Ndërlidhjet

logo-print

Pritjet nga takimi Gruevski - Papandreu


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

Partitë politike mirëpresin realizimin e takimit direkt mes kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe atij të Greqisë, Jorgos Papandreu, për çështjen e emrit, i paraparë për të premten. Edhe ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Filip Riker, përshëndet këtë takim.



VMRO-DPMNE në pushtet, nga takimi i së premtes midis kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe atij grek, Jorgos Papandreu, në rajonin e Prespës, në territorin grek, nuk pret zgjidhje të çështjes shumëvjeçare të emrit, por vetëm përmirësim të atmosferës mes dy shteteve.

“VMRO-DPMNE nuk pret që në një takim të tillë mund të gjendet zgjidhje për problemin, i cili zgjat më shumë se 20 vjet. Por, sërish shpresojmë se takimi do të shfrytëzohet si mundësi për këmbim të mendimeve dhe përmirësim të atmosferës mes dy vendeve”,
tha deputeti nga VMRO-DPMNE, Ilija Dimovski.

Ndërsa, partia tjetër e koalicionit qeveritar, Bashkimi Demokratik për Integrim, pret që procesi të lëvizë nga pika zero.

“Mendoj se është një model i mirë që në takim të drejtpërdrejtë të mund të bëjnë një marrëveshje konkrete dhe të tejkalohet situata aq shumë e tejzgjatur në këtë drejtim. Mendoj se është e domosdoshme të gjendet një zgjidhje kompromisi mes këtyre dy shteteve për çështjen e emrit, në mënyrë që t’i ndihmohet Maqedonisë dhe Ballkanit që sa më shpejt të inkuadrohet në BE”,
tha deputeti Hani.

Ndërkaq, Lidhja Socialdemokrate e opozitës kërkoi nga kryeministri Gruevski zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Përshëndesim takimin e paralajmëruar për ditën e premte dhe presim që kryeministri Gruevski t’i ndërmarrë të gjithë hapat e mundshëm, realë dhe thelbësorë, që të tentojë të arrijë deri te zgjidhja, me çka Maqedonia do ta shfrytëzojë shansin historik, e ndoshta edhe të papapërsëritshëm që më 7 dhjetor të marrë datë për negociata dhe të marrë status të plotë në NATO”,
theksoi Igor Ivanovski, deputet i LSDM-së.

Presidenti Gjorgje Ivanov u përmbajt nga komentet rreth takimit të së premtes mes Gruevskit dhe Papandreut.

Ndërkohë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Filip Riker, dha parashikime optimiste për takimin e kryeministrit Gruevski me homologun tij grek, Papandreu.

Riker tha se beson që është e mundshme të arrihet zgjidhje në kontestin për emrin.

“Unë mendoj se data nuk duhet të shihet si afat, por si mundësi. Dhe, kjo është një mundësi për të ecur përpara dhe për ta zgjidhur këtë çështje”.


“SHBA-të, siç e dini, dëshirojnë ta shohin këtë çështje të zgjidhur dhe inkurajojnë të dyja vendet, Greqinë dhe Republikën e Maqedonisë, të përparojnë dhe të gjejnë një zgjidhje përfundimtare të kësaj çështjeje. Kështu që, mirëpresim mundësinë e takimit mes dy kryeministrave”,
tha ambasadori Riker.

Gruevski dhe Papandreu të premten do të ulen në tavolinë të përbashkët, pas mbajtjes së takimit rajonal për ndryshimet klimaterike, në kuadër të të cilit do të takohen kryeministrat nga Maqedonia, Greqia dhe Shqipëria.
XS
SM
MD
LG