Ndërlidhjet

Haradinaj: Manipulim votash


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar sot Partinë Demokratike të Kosovës për manipulim votash gjatë zgjedhjeve të 15 nëntorit.

Në një takim me gazetarët, zoti Haradinaj ka thënë se “ne e dimë që ka pasur involvime edhe nga SHPK-ja, duke ndihmuar partinë në pushtet në disa komuna, madje duke hequr edhe paletat, numrat dhe gradat, për të mbushur kutitë”.

“Njëkohësisht, ne dijmë edhe për proceset e brendshme në Qendrën e Numërimit, ku ka pasur tentativë për t’ia shtuar Partisë Demokratike të Kosovës, 30 mijë vota, nga personi i identifikuar me emër dhe mbiemër”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se “si rezultat i kësaj tentative ka ndodhur edhe shtyrja e dhënies së rezultateve zyrtare”.

Duke folur për debatet rreth zgjedhjeve në komunën e Gjakovës, ai ka thënë se “është ditur rezultati zgjedhor në nivel të vendit, është ditur që skena politike do t’i pësojë tronditjet e veta; kryeministri Thaçi e ka pasur të ditur se në Prishtinë do të marrë më pak se 15 për qind për qeverinë e vet dhe për këtë arsye është munduar të tërhiqet vëmendja në një temë pas-zgjedhore për të mos u diskutuar rezultati i ulët”.

Pikërisht atëherë, ka thënë ish-kryeministri i Kosovës, “është zgjedhur një poligon për të dëmtuar fituesin e zgjedhjeve”.

Në këtë drejtim, zoti Haradinaj ka akuzuar edhe Aleancën Kosova e Re, të udhëhequr nga Behxhet Pacolli.
XS
SM
MD
LG