Ndërlidhjet

Dell: FSK në të ardhmen pjesë e NATO-s


Forca e Sigurisë e Kosovës
Forca e Sigurisë e Kosovës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kristofer Dell, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës në të ardhmen do të jetë pjesë përbërëse e NATO-s.




Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kristofer Dell, e sheh të ardhmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të Aleancës Veri-atlantike.

Ai ka kërkuar nga liderët kosovarë që të fokusohen në ndërtimin e kësaj force, e cila aktualisht ka arritur vetëm kapacitete fillestare operacionale.

Një ditë pas reagimeve të liderëve kosovarë në lidhje me ngritjen e bazës ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën, ambasadori Dell ka bërë të ditur se nuk sheh ndonjë rrezik për Kosovën nga ushtritë e vendeve fqinje.

“Kosova ka projekt të madh për ndërtimin e Forcës së saj të Sigurisë dhe Kosova duhet të fokusohet në këtë dhe ta lejojë Serbinë të bëjë atë që dëshiron të bëjë”.

“Të dy vendet kanë synim anëtarësimin në NATO. Në një kohë të caktuar të dyja ushtritë do të jenë aleate të përbashkëta të NATO-s dhe nuk do të ketë rëndësi se kush ku do të ketë bazë ushtarake”,
ka theksuar ambasadori Dell.

Ambasadori amerikan, Dell, i ka bërë këto komente me rastin e inaugurimit të laboratorëve të gjuhës angleze në Komandën e Forcave Tokësore të FSK-së, në Prishtinë, donacion ky prej 300 mijë dollarësh i Qeverisë amerikane.

Ai më tej është shprehur se ndihet krenar që po i ndihmon FSK-së për t’u avancuar dhe për të arritur kapacitete të plota operacionale.

Ndërkaq, ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, ka thënë se ndërtimi i FSK-së është duke u bërë në bazë të planit politiko-ushtarak të përbashkët mes Brukselit dhe NATO-s.

Ministri Mujota, duke komentuar ndërtimin e bazës ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën, ka thënë të mos jetë i interesuar me punët e shtetit serb, por, siç është shprehur ai, orientimi i shtetit fqinj është i gabuar.

“Po punojmë për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Po punojnë mbi bazën e planit strategjik dhe planit të organizuar mirë, siç e dini ju, politiko-ushtarak me Brukselin, me NATO-n”.

“Prandaj, ne jemi të fokusuar në çështjet tona të brendshme dhe nëse kërkoni një përgjigje se çka mendojmë në kuptimin e përgjithshëm, do të thosha që, nëse ka qëllime të tjera, do të ishte një kthim koke në kahen e gabuar. Prandaj, ne po bëjmë punën tonë”, ka thënë Mujota.

Në fund të procesit të operacionalizimit të plotë, Forca e Sigurisë së Kosovës pritet të ketë 2.500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervë.
XS
SM
MD
LG