Ndërlidhjet

logo-print

Sot shënohet Dita ndërkombëtare kundër dhunës ndaj gruas. Në Kosovë, ky fenomen është mjaft i pranishëm. Sipas të dhënave të policisë, vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti janë raportuar mbi 660 raste të dhunës, kryesisht ndaj femrave.


Në moshën 20-vjeçare, Shpresa u martua. Ajo gjithnjë mendonte se si të krijonte familje me burrin e saj. Por, ëndrrat e saj nuk zgjatën shumë, pasi bashkëshorti, pas disa muajsh, kur Shpresa ishte shtatzënë, filloi të ushtrojë dhunë mbi të. Përkundër dhunës, Shpresa për 16 vjet ruajti martesën.

Është kjo një pjesë e rrëfimit të Shpresës, që tashmë është 40-vjeçare dhe ka katër fëmijë.

Në fakt, Shpresa është emër i sajuar, pasi ajo nuk dëshiron që të tjerët të dinë për të dhe t’ia njohin zërin. Ajo u druhet fjalëve të rënda nga rrethi dhe shoqëria.

“I kam katër fëmijë, i kam rritur të izoluar. Sot pres të ndahem nga ai, sepse problemet vazhdojnë. Edhe mua më mbante të izoluar, nuk më linte asnjëherë të dal. Ka dashur të ma ndalë familjen, as mos të shkoj, as mos të vijnë... Gjithmonë dhunë fizike dhe dhunë psikike”, rrëfen Shpresa.

Por, cila është arsyeja që bashkëshorti i saj, njëherësh babai i katër fëmijëve, ushtron dhunë?

“Vetë dëshiron të bëjë probleme. Ai është martuar i përgatitur, vetëm t’i ketë katër-pesë fëmijë dhe të më largojë mua nga shtëpia. Ai vetë është deklaruar se nuk dëshiron grua, por vetëm pasardhës”, thotë Shpresa.

Nga dhuna e ushtruar ndaj Shpresës, kanë pësuar edhe dy vajzat dhe dy djemtë e tyre.

“Fëmijët janë me mua dhe janë të pajtimit që të ndahem. Shohin shumë ëndrra, frikësohen se po i rrah babai. Ai iu kërcënohet vazhdimisht...”, thotë ajo.

Janë dashur 16 vjet që Shpresa të bindet për ta paraqitur rastin në organet kompetente, ndërsa që 4 vjet është në proces të ndarjes. Gjithë këtë kohë, ajo thotë se është munduar edhe të kënaqet me rolin e saj si bashkëshorte dhe si nënë.

“Jetojmë bashkë në një shtëpi, por e kam një urë për mbrojtje. Ai nuk ka të drejtë të afrohet tek unë dhe nuk ka të drejtë të kërkojë asnjë shërbim nga unë. Gjykata ka lëshuar vendim që nuk ka të drejtë të afrohet tek unë”, tregon Shpresa.

Por, nuk është vetëm Shpresa viktimë e dhunës. Sipas organeve të rendit, vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti, në polici janë raportuar mbi 660 raste, ku në shumicën e tyre viktima kanë qenë gratë. Sabrije Kamberi, zëdhënëse në Policinë e Kosovës, jep statistikat tjera:

“Në vitin 2008 kanë qenë 1032 raste, në vitin 2007 – 1077 raste dhe në vitin 2006, të regjistruara kanë qenë 1370 raste”.

Përfaqësuese të organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave thonë se numri i viktimave të dhunës është më i madh, pasi, sipas tyre, jo të gjitha viktimat i paraqesin rastet në organet e rendit.

Hamide Latifi, udhëheqëse e organizatës “Gratë për Gratë”, thotë se për shkak të traditës, shpeshherë dhuna mbetet brenda mureve të shtëpisë. Mosmarrja e masave adekuate ndaj personave të dhunshëm, sipas saj, paraqet një fakt tejet shqetësues.

“Ky është një problem. Drejtësia po vepron shumë ngadalë dhe drejtësia ndaj ushtruesve të dhunës në familje është shumë e butë. Prandaj, unë konsideroj se masat duhet të jenë më të ashpra ndaj ushtruesve të dhunës në familje”.

“Po ashtu, edhe rastet duhet të zgjidhen sa më shpejt. Në anën tjetër, ekonomikisht, unë mendoj se rasteve, të cilat janë viktima të dhunës, shteti duhet t’ua sigurojë mirëqenien”, thotë Latifi.

Ndërkaq, Anton Nokaj, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, shpjegon masat që merren për personat që ushtrojnë dhunë në familje.

“Shpeshherë shkohet me dënime mesatare, prej 2 deri në 6 muaj. Por, ato shpeshherë edhe kushtëzohen për t’i dhënë një shans që ai të përmirësohet. Nëse ai nuk përmirësohet, shkohet me dënime efektive. Dënimet shkojnë prej 2 deri në 6 muaj, varësisht nga pesha e rastit”, sqaron Nokaj.

Në anën tjetër, zyrtarë në Qeverinë e Kosovës pohojnë se ekzistojnë mekanizma të mjaftueshëm për të parandaluar dhunën. Sipas tyre, përveç ligjeve ekzistuese, Agjencia për Barazi Gjinore është duke hartuar strategjinë për parandalimin e dhunës në familje.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG