tërë kjo edhe nëse ndodh, nuk besoj se do të sjellë ndonjë përmirësim apo cilësi në nivelin e qeverisjes te ne”,
vlerëson Hamzaj.

Në anën tjetër, analisti Shkëlzen Maliqi thotë se përveç formulës PDK-LDK, aktualisht nuk ka formula tjera të qëndrueshme, pasi që nuk do të mund të sigurohet shumica në Kuvend.

Kështu që, sipas tij, krahas ndryshimeve në përbërjen e ministrive, mund të ketë edhe një program të ri, i cili bashkon qëllimet e dy partive në qeveri.

“Koalicionet tjera të mundshme kanë qenë vetëm teorike dhe nuk kanë siguruar efektshmëri ose stabilitet”.

“Meqë situata është prapë e njëjtë, do të ishte mirë që të vazhdojë ky koalicion, por të hartohet një program 6-8 pikësh... Domethënë, ka 4-5 ministri që me të vërtetë duhet të tregojnë shumë më tepër, që të arsyetojnë mbetjen e kësaj qeverie”,
thotë Maliqi.

Vazhdimi i koalicionit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, sipas Bardh Hamzajt, mund ta dëmtojë më së tepërmi partinë shumicë. Ndërkaq, Shkëlzen Maliqi beson se deri në zgjedhjet e vitit 2011, me anë të rikonfigurimit, koalicioni aktual qeverisës ka edhe një shans që të dëshmojë se është i aftë të qeverisë në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG