Ndërlidhjet

Me gjithë kritikat e deputetëve të partive opozitare se qeveria ka ndarë buxhetin e vitit 2010 në mënyrë joproporcionale për komunat përkatëse, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, vërehet se shuma më të mëdha të buxhetit janë ndarë për komunat, në të cilat nuk ka pasur investime për kohë të gjatë.


Kuvendi i Kosovës dje ka miratuar në parim projekt-buxhetin për vitin 2010, edhe pse, gjatë debatit, deputetët e partive opozitare kanë vlerësuar se është bërë ndarje joproporcionale e buxhetit, duke u dhënë prioritet komunave të drejtuara nga partia në pushtet. Ndërkaq, komunat tjera, sipas tyre, janë lënë anash.

Por, si i vlerësojnë këto kritika njohës të çështjeve ekonomike?

Eksperti Ibrahim Rexhepi thotë se në shikim të parë të buxhetit, krijohet përshtypja se ka ndikime politike, por, sipas tij, qeveria ka ndarë mjete më të mëdha buxhetore për komunat, të cilat kanë më tepër nevojë për zhvillim ekonomik dhe infrastrukturë.

“Nuk do të thosha se kjo është tendencë e pozitës që të financojë vetëm atje ku ka pushtetin apo ithtarët e vet, por, megjithatë, bëhet fjalë për zona bukur të lëna pas dore për një kohë të gjatë. Dhe, realisht, atyre u duhet edhe ujësjellësi, rruga, shkolla dhe ambulanca”, shprehet Rexhepi.

Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta ndajë buxhetin përmes projekteve të prezantuara nga komunat përkatëse. Ai nuk dëshiron të besojë se qeveria ka ndarë më tepër buxhet për komunat ku qeveris pozita.

“Në qoftë se qeveria ndan mjete për komunat e caktuara dhe ato komuna, realisht, nuk do të kenë fuqi absorbuese për t’i futur në investime për vitin për të cilin i destinohen këto mjete... prandaj, po them se duhet të ekzistojë ajo lidhja ndërmjet financimit nga buxheti i Kosovës dhe nevojave të projekteve të përgatitura nga vetë komunat”, thotë Keqa.

Edhe zyrtarë të Asociacionit të Komunave të Kosovës pohojnë se nuk kanë vërejtur padrejtësi gjatë ndarjes së buxhetit për komunat. Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i këtij asociacioni, thotë se ndarja e buxhetit bëhet në bazë të formulës së përcaktuar nga niveli qendror, do të thotë në bazë të numrit të popullsisë në komunat përkatëse.

“Niveli qendror i bën ato ndarje në bazë të formulës, e cila është e përcaktuar edhe më herët. Ne nuk kemi vërejtur ndonjë ndasi”, thekson Ibrahimi.

Ndryshe, nga buxheti i vitit 2010, që arrin në 1 miliard e 460 milionë euro, 283 milionë euro janë dedikuar për të gjitha komunat e Kosovës. Ky buxhet, sipas ministrit të Ekonomisë dhe Financave, ka për synim mbështetjen e politikave zhvillimore dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve në tërë territorin e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG