Ndërlidhjet

FT: “Obama në Kopenhagë me qëllim të qartë”


Presidenti Barak Obama
Presidenti Barak Obama
“Financial Times”

Presidenti Barak Obama do të udhëtojë në Kopenhagë në dhjetor, ku do të marrë pjesë në konferencën globale mbi klimën dhe do të ofrojë reduktimin e gazrave serë për 17 për qind deri në vitin 2020, krahasuar me nivelet e vitit 2005.

Megjithëse presidenti formalisht nuk do të mund të jetë në gjendje të arrijë qëllimin, për shkak se Kongresi nuk e ka mandatuar, ai qartësisht shpreson se zotimi i tij do të ndihmojë për të siguruar një marrëveshje të re ndërkombëtare mbi ndryshimet klimatike.

Zoti Obama do të marrë pjesë në samitin në Kopenhagë më 9 dhjetor, për shkak se “me padurim pret që të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të bërë përparim drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe operacionale në Kopenhagë”, tha Shtëpia e Bardhë.

“Vendimi i presidentit për të shkuar është shenjë e përkushtimit të vazhdueshëm të tij për të gjetur një zgjidhje globale për kërcënimin global të ndryshimeve klimatike dhe për t’i vënë themelet e një të ardhmeje energjetike më të qëndrueshme dhe më prosperuese”, tha Shtëpia e Bardhë.

Një ditë më pas, zoti Obama do të shkojë në Oslo, që ta pranojë Çmimin Nobel për Paqe.

Rreth 65 liderë botërorë pritet të marrin pjesë në tubimin, i cili do ta shtrojë kornizën për një marrëveshje të re për luftimin e ngrohjes globale.

Në takim do të jenë kryeministri britanik, Gordon Braun, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Obama ka thënë më herët se takimi në Kopenhagë duhet të jetë një marrëveshje, e cila do të ketë efekt të menjëhershëm operacional dhe të mos jetë vetëm deklaratë politike.

Sidoqoftë, ai ka thënë se ekonomitë më të mëdha botërore duhet të tregojnë më shumë përkushtim politik për të qenë të gatshme që ta luftojnë ngrohjen globale.

Në qershor, Dhoma Përfaqësuese e kaloi një ligj për ndryshimin e klimës, i cili bën thirrje që emisionet e gazrave, deri në vitin 2020, të reduktohen 17 për qind krahasuar me vitin 2005, por kjo mbeti në hijen e reformave shëndetësore.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë dy ndotësit më të mëdhenj në botë, që shkaktojnë rreth 40 për qind të gazrave në atmosferë. (V.P.)
XS
SM
MD
LG