Ndërlidhjet

Raportet BE-Kosovë


Miratimi i Marrëveshjes së Lisbonës është cilësuar si hap ndihmues për zgjerimin e Bashkimit Evropian pas një kohe të caktuar. Në një debat në Prishtinë, gjatë të cilit u diskutua kjo çështje, u konkludua po ashtu se Kosova, si shtet që synon integrimin në BE, duhet të jetë proaktive në përmbushjen e kritereve të vëna nga BE-ja dhe të mos presë iniciativat nga Brukseli apo vendet tjera.


Panelistë vendorë e ndërkombëtarë të një debati, gjatë të cilit u diskutua mbi kufijtë e Bashkimit Evropian dhe të ardhmen e zgjerimit, erdhën në konkludim se miratimi i Marrëveshjes së Lisbonës do të ndihmojë perspektivën e Ballkanit Perëndimor karshi BE-së, porse kjo çështje, siç u theksua, nuk do të jetë në krye të agjendës evropiane edhe për një kohë të caktuar.

Duke folur për përgjegjësitë e reja të zyrtarëve, të cilët që nga 1 dhjetori do të përbëjnë strukturën udhëheqëse të Bashkimit Evropian, zëvendësdrejtorja e Qendrës për Studime të Sigurisë dhe Politikë Evropiane për Evropën Qendrore dhe Juglindore nga Universiteti i Birmingamit në Britani të Madhe, Xhudi Bat, tha se përmirësimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, Rusinë e Kinën dhe çështjet si Irani, Iraku e Afganistani, do t’ia marrin primatin çështjes së zgjerimit të BE-së.

Ajo theksoi se në lidhje me raportet BE-Kosovë, Prishtina zyrtare duhet të jetë iniciatorja kryesore.

“Mendoj se Kosova nuk duhet të presë që iniciativat të vijnë nga jashtë. Është e qartë se BE-ja do të fillojë të mendojë për nisjen eventuale të një forme të dialogut. Beogradi thekson se do të duhej të flitej për dialog pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

“Kosova duhet të jetë gati me agjendën e saj në lidhje me atë që do të adresohet gjatë dialogut dhe jo të presë që agjenda të vendoset nga të tjerët”,
u shpreh Bat, për të shtuar se një moment i rëndësishëm politik në arenën ndërkombëtare për Kosovën, i cili do të ndikojë në problemin rreth mungesës së pesë njohjeve të shtetësisë së vendit nga ky mekanizëm, ka të bëjë me shqyrtimin e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Një gjë është shumë e qartë për mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e kjo është se ai (mendim) nuk do të jetë i qartë. Kjo, në fakt, është një gjë e mirë, sepse do të duhej të mundësonte krijimin e një hapësire për të menduar se si të ecet përpara”.

“Do të mund t’i jepte kohë Spanjës për të rimenduar qëndrimin e saj dhe kjo do të thyente një bllokadë në Bashkimin Evropian. Kjo nuk do të ndryshonte vetëm qëndrimin zyrtar të Serbisë, por do të ndryshonte qëndrimin e saj politik”,
tha Bat.

Ndërkohë, në lidhje me angazhimet e Kosovës në rrugën drejt BE-së, drejtorja e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, Venera Hajrullahu, theksoi nevojën për një agjendë zyrtare për përmbushjen e kritereve për Bashkimin Evropian.

“Agjenda evropiane duhet qartë të shihet si një prioritet nga të gjithë akterët, qoftë ata politikë, institucionalë dhe të tjerë në Kosovë, dhe t’i jepet mbështetja e duhur. Në këtë drejtim, edhe raporti i progresit ndoshta ka sjellë rekomandime që kanë kërkuar që institucionet e Kosovës t’i japin një përkushtim më të madh këtij procesi”, tha Hajrullahu.

Vërejtjet e fundit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, sipas Hajrullahut, duhet të merren më seriozisht.

“Do ta vija theksin në sundimin e ligjit. Është një prej fushave, të cilat e kondicionojnë progresin në fusha të tjera. Si i tillë mund të veçohet edhe kapaciteti administrativ, që duhet të përforcohet dukshëm po ashtu, sepse ka ndikim në zbatimin e të gjitha rekomandimeve të tjera. Natyrisht, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, janë rekomandime që përsëriten me vite”, theksoi ajo.
XS
SM
MD
LG