Ndërlidhjet

Klinton optimiste rreth premtimeve të Karzait

  • RFE /RL

Hillari Klinton

Hillari Klinton

Në një intervistë ekskluzive për Radion Evropa e Lirë, sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, ka folur për luftën e Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit në Afganistan dhe Pakistan.



RADIO EVROPA E LIRË

Bashkësia ndërkombëtare dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara kanë apeluar te presidenti afgan Hamid Karzai që të mos përfshijë në qeveri elementet e luftës. Por, në anën tjetër ju keni mbështetur bisedimet paqësore me Talebanët?

HILARI KLINTON
E dijë se ka shumë komente në planin ndërkombëtar për atë se kush është dhe kush jo në qeverinë afgane. Ne e kemi bërë të qartë se ne duam të shohim në qeveri njerëz të aftë, njerëz të dedikuar ndaj popullit të Afganistanit që mund të avancojnë jetën e tyre.

Në lidhje me pyetjen që ka të bëjë me zgjidhjen politike kur bëhet fjalë për Talebanët, kjo varret nga populli i Afganistanit. Por, është e rëndësishme që kush do qoftë që ftohet në shoqëri, duhet të heqë dorë nga dhuna. Duhet t’i jepet fund çfarëdo forme kapaciteti ushtarake, që është jashtë rradhëve të ushtrisë dhe policisë.

Pikërisht për këtë ne jemi të zotuar të ndihmojmë në ngritjen e një ushtrie dhe policie profesionale dhe të disiplinuar..

RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti Obama i ka dhënë Hamid Karzait afat gjashtë mujor për të asgjësuar korrupsionin. Por, shumë ekspertë afganë besojnë se për Karzain do të jetë shumë vështirë të përmbushë këtë kërkesë në këtë afat. Cili do të jetë reagimi i SHBA-ve, nëse Karzai dështon në përmbushjen e këtij qëllimi?

HILARI KLINTON
Jam e kënaqur nga ajo që presidenti Karzai ka thënë për korrupsionin. Ai ka bërë një zotim shumë të fuqishëm për luftën kundër korrupsionit. Ky është një zhvillim pozitiv dhe kjo demonstron besimin te presidenti Karzai.

Ai ka filluar me aksion në këtë drejtim dhe kjo është pikërisht ajo që presidenti Obama ka dashur të shohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Administrata e SHBA-ve ka kërkuar nga ushtria e Pakistanit të nisë aksion kundër Talebanëve të udhëhequr nga Mulla Omar dhe rrjetit në Vaziristanin Verior të Xhalaludin Hakanit. A ka lëvizje të ushtrisë së Paksitanit në këtë drejtim?

HILARI KLINTON
Ushtria e Paksitanit është duke punuar shumë në Vaziristanin jugor dhe ata atje kanë përcaktuar prioritetet. Por, ne do të vazhdojmë të bëjmë presion mbi ata që të luftojnë të gjitha format e ekstremizmit. Disa prej tyre godasin Pakistanin, ndërsa disa të tjerë Afganistanin.

Afganistani nuk mund të vë kontroll mbi territorin e vetë dhe të mposhtë Talebanët nëse ata do të mund të kalojnë kufirin dhe të kalojnë në Pakistanit, si hapësirë e sigurtë për ta. Shi për këtë ne e shohim bashkë Afganistanin dhe Pakistanin kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka raporte të mediave se Shteteve të Bashkuara janë duke negociuar për vendosjen e disa standardeve specifike për Afganistanin dhe Pakistanin për të trasuar rrugën për tërheqjen e trupave ndërkombëtare nga këto dy vende. Çfarë mund të jenë këto standarde?

HILARI KLINTON
Nuk mendoj se kemi të bëjmë me standarde ashtu siç po i përshkruani. Ajo që jemi duke e bërë është përcaktimi i disa masave për të parë nëse jemi të suksesshëm. Shtetet e Bashkuara duan të kenë marrëdhënie afatgjata me Afganistanin, por nuk e shohim se këtë raport duhet parë vetëm si marrëdhëdhënie ushtarake, ku ne dërgojmë trupat tona për të luftuar.

Ne duam të shohim një profesionalizim të ushtrisë së Afganistanit, që pastaj ne të japim vetëm këshilla dhe trajnim.

Por, ne kemi edhe një zotim të madh civil. Kemi trefishuar numrin e civilëve që bëjnë punë zhvillimore dhe që bashkëpunojnë me qeverinë afgane. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne duam të jemi këtu për një kohë të gjatë për të ndihmuar Afganistanin që të ngritë një sistem arsimor, të avancoj sistemin shëndetësor...Ka shumë gjëra të mira dhe premtuese që i shohim në Afganistan dhe ne duam të jemi miqë dhe partnerë që Afganistani t’i arrijë këto qëllime.
XS
SM
MD
LG